Është shtatori i 2011-ës: Manchester City sfidon Bayern Munich në Champions. Mancini fton Tevez të futet në fushë, por merr një “jo” të thatë nga ana e Apache. Një sherr i paharrueshëm, për të cilin Tevez është kthyer të flasë nëntë vite më pas.
“Më vjen keq për at ë episod të shëmtuar, por e vërteta është se kisha të drejtë”, ka thënë argjentinasi në një intervistë të dhënë për Fox Sports Radio.
“Fakti ishte se luanim në Mynih dhe Mancini kishte zgjedhur Aguero-n si sulmues të vetëm. Po humbnim 2-0 dhe Mancini më tha të filloja nxehjen. Mendova se do të futesha shumë shpejt, por nuk ndodhi kështu”.
“Vrapova për 35 minuta dhe më pas vrapova për 15′ të tjera në pjesën e dytë. Me pak fjalë, kam vrapuar për më shumë se një orë. Më pas jam ndalur. Ai më tha të dilja përsëri në nxehje. Unë i thashë jo, se ishte i çmendur. Më pas ka thënë se nuk doja të luaja”.
Versioni i Tevez mbështetet edhe nga Lee Chapman, “dëshmitar” i skenës dhe magazinieri i City-t në atë kohë. “Tevez nuk ka refuzuar të futet në fushë, por nuk donte të bënte nxehjen sepse e kishte bërë. Mancini i ka thënë se nuk do të luante më me City-n”.
Më pas, pas katër muajsh, ata fituan titullin bashkë. Gjithsesi, Tevez nuk ka harruar, edhe pse është penduar për gjestin…