Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, thotë se fluksi i armëve në zonat e luftës në Libi, Siri dhe Jemen në kundërshtim direkt me embargon e armëve ka kontribuar në atë që ai e quajti një “erë marrëzie që po përfshin të gjithë globin”.
Duke folur para gazetarëve në Nju Jork, Guterres veçoi armatimin e militantëve rivalë në Libi si thelbësor për një “rreth të mbrapshtë” që po dëmton paqen dhe sigurinë në të gjithë botën, megjithëse ai nuk përmendi emrat e vendeve të përfshira në konfliktin aktual në Afrikën e Veriut .
Guterres tha se zgjidhjet e Këshillit të Sigurimit mbi Libinë – ku po luftohet një luftë civile midis kryeministrit Fayez al-Sarraj, i cili kryeson qeverinë e njohur nga Kombet e Bashkuara në Tripoli, dhe gjeneralit Khalifa Haftar – “po shkelen enede pa u tharë boja” .
“Duhet të them që jam thellësisht i irrituar nga ajo që po ndodh në Libi dhe mendoj se ajo që po ndodh është një skandal”, tha ai. “Ne ende shohim aeroplanët që vijnë, si në Misrata ashtu edhe në Benghazi. Ne nuk kemi parë ndonjë kthesë në respektimin e embargos së armëve”.
Komentet e tij vijnë vetëm disa javë pasi një samit në Berlin mblodhi së bashku gjeneralin Haftar dhe kryeministrin al-Sarraj në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit, faza e fundit e së cilës filloi dhjetë muaj më parë kur forcat e Haftarit – të mbështetur ushtarakisht nga Franca, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – u përpoqën të merrnin kryeqytetin, Tripoli. Sarraj, ndërkohë, ka mbështetjen e Kombeve të Bashkuara, Turqisë dhe Katarit. / Euronews-TemA TV /