Dy baza ajrore që strehojnë trupat amerikane në Irak janë goditur nga më shumë se një duzinë raketash balistike.
Presidenti amerikan Donald Trump në një reagim në “Twitter” shkruan se gjithçka është mirë.
“Gjithçka është mirë dhe po bëhet vlerësimi i dëmeve dhe viktimave.
Ne kemi ushtrinë më të fuqishme dhe të pajisur mirë kudo në botë”, është shprehur Trump
Irani ka sulmuar pas mesnate, me 35 raketa balistike bazat ajrore amerikane në Irak, në shenjë hakmarrje për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani.
Raketat balistike goditën bazat e SHBA në Irbil dhe Al Asad në perëndim të Bagdadit.
Nuk është e qartë nëse ka viktima.
Departamenti i Mbrojtjes së SHBA – së ka njoftuar se dy baza ajrore që strehojnë trupat amerikane në Irak janë goditur nga më shumë se një duzinë raketash balistike.
Televizioni shtetëror iranian thotë se sulmi është si një hakmarrje, pasi komandanti i lartë i vendit Qasem Soleimani u vra në një sulm me dron në Bagdad, me urdhër të presidentit amerikan Donald Trump.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë reagoi për situatën në Irak.
“Ne jemi të vetëdijshëm për raportet e sulmeve ndaj objekteve amerikane në Irak. Presidenti është informuar dhe po monitoron nga afër situatën dhe po këshillohet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, në një deklaratë.
Gjithashtu, për ngjarjen reagoi dhe Garda Revolucionare e Iranit duke thënë se sulmi ishte si një hakmarrje për vdekjen e Soleimani të premten e kaluar.
“Ne po paralajmërojmë të gjithë aleatët amerikanë, të cilët i dhanë bazat e tyre ushtrisë së saj terroriste, se çdo territor që është pika fillestare e veprimeve agresive kundër Iranit do të jetë në shënjestër,” tha ajo përmes një deklarate të mbartur nga agjensia shtetërore e Iranit.