Familjet shqiptare mund të kursejnë rreth 2,000 euro në vit: U duhen 143 vite për të pasur milionin e parë në llogari

2 Janar 2020, 09:15Ekonomia TEMA

Të gjithë vendosim disa objektiva për të realizuar në çdo fillim viti, por nëse njëri prej tyre është për t’u bërë milioner, për fat të keq na duhet t’ju themi se duhet të prisni disa kohë. Më saktë, për të pasur milionin e parë në llogari do t’ju duhet minimalisht 1 shekull e 43 vite…

Një familje me të ardhura mesatare në Shqipëri nuk mund të kursejë më shumë se 2,000 euro në vit. Sipas Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës në Shqipëri, të ardhurat mesatare mujore për individ në Shqipëri në vitin 2018 ishin 26,144 lekë.

Një familje shqiptare përbëhet mesatarisht nga 3.7 anëtarë, çka do të thotë se të ardhurat mesatare mujore për një familje janë 96,736 lekë. Kurse shpenzimet mujore të një familje në vend, ku përfshihen shpenzimet për ushqim, veshmbathje, arsim, argëtim, banesë dhe shëndet, janë 75,935 lekë sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve.

Duke marrë në konsideratë të ardhurat e disponueshme dhe shpenzimet që ka një familje mesatare shqiptare, Monitor ka përllogaritur se kursimi i mundshëm gjatë një viti nuk është më shumë se 249,500 lekë, apo rreth 2000 euro.

Por për sa kohë do t’i duhej kësaj familje që të bëheshin milionerë?

Nëse për çdo vit kjo familje do të kursente paratë (2000 eurot që i mbeten çdo vit pasi ka hequr shpenzimet), sipas formulës së vlerës në kohë të parasë, ku supozojmë një interes vjetor mesatar prej 1.5% dhe marrim çdo gjë tjetër të pandryshuar dhe konstante, do ta arrinte qëllimin vetëm pas gati 1 shekull e 43 vite.

Vlera në kohë e parasë na ndihmon të përllogarisim vlerën e një aseti në një kohë specifike në të ardhmen duke supozuar një normë të caktuar interesi. Në këtë rast është marrë një normë interesi mesatare midis interesit për bonot e thesarit, të konsideruara si investim në letra me vlerë pa risk dhe interesit të depozitave.

Nëse nuk do të merrnim në konsideratë vlerën në kohë të parasë, pra nëse 2000 euro do të kishin të njëjtën vlerë aktuale edhe në të ardhmen, një familje do t’i duhej mesatarisht 492 vite, apo rreth 5 shekuj.

Ku bëhen më shpejt 1 milion dollarë

Një milion dollarë bëhen më shpejt në Luksemburg, në Zvicër dhe Islandë, ku duhen mesatarisht 16 vite, sipas përllogaritjeve të The Economist.

Më pas renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rreth 17 vite, Holanda dhe Danimarka me përkatësisht 19 vite.

Në Austri dhe Belgjikë duhen rreth 20 vite për të bërë 1 milionë dollarë.

Në shtetin gjerman, me pagën mesatare, 1 milion dollarë mund të bëhen për 21 vite, ndërsa në Francë dhe në Angli do të duhen rreth 23 vite. Kurse në Itali, do të duhen mesatarisht 27 vite dhe Greqi 38 vite.

Më shumë kohë për të realizuar milionin e parë duhen në vendet e lindjes. Në vendet baltike duhen rreth 41 vite.

Ndër vendet anëtare të Bashkimit Europian, Rumania dhe Bullgaria kërkon më shumë kohë për të bërë një milion dollarë. Në Rumani duhen afërsisht 75 vite, ndërsa në Bullgari 1 shekull e 26 vite.

Në vend të fundit është Armenia, ku krahasuar me një vit më parë një individi do t’i duhen 2 shekuj e 39 vite nga 2 shekuj e 15 vite.

5 komente në “Familjet shqiptare mund të kursejnë rreth 2,000 euro në vit: U duhen 143 vite për të pasur milionin e parë në llogari”

  1. Petrit says:

    Po alfred peza si arriti kaq shpejt te kursente 1 milion euro.
    Apo me fitimet qe nxorri nga ndertimi i stadiumit te shkumbinit dhe nga tv shkumbin chanell.
    A more hajdutë ordiner.
    Te gjitha ato lek te vjedhura nje dite do ti ktheni nje më një.

  2. Drini says:

    Nuk eshte bere njeri milioner duke kursyer,aq me pak ne Shqiperi!
    Milioneret jane bere me korrupsion,vjedhje,vrasje,prostitucion,etj.
    Te tjerat jane perralla!

  3. Rebel says:

    Ky parashikim eshte njelloj me kete histori te vjeter:
    -Shkoi nje minister ne nje burg dhe pyeti te burgosurit ne se u dilte ushqimi!
    Ata u pergjigjen se ” u del e u tepron”!
    Po ate qe u tepron,cfare e beni, ?-shprehu habine ministri.
    -E hame-u pergjigjen te burgosurit!
    Si do kursejne shqiptaret 2 mije euro ne vit nga rrogat e pensionet?
    Sipas BB ne Shqiperi 50% e bizneseve jane informale dhe 37% e te punesuarve punojne ne te zeze!
    Pra 50% e bizneseve bejne kontrabande,nuk paguajne taksa e tatime,nuk u japin rroge te plote punonjesve,punonjesit i kane punesuar pa kontrata pune,qe mund t’i pushojne ne cdo kohe e per cdo rast!
    Mijra te punesuarve nuk u kane derdhur kontribute per sigurimet shoqerore e shendetesore,duke mos u njohur vitet e punes per efekt pensioni si dhe nuk perfitojne sherbime shendetesore falas duke i paguar keto sherbime shume shtrenjte tek privati ose shteti!
    Vetem per nje rezonance magnetike ne shet,pa qene i siguruar,kushton 20 mije leke te reja!
    Pra keta mijra te punesuar jo vetem nuk kursejne dot asnje qindarke,por dalin me borxhe te medha!
    Ose vjedhin,prostituojne,vrasin etj,etj!
    Nisur nga te dhenat e INSTAT-it ne vend vetem 23% e te punesuarve punojne ne biznese private dhe 77% punojne ne shtet!
    Pra i bie qe rreth 50% e shqiptareve jo vetem qe kane te ardhura me te ulta se minimalja e deklaruar e pages apo pensionit,por mijra prej tyre nuk kane asnje te ardhur!
    Ne veriun e Shqiperise jane te ngujuara nga gjakmarrja qindra familje me mijra vete,kryesisht femije,qe shteti nuk u jep asnje lek,ndihme!
    Keta njerez jetojne nen nivelin e MIZERJES,sepse nuk kane as drita,as uje,as shkojne ne shkolle,nuk shikojne programe televizive e radio,nuk lexojne libra dhe shumica jane analfabete!
    Vetem nje llogjike kriminale mund te pretendoje qe keta mijra te ngujuar mund te kursejne 2 mije euro ne vit,ne pritje per t’u bere milionere!
    Ky shkrim eshte nje tallje makabre per shumicen e shqiptareve ,se edhe ata qe punojne neper ministri me arsim te larte,me rrogat qe marrin nuk arrijne te mbyllin muajin per te ngrene e jo me kursejne!

  4. ilirida says:

    Nje qytetar amerikan qemoti kishte thene ,qe te behesh milioner nuk mjaftojne vetem dhjete gishta!
    Ndersa nje proverb turk thote qe te behesh i pasur,duhet te tjeret te punojne per ty!

  5. Tony says:

    Une kam 23 vite ne Angli. Sipas llogarise tuaj duhet te isha milioner. Ne fakt nuk kam asnje pound te kursyera. Keshtu jane 90% e njerezve ketu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje