Hakmarrja, Irani sulmon dy baza amerikane. Median iraniane: Kanë vdekur 80 ushtarë amerikanë, 200 të tjerë u plagosën

8 Janar 2020, 08:15Bota TEMA

Irani hodhi rreth 15 raketa balistike në të paktën dy baza ajrore irakiane që strehojnë trupa amerikane, tha Pentagoni.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb njoftoi e para për sulmin me raketa të martën vonë, me lajmin se baza ajrore al-Asad u godit nga zjarri i raketave.

Pentagoni tha më vonë se baza ajrore e Irbilit gjithashtu ishte goditur me raketa balistike. Njoftime kontradiktore thanë se edhe baza Camp Taji, rreth 27 kilometra në veri të Bagdadit ishte goditur.

Një zëdhënës tha se ishte “e qartë” që raketat ishin të Iranit.

Korpusi Revolucionar Islamik i Iranit bëri një deklaratë ku përshëndeste atë që e quante një sulm të suksesshëm me raketa ndaj bazave irakiane që strehonin trupa amerikane, duke thënë se kjo ishte një “hakmarrje për vrasjen dhe martirizimin e Kasem Soleimanit,” komandantit të trupave iraniane elitë Quds.

Pentagoni tha se po punon për “vlerësimet fillestare të dëmeve luftarake”.

Disa orë pas sulmit, Presidenti Donald Trump shkroi në Twitter:

“Gjithka është mirë! Irani hodhi raketa në dy baza ushtarake në Irak. Eshtë duke u bërë vlerësimi për viktimat dhe dëmet. Deri tani, mirë! Ne kemi ushtrinë më të fuqishme dhe më të pajisur në botë, shumë më tepër se kushdo! Do të bëj një deklaratë nesër në mëngjes.”

Një burim irakian i sigurisë i tha televizionit CNN se në bazën ajrore al-Asad ka patur viktima mes irakianëve, megjithatë nuk dihet nëse fjala ishte për të vrarë apo të plagosur.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Donald Trump është informuar dhe po këshillohet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare. Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper shkuan të martën vone në Shtëpinë e Bardhë.

Eliot Engel, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, i tha televizionit CNN se “Presidenti dhe ekipi i tij do të ishte mirë të gjenin një mënyrë për të ulur tonet, sepse mund të përfundojmë në një luftë me përmasa të plota.”

“Ajo që ne duhet të bëjmë tani është të zbutet retorika nga të gjitha palët dhe ta nxjerrim veten nga kjo situatë,” shtoi ai.

Forcat amerikane kanë qenë në gatishmëri pas kërcënimeve të Iranit se do të kundërpërgjigjej me sulme si hakmarrje ndaj vrasjes së Solejmanit.

“Ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur personelin amerikan, partnerët dhe aleatët në rajon,” tha zëdhënësi i Pentagonit.

Mediat iraniane: Nga sulmi me raketa kanë vdekur 80 ushtarë amerikanë, 200 të tjerë u plagosën

Ende nuk ka asgjë të konfirmuar nga autoritetet amerikane, por mediat në Iran shkruajnë se nga sulmi me raketa në bazat ajrore në Irak kanë humbur jetën rreth 80 trupa amerikane dhe kanë mbetur të plagosur rreth 200 të tjerë.

“Sipas raporteve të sakta të burimeve tona në terren, të paktën 80 trupa amerikane u vranë dhe rreth 200 të tjerë u plagosën, të cilët u transferuan menjëherë nga baza ajrore me helikopterë, tha një burim i informuar në Trupat e Rojeve të Revolucionit Islamik” raporton Tehran Times.

Më tej thuhet se baza ajrore e Ain al-Asad ishte një sit strategjik për SHBA-në, i cili përdorej për të mbështetur dronët.

Sipas raportimeve të gazetës iraniane, deri në 20 pika kritike të bazës u goditën nga 15 raketa dhe u shkatërruan një numër i konsiderueshëm UAV dhe helikopterë.

“Përkundër faktit se amerikanët kishin qenë në gatishmëri të lartë, mbrojtja e tyre ajrore nuk ishte në gjendje të përgjigjet. Në shënjestër kanë qenë 104 pika kritike të mbajtura nga SHBA-ja në rajon, të cilat do të sulmohen kundrejt gabimit të parë të SHBA-së.”- citohet më tej burimi për gazetën.

Trupat e rojeve të Revolucionit Islamik shënjestruan bazën ajrore amerikane të Ain al-Asad në provincën Anbar në Irakun perëndimor, si dhe bazën tjetër në Erbil, për t’u hakmarrë ndaj sulmit amerikan që vrau komandantin e Quds, Qasem Soleimani.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi pas sulmit, duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ushtrinë më të fortë në të gjithë botën.

Ai shtoi se po vlerësoheshin dëmet dhe nëse ka viktima, dhe për këtë do të bënte një deklaratë në orët në vijim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje