Mentaliteti i bacës dhe maçizmi toksik i Agim Veliut

14 Dhjetor 2019, 17:36Rajoni TEMA

Që Agim Veliu sillet ndaj Vjosa Osmanit si personazh i poezive të Çajupit mbi primitivizmin e burrave shqiptarë, kjo nuk është për t’u habitur. Tejet e çuditshme është që 27 deputete e deputetë të LDK-së nuk i dalin në mbrojtje Vjosa Osmanit, e cila në zgjedhjet parlamentare i fitoi gati 180 mijë vota.

Nga Enver Robelli 

Mënyra se si po «komunikon» Agim Veliu me Vjosa Osmanin është primitivizëm patriarkal dhe mungesë respekti ndaj gati 180 mijë votuesve të Vjosa Osmanit. Këto vota ajo i ka marrë si kandidate e LDK-së për kryeministre të Kosovës dhe si nënkryetare e LDK-së, por edhe si politikane shumë e zëshme ndaj fenomeneve të këqija të politikës kosovare. Veliu me ton ultimativ dhe të egër po kërkon përgjegjësi nga Vjosa Osmani për shkak se ajo ka bërë një hata: është përshëndetur në Kuvend me Albin Kurtin, me të cilin shefi i LDK-së, Isa Mustafa, në 12 muajt e fundit i ka zhvilluar minimum 20 takime – shpesh në ambiente private. Agim Veliun nuk e pengon që partia e tij e ka votuar për kryetar parlamenti Kadri Veselin dhe për kryetar të Kosovës Hashim Thaçin. Por kur Vjosa Osmani e përshëndet Albin Kurtin – duhet të jehojë alarmi në të katër anët.

Po të kishte marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, Agim Veliu do të fitonte me gjasë rreth 10 për qind të votave që ka marrë Vjosa Osmani. Votat i ka siguruar sidomos Vjosa Osmani, por ajo, sipas logjikës të bacës, tani duhet të heshtë, duhet t’i nënshtrohet mentalitet të bacës, i cili herë i hedh dru koftorit, herë ju fishkëllen grave në bodrum që të rrinë urtë dhe t’i qesin sanë atit të shalës, sepse patriarku i shtëpisë do të shkojë në një kuvend, ku nuk e ka ftuar askush. Ky është maçizmi toksik që, me sa duket, ka gjetur truall mjaft pjellor në LDK dhe të kujton poezitë e Çajupit mbi dembelizmin dhe primitivizmin e burrave shqiptarë. Dhe si mos të gjejë truall pjellor ky maçizëm, kur Vjosa Osmanit nuk i dalin në mbrojtje deputetet dhe deputetët e LDK-së, të cilët kanë marrë vota edhe falë popullaritetit të Vjosa Osmanit. Janë 28 deputete e deputetë të LDK-së që janë zgjedhur më 6 tetor dhe 27 prej tyre heshtin si qengja – në vend që menjëherë t’ia tregonin vijat e kuqe Agim Veliut, me të cilin LDK nuk i merr as 10 për qind të votave në zgjedhje. Heshtin edhe anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, andaj duhet pyetur se përse merren me politikë këta njerëz?

Para një viti Lutfi Haziri e quajti Vjosa Osmanin «nuse të Preshevës» vetëm pse kjo kundërshtonte idetë e presidentit serb dhe kolegut të tij kosovar për prishjen e kufijve të Kosovës; tani është aktivizuar Agim Veliu, duke i kërkuar llogari nënkryetares së partisë, e cila, siç po shihet hapur, është duke u përkrahur në mënyrë masive edhe nga diplomacia gjermane, britanike dhe amerikane.

Është mirë që në të ardhmen, për të respektuar institucionin e bacës në LDK, Vjosa Osmani të marrë leje nga baca Agim Veliu edhe për takimet e saj me diplomatë e politikanë gjermanë, me diplomatë e politikanë amerikanë, me diplomatë e politikanë britanikë… Kështu i tregohet edhe botës, por edhe gati 180 mijë votuesve se në LDK kultivohet bacili i bacës. Baca bën të takohet me Agim Bahtirin, kryetarin e Mitrovicës, por Vjosa Osmani nuk bën as ta përshëndes Albin Kurtin. Në të ardhmen Vjosa Osmani duhet t’i raportojë Agim Veliut edhe mbi drekat e darkat që shtrojnë ambasadat perëndimore në Prishtinë dhe ku, dreqi e marrtë, nuk po e thërrasin Agim Veliun, por Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin. Madje një politikan i poshtër gjerman si Manfred Weber para pak ditësh hapur, në oborrin e LDK-së, tha se Kosovën duhet ta qeverisin njerëz të rinj.

Ku qëndron problemi i këtyre burrave të LDK-së që rrinë e bëjnë sehir pranë mangallit dhe sabotojnë gati çdo gjë? Këta e kanë vërejtur se ky mund të jetë shansi i tyre i fundit për lojëra destruktive, sepse nuk marrin më vota as në nivel komunal, lëre më nacional. Andaj qëllimi i tyre është poshtërimi i përditshëm i Vjosa Osmanit, kontestimi i autoritetit të saj, reduktimi i saj në «nuse» që nuk duhet të flasë pa i dhënë leje pleqësia e klubit të bixhozit politik. Gratë, sado të përgatitura e të popullarizuara të jenë, prapë nuk janë për të gjitha punët, thotë kjo antilogjikë mesjetare. Ato duhet t’i bartin drutë, por te oxhaku dihet kush e ka vendin.

3 komente në “Mentaliteti i bacës dhe maçizmi toksik i Agim Veliut”

  1. Lona says:

    ( beje si them une mos beje sic beje une ) ky proverbe ne kosove eshte i perhapur shume

  2. Baliu says:

    Ka edhe shum bullista (anglisht: bullies) tjere ne LyDyKy, edhe pse ai Bulliqi u largua prej saj. Ata jan pikerisht “garda” e vjeter e LyDyKys, me rrenje komuniste, te cilet sepaku edhe dhjete vite do ta dominojne LyDyKyn.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje