“SHBA planifikon vendosjen e avionëve B-52 në një bazë në Oqeanin Indian”

7 Janar 2020, 16:59Bota TEMA

SHBA po planifikon të vendosë gjashtë avionë bombardues strategjikë B-52 në një bazë në Oqeanin Indian mes tensioneve në rritje me Iranin, siç raportojnë mediat, transmeton Anadolu Agency.

Duke cituar një zyrtar amerikan, CNN pretendoi të hënën se B-52 do të jenë në dispozicion për operacionet kundër Iranit nëse jepet urdhër.

Tensionet në mes Washingtonit dhe Teheranit u përshkallëzuan pas vrasjes së javës së kaluar të gjeneralit të lartë iranian Qasem Soleimani në një sulm me dron amerikanë në Irak, kurse Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi Iranin se çdo sulm do të pasoj me një përgjigje “joproporcionale”.

“Nëse Irani sulmon një bazë amerikane, apo ndonjë amerikan, ne do t’i dërgojmë disa nga pajisjet e reja të bukura drejt tyre … dhe pa hezitim!”, paralajmëroi Trump në një varg postimesh në Twitter të shtunën vonë.

Zyrtari theksoi se bombarduesit do të vendosen në territorin britanik të ishullit Diego Garcia, në vend të Katarit, për të mbajtur aeroplanët jashtë rrezes së raketave iraniane.

Pentagoni ende nuk ka konfirmuar vendosjen, por bëri një veprim të ngjashëm vitin e kaluar kur tensionet me Iranin filluan të rriteshin.

Washingtoni tradicionalisht vendos bombardues me rreze të gjatë për të shfaqur forcën, kështu që zhvendosja nuk sinjalizon për urdhërim të operacioneve.

Ndërkohë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, vazhdoi të zhvillonte diplomaci përmes biedave telefonike, duke folur me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ministrin e Jashtëm të Bjellorusisë, Vladimir Makei, Presidentin e zgjedhur të Uruguait, Luis Lacalle Pou, Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, Sheikun Ahmad Nasser al-Mohamed al-Sabah dhe u takua me zëvendës ministrin saudit të Mbrojtjes, Khalid bin Salman Al Saud në Washington, sipas Departamentit të Shtetit.

Situata me Iranin ishte çështja kryesore e diskutimit, por Pompeo diskutoi edhe rreth trazirave politike të Venezuelës.

“Sekretari nënvizoi se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë luftë me Iranin dhe mbeten të angazhuar për de-përshkallëzim”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus, në një deklaratë mbi takimin e Pompeos me zyrtarin saudit.

Soleimani, kreu i forcave elitare të Trupave të Gardës Revolucionare Islame, Kuds, u vra së bashku me nëntë të tjerë në një sulm ajror me dron amerikanë herët të premten para aeroportit të Bagdadit, duke shënuar një përshkallëzim dramatik në tensionet midis SHBA-ve dhe Iranit, të cilat kanë qenë të acaruara që nga tërheqja e njëanshme e Trumpit në vitin 2018 nga pakti bërthamor i vitit 2015 të nënshkruar nga fuqitë botërore me Teheranin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje