Tre mijë rezervistë australianë janë thirrur nga qeveria për të vazhduar betejën me vatrat masive të zjarrit në rajonet juglindore.
Vendimi i paprecedentë në historinë e vendit u mor të shtunën, 4 janar, ndërsa i nxehti ekstrem riktheu temperaturat mbi 40 gradë Celsius.
“Kjo është një tjetër ditë e vështirë për Australinë dhe u shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta çdo familjeje australiane që ka humbur të dashurit e vet nga këto zjarre shkatërrimtare. 23 të vdekur janë konfirmuar deri tani e më shumë se 1,500 shtëpi janë djegur që nga fillimi i sezonit të zjarreve në shtator,” deklaroi kryeministri Skot Morison.
Ndërsa vazhdojnë evakuimet, banorëve në shtetin e Viktorias iu është thënë se tashmë është tepër vonë për t’u larguar dhe se opsioni më i sigurt është qëndrimi brenda banesave të sigurta.
21 persona janë shpallur të zhdukur.
Erërat e forta kanë përhapur flakët që deri tani kanë shkrumbuar gati 5 milionë hektarë tokë, me qindra vatra aktive në shtetin e Nju-Sauth-Uellsit i cili për një javë është në gjendje të jashtëzakonshme.