Xhodë, të rrije dhe ca. Që sot më mori malli!

17 Janar 2020, 09:31Blog TEMA

Nga Agim Xhafka

Ngatërrove radhën Xhodë! Të rrije nga fundi i varganit. Pas vitesh e vitesh duhej të tregoje pasaportën atje te dera e Parajsës. Që të ikje i qeshur, i ngopur, i kënaqur.

Por ja, që ti i maturi në jetë e në filma kapërceve klonin dhe u derdhe linkthi drejt errësirës.

Të shtyu sëmundja, dhimbja, por mbase motiv kishe dhe filmin, teatrin, skenën, kolegët, artdashësit, se ajo ndërtesë që po bëhet lakmi e vjedhjes ishte tempulli yt. Me shfaqje që u shiteshin biletat dy javë para.

Në atë oborr lëviznin korifej. Tani ruhet nga rrënimi prej misionarësh që fe kanë traditat dhe historinë.

Shteti e ka harruar artin. Shteti i ka hipur fadromës dhe shëtit si i marrë mbi betoniera. E di që nuk më dëgjon. E di që s’ma vë veshin.

Por edhe unë nuk po e besoj lajmin. Është fake. Xhevdet Ferri rron. E kam te CD në shtëpi.

Siç e kanë mijëra familje. Ja,e hapa “Përrallë nga e kaluara “Ja ku je. I ri, i shëndetshëm, i pashëm.

Si doje të na lije kur ne të kemi salduar te TV dhe DVD e shtëpive.

Xhodë, më dhembi zemra nga lajmi i zi. Mbase do mësohem me largimin tënd.

Ama kur moshatarët e tu vite e vite më pas do ecin avash-avash e me karroca, apo bastun ti do u dalësh para si kaçaku i filmit.

Do qeshësh e do bësh romuze me ta. “Hë mo e bëni dot shurrën?”, do u thuash.

Atëherë ata do të kenë zili ty që në përjetësi do të quhesh djalosh.

Djalosh dhe bukurosh.

Xhodë, të rrije dhe ca. Që sot më mori malli!

6 komente në “Xhodë, të rrije dhe ca. Që sot më mori malli!”

  1. Shqiptari Ilirise says:

    Këtij Xhafkës i dhimset Xhota më shumë jo si attist,por si person i të njëjtit krah politik.
    Jam i sigurtë se ky si një tifoz ultras PD-ist,nuk do kish shkruar asnjë rresht nëse xhota do ish me PS.

  2. Pensionisti says:

    Mire ke shkruar per Artistin e Madh, por mos si pa dashje te paska shpetuar dora e i ke hedhur pak si shume keçap politik, qe mendoj se nuk ishte me vend per kete rast dhimbjeje.

  3. D... says:

    Vjen nje moment qe njeriu duhet te lere menjane polemikat kur eshte fjala per vdekje…. Por ne shqipot e paskemi te veshtire… Vlen per artikullshkruesin dhe per komentuesit.,, Xhevdet Ferri R. I. P.

  4. FLUTURA says:

    Pilitike me te vdekurin…

  5. Roberto says:

    Une Xhevdet Ferrin e vleresoj si artist,si njeri i cili me rolet e tij hyri ne zemrat tona menjehere.Aktor me ndjenje,simpatik dhe i dashur.Politika nuk me intereson sidomos ne kete rast dhe nuk duhet qe ta perzjeni personin e vdekur ne politiken e ndyre te ketij vendi. Ne ate kohe shume vete e perqafuan PD sepse besonin ne ndryshim por ndyshimin qe kerkuan e moren ne dore njerzit e degjeneruar te ketij vendi qe shkaterruan c’do gje mbi dhe nen toke.Me PD ka qene Ndicim Xhepa por me pas u largua bute qe andej sepse ja u pa fytyren atyre qe drejtonin. Une i shpreh ngushellimet me te sinqerta familjes,te afermve ,miqve dhe shokeve te tij,aktoreve dhe studenteve te tij. Xhevdet Ferri do mbetet i pavdekshem ne zemrat tona.Vepra e tij do mbetet nje frymezim per te gjithe ne qe e njohim dhe per te gjithe ata qe do ndjekin rrugen e artit te vertete.

  6. Shqiponja says:

    Vetem kur humb jeten , ne vareza dhe ne facebook thuhen fjale te medha , fjale te mira ,lavderime , ekzagjerime , ne rastet e tjera …….. Thika pas shpine , dhe gropa gati ……..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje