Artur Metani është përzgedhur Inspektor i lartë i Drejtësisë me 98 vota pro dhe 8 kundër.
Metani ka mbajtur postin e Avokatit të Shtetit deri tani.
Ai është vëllai i deputetes së Partisë Socialiste, Eglanina Gjermani.
Kjo e fundit para nisjes së votimit ka deklaruar se është në konflikt interesi dhe për rrjedhojë ka kërkuar që të përjashtohet nga votimi.
Biografia
Artur Metani ka lindur në Krujë, më 29.01.1974. Ka përfunduar studimet e larta në vitin 1996, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, ndërsa studimet pasuniversitare i ka kryer në të Drejtën Kushtetuese të Krahasuar, në Universitetin e Europës Qendrore, në Budapest, në Departamentin e Studimeve Ligjore (1997), si dhe në Universitetin e Utah, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u diplomua për të Drejtën e Mjedisit dhe Burimeve Natyrore (1998).
Në vitet 1999 – 2002, ka punuar si koordinator i programit ligjor në Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
Më pas, ka një përvojë të gjatë pune prej vitit 2002 deri më 2012, si këshilltar ligjor në kabinetin e presidentëve të Republikës, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi.
Në nëntor 2013 është emëruar srejtori i Njësisë së Legjislacionit, Monitorimit të Programeve dhe Kontrollit të Brendshëm, në Kryeministri, detyrë të cilën e ushtroi deri në datën e emërimit të tij si Avokat i Përgjithshëm i Shtetit.
Ka punuar, gjithashtu, si këshilltar ligjor i jashtëm në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, si dhe ekspert i jashtëm për EURALIUS dhe PAMECA.
Gjithashtu, ka qenë anëtar i bordit të Komitetit të Helsinkit në Shqipëri, si dhe ka një përvojë të gjatë në mësimdhënie si pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë.
Artur Metani u emërua Avokat i Përgjithshëm i Shtetit me urdhër të kryeministrit, nr. 156 datë 22.10.2018.