PSG ka vazhduar të diktojë ritmin e vet në kampionatin francez, me fitoren e 18 të këtij edicioni në 22 javë, duke krijuar diferencë të ndjeshme. Por suksesi 5-0 ndaj Montpelje nuk ka qenë edhe aq i lumtur për ekipin e drejtuar nga Tomas Tuhel.
Kjo ndodhi pas zënkës së radhës së trajnerit me Kilian Mbape, pasi trajneri e zëvendësoi talentin 21-vjeçar francez.
Më rezultatin 5-0 të ndeshjes, ai vendosi të hiqte nga fusha sulmuesin francez për t’i dhënë kohë të pushonte e mendonte për sfidat e radhës, por Mbape nuk pëlqeu këtë situatë dhe doli duke turfulluar nga fusha.
Vrapimi i Tuhel për ta qetësuar nuk shërbeu dhe mes të dyve kishte një përplasje verbale në sytë e të gjithëve.
Një situatë aspak normale po të mendosh se skuadra kishte bërë gjithçka mirë me golat e Sarabia, Di Maria, autogol i Kongre, Mbape dhe Kurzaua.
Parisienët janë shkëputur ndjeshëm nga ndjekësit e tyre ne kampionat dhe nuk kanë asnjë lloj problemi në Ligue 1.
Por kur fillon të afrojë periudha vendimtare e sezonit sa i përket Ligës së Kampioneve, padyshim përplasjet e vazhdueshme mes Mbape dhe trajnerit nuk i bëjnë mirë skuadrës.