ANALIZA: Marrëdhëniet përherë të stuhishme britaniko-europiane

31 Janar 2020, 14:02Bota TEMA

Nga Françoise Michel

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Winston Churchill e deklaroi veten në favor të krijimit të “Shteteve të Bashkuara të Europës”, por paralajmëroi gjithashtu se vendi i tij do të vazhdonte të parapëlqente detin e gjerë në vend të kontinentit.

E ndarë vazhdimisht mes Europës dhe etjes për horizontin e largët, Britania e Madhe do të hapë me Brexit-in, më 31 janar, një kapitull të ri në këtë histori të mundimshme.

Kthesa e shekullit XVI

Britania e Madhe nuk ka qenë gjithmonë një ishull. Deri në mijëvjeçarin VII para Krishtit, ajo ishte e lidhur me kontinentin nëpërmjet një territori të quajtur “Doggerland“.

Që prej kohës së keltëve, historia e saj është e lidhur me atë të Europës.

Ishulli u kolonizua nga romakët në vitin 43, siç e dëshmojnë rrënojat e Murit të Hadrianit.

Pushtimi do të zgjaste deri në shekullin V, pas të cilit territori u pushtua nga fiset gjermanike.

Më vonë, territori do të bëhej pre e bastisjeve nga skandinavët, deri në pushtimin norman të vitit 1066, i cili do të sjellë frëngjishtëzimin e gjuhës dhe kulturës.

Ndarja nga Papa, nën regjimin e Henrit VIII, që u vetëshpall kreu suprem i Kishës së Anglisë, do të shenjojë një shkëputje.

Në shekullin XVI, pas humbjes së Calais (1558) dhe më pas dështimit të Armadës së Pamposhtur Spanjolle gjatë përpjekjeve për të pushtuar Anglinë, me vendosmëri, Elizabeth I do ta kthente vendin e saj “me 180 gradë nga kontinenti drejt hapësirave detare, ku ajo do të dëshmojë fuqinë e saj”, kujton François-Charles Mougel, autor i “Një histori nga Britania e Madhe”.

Me një perandori, që do të shtrihet në fillim të shekullit XX mbi çerekun e globit, nga Kanadaja në Australi, duke kaluar nga India, Europa e humbet interesin e saj në sytë e një mbretërie përfundimisht të bashkuar.

Në vitin 1815, në Waterloo, Napoleoni, i cili dëshironte të shkatërronte ekonominë e ishullit me bllokadën e tij, u mund nga anglezët dhe prusianët. Do të kalojë një shekull para se ushtria britanike të kthehej në kontinent.

Lufta kundër nazizmit

Britania e Madhe hyri në Luftën e Parë Botërore pas shkeljes së asnjanësisë së Belgjikës, të cilën ishte angazhuar ta mbronte. Në 1939, ajo i shpalli luftë Gjermanisë pas pushtimit të Polonisë.

Churchill u kujdes të paralajmëronte se ishte çështje lufte për të shpëtuar botën nga murtaja e tiranisë naziste, në emër të vlerave të shenjta të njerëzimit, që Londra synonte t’i mbronte edhe më përtej Europës.

Të bindur se sistemi i vlerave të tyre nuk u prek nga lufta, britanikët nuk kishin ndërmend të identifikoheshin me një kontinent të poshtëruar, i cili ka paguar “çmimin për marrëzitë e tij totalitare dhe gabimet e tij”, thekson Mougel.

Gjithashtu, prej shekujsh, ata janë ndjerë të mbrojtur nga izolimi i tyre.

Një ndjenjë që mbeti e rrënjosur pavarësisht shfaqjes së armëve moderne dhe, më pas, ndërtimit të tunelit nën La Manche (1994).

Përpjekjet për afrimin dhe vetot goliste

“Në vitet 1960-70, britanikët iu kthyen në një mënyrë të moderuar dhe ngurruese Europës, në një kohë kur ekonomia e tyre ishte në një gjendje të keqe përballë një kontinenti të shëndetshëm”, shpjegon historiani Maurice Vaïsse.

Por, gjenerali de Gaulle do t’i vinte dy herë veton e tij kërkesës së anëtarësimit (1963 dhe 1967), i shqetësuar për bujqësinë franceze dhe me frikën se mos Britania e Madhe ishte Kali i Trojës së SHBA.

“Në kotec ka vetëm një gjel dhe ai është Franca. Nëse hyjnë britanikët, do të ketë dy dhe kështu nuk shkon, pati deklaruar ministri i Bujqësisë, Edgard Pisani”, kujton historiani.

Do të duhej të vinte presidenca e Georges Pompidou që Britania e Madhe t’i bashkohej bllokut CEE në vitin 1973.

Një Europë ”à la carte”

Europa u ndërtua rreth një ideali paqeje. Përballë mrekullive gjermane dhe franceze, britanikët e shohin atë, para së gjithash, si një nxitje për modernizimin e tyre ekonomik.

“Për Margaret Thatcher-in ishte i rëndësishëm tregu unik. Ata gdhendën në legjislacionin europian një Europë sipas interesit të tyre”, thekson Mougel.

Londra do të nxisë zgjerimin me synim krijimin e një zone shkëmbimi të lirë sa më të madhe të mundshme.

Nga ana tjetër, nuk bëhej fjalë të thellohej bashkimi mes shteteve, gjë që do të dëmtonte sovranitetin e saj të shenjtë apo të përdorej si kundërpeshë politike e ushtarake përballë fuqive e tjera, në dëm të marrëdhënies së veçantë me Uashingtonin.

Refuzimi për të qenë pjesë e sistemit monetar europian, në vitin 1979, u ndoq nga ai për marrëveshjet e Schengenit për qarkullimin e lirë në 1985 dhe më pas nga refuzimi i euros në 1993.

Në vitin 1984, Margaret Thatcher fitoi betejën për rimbursimin britanik, që ajo e pretendoi me zhurmë të madhe, “Më ktheni paratë e mia!”.

Përballë rritjes së euroskepticizmit, edhe brenda partisë së tij, David Cameron premtoi të rinegociojë kushtet e qëndrimit të Britanisë së Madhe në BE, në veçanti ato në lidhje me qarkullimin e lirë, si edhe të organizojë një referendum (qershor 2016), që do të ishte fatal për të dhe do të niste procesin e ndarjes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje