Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Kinë ka arritur në mbi 900, ndërsa një rritja e rasteve në Britani bëri që qeveria britanike të deklarojë virusin një “kërcënim serioz dhe të menjëhershëm” për shëndetin publik.
Zyrtarët kinezë të shëndetit raportuan 97 vdekje të reja të dielën, duke e çuar në 908 numrin e përgjithshëm të vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi. Sipas zyrtarëve shëndetësorë janë raportuar 3.062 raste të reja të virusit, duke i dhënë fund prirjes shumë ditëshe të rënies së numrit të rasteve që kishte sjellë shpresat se masat e kontrollit do të funksiononin.
Britania raportoi të hënën katër raste të reja, duke e sjellë në gjithsej tetë numrin e personave me koronavirus. Ministri britanik i Shëndetësisë Matt Hancock shpalli virusis një kërcënim për publikun për t’i dhënë qeverisë më shumë fuqi për të izoluar njerëzit në përpjekjen e saj për të shmangur përhapjen e tij të mëtejshme.
Në Japoni, një anije turistike mbetet në karantinë në Yokohama me 66 raste të reja të raportuara të hënën, më shumë sesa dyfishi i numrit të rasteve të njohura në bord.
Anija Diamond Princess (Princesha e Diamantit) u urdhërua të mbetet e izoluar javën e kaluar pasi një pasagjer i saj, i cili zbriti nga anija në Hong Kong rezultoi se ishte prekur nga koronavirusi.
Epiqendra e shpërthimit të koronavirusit është në provincën Hubei të Kinës, ku miliona mbeten të izoluar në karantinë dhe njerëzit po ankohen për mungesa ushqimore.