Regjimi në Teheran nuk mund të ofrojë as paqe, as stabilitet në Lindjen e Afërt…

7 Janar 2020, 15:00Bota TEMA

…për këtë arsye Shtetet e Bashkuara do të duhej të ktheheshin në rajon si fuqi rendmbajtëse. Por gjasat nuk janë të mëdha me këtë president për të cilin nuk dihet nëse po zhvillon fushatë elektorale apo ka strategji për Lindjen e Afërt. Koment i «Süddeutsche Zeitung».

Nga Tomas Avenarius 

Gjithandej në Lindjen e Afërt diplomatët, ushtarët dhe civilët amerikanë po mblidhen si iriqë. Me vrasjen e qëllimshme të gjeneralit Kasem Solejmani, strategut ushtarak dhe njeriut në hije të Republikës Islamike, presidenti Donald Trump i ka sfiduar hapur iranianët. Në mënyrën e tij tashmë të njohur ai është kërcënuar se do të përgjigjet ndaj çdo reagimi ushtarak të Teheranit, madje me sulme kundër objekteve të kulturës së Iranit, gjë që do të ishte ashiqare një krim lufte.

Teherani, ndërkaq, mund të vazhdojë t’i kërcënojë SHBA-të dhe edhe më tutje të tërhiqet nga marrëveshje bërthamore, e cila tashmë është shqyer nga Trumpi. Por regjimi nuk është i interesuar të bëhet cak i sulmeve ajrore amerikane. I shtyrë nga vullneti i pastër për të mbijetuar, vendi me gjasë do të shmang konfrontimin e menjëhershëm, përkundër solidaritetit të jashtëzakonshëm të popullsisë pas vdekjes së Solejmanit. Irani zhvillon politikë afatgjatë. Për Iranin atentatet janë pjesë e aleteve politike, caku dhe koha do të gjenden. Njëkohësisht Irani do të këmbëngulë në strategjinë e tij të luftës gjysmë të fshehur, në Irak, në Jemen, në Liban dhe në Siri – edhe pa Solejmanin. Ushtria dhe shërbimet sekrete askund nuk janë shou i një njeriu, por aparate. Në të shumtën e rasteve ato funksionojnë edhe pa strategun gjoja të pashmangshëm. Më e rëndësishme se fundi i Solejmanit është një çështje tjetër thelbësore: a do t’ia tregojë Washingtoni kufijtë Republikës Islamike?

Që nga revolucioni më 1979 Irani po përpiqet të luajë rol dominant në rajon. Në fillim nga pozicioni mbrojtës i një regjimi revolucionar të kërcënuar nga të gjitha anët, më vonë duke e mbivlerësuar veten dhe deri te përpjekja pothuaj e pafshehur për zhvillimin e armëve bërthamore. Hizbollahu i themeluar nga Irani e ka fjalën kryesore në Liban dhe prej vitesh e mban nën presion me raketa iraniane ushtrinë e Izraelit, i cili është fuqi bërthamore. Pa përkrahjen e Teheranit në Irak vetëm pak gjëra ecin. Në Siri Asadi aktualisht po e fiton luftën e tij civile, me bomba ruse dhe falë milicëve iranianë. Në Jemen Arabia Saudite po kurthohet në luftë kundër një trupe tjetër, pas së cilës qëndron Teherani.

Qytetarët e Republikës Islamike vuajnë për shkak të sanksioneve ekonomike, por regjimi po përparon në rrugën për t’u bërë fuqi e rëndësishme rajonale. Por një fuqi nuk zhvillon vetëm luftëra, ajo duhet të garantojë paqe e stabilitet edhe pa dhunë. Mirëpo, shumica e njerëzve në Lindjen e Afërt janë sunitë dhe arabë; me shfaqjen e fundamentalizmit kundërthëniet fetare janë ashpërsuar edhe më shumë në të gjitha anët. Një komb joarab, i cili veten e paraqet si shiit dhe revolucionar, vështirë mund të jetë numri një. Një Pax Irana nën këtë regjim nuk mund të merret me mend.

Republika Islamike zhvillon politikë në një kategori ku nuk e ka vendin as politikisht, as ekonomikisht. Ushtarakisht jo se jo – së paku për aq kohë sa ky vend nuk ka armë bërthamore. Reforma nga brenda po ashtu nuk mund të priten; në Teheran fjalën kryesore e kanë përfaqësuesit e vijës ekstreme, të cilët i kanë ndalur me armë protestat e fundit të qytetarëve të vet. Ky regjim më parë bie për shkak të paralizës ekonomike, korrupsionit gjithëpërfshirës dhe pakënaqësisë së shumë iranianëve, para së gjithash të rinjve.

Kritika ndaj rolit të SHBA-ve në Lindjen e Afërt mjaft shpesh është e drejtë, për shembull sepse ato më 2003 janë futur në luftë kundër Irakut ose për shkak se durojnë sjelljen e Izraelit ndaj kërkesave të palestinezëve. Në rastin e vrasjes së gjeneralit Solejmani puna mund të jetë ndryshe: në rastin ideal SHBA-të kthehen si fuqi rendmbajtëse. Sepse në Lindjen e Afërt po mbretëron kaos i vërtetë. Konfliktet në Siri, Jemen dhe Libi bartin tipare të luftës civile; fuqi të mëdha dhe fuqi që kanë qejf të jenë të tilla financojnë njësi milicie ose ndërhyjnë vetë – iranianët, sauditët, egjiptianët, turqit. Zgjidhje të shpejta politike duken të pabesueshme. Për shkak të divergjencave të mëdha politike, ekonomike, etnike dhe fetare këto shtete janë tepër të armiqësuara. Rusinë në Lindjen e Afërt mund ta pranojnë vetëm ata që përdorimin e aviacionit luftarak e konsiderojnë politikë. Politika e re e Moskës në Lindjes së Afërt nuk u ka sjellë sirianëve dhe libianëve më shumë se vuajtje.

Problematike në vdekjen e luftëtarit në hije Solejmanit është më pak mungesa e skrupullit në veprimin amerikan se sa një njeri, i cili është përgjegjës për qasjen e re: Donald Trumpi. Në të s’mund të llogaritet. Është duke zhvilluar fushatë elektorale? Apo e ka kuptuar se SHBA-të nuk mund thjeshtë të tërhiqen si fuqi rendmbajtëse? E kupton ai se Washingtonit i duhet një strategji për Lindjen e Afërt? A do t’i tërheq ai me atë rast vijat e kuqe, të cilat nuk do të lejojë t’i shkelë askush, as Irani? Me vdekjen e Solejmanit SHBA-të do të mund të ktheheshin në Lindjen e Afërt si fuqi rendmbajtëse. Por çështja është nëse Trumpi dhe vendi i tij janë të gatshëm të ecin kësaj rruge të vështirë. Nuk ka shumë gjasa që kjo të ndodhë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje