Bojkotohen moshat dhe në Superiore luajnë adoleshentë nga halli, por FSHF kërkon kampionat për U21

10 Shkurt 2020, 19:27Sport TEMA

FSHF vazhdon të tregoj ditë pas dite se është e shkëputur, ose nuk i interesojnë realisht problemet që ka aktualisht futbolli shqiptar.

Idetë e saj janë shumë larg asaj që është situata reale në vendin tonë për këtë sport dhe këtë e tregon edhe propozimi më i fundit që po shqyrtohet nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.

Në mbledhjen e sotme, Ekzekutivi ka diskutuar projektin për të ndërtuar një kampionat për U13 dhe U21.

Normalisht, në çdo vend ku gjërat rrjedhin në normalitet, propozime të tilla do të ishin të mirëpritura, si për të rritur cilësinë e futbollit të moshave, ashtu edhe për t’i dhënë mundësinë ekipeve elitare që të gjenin një sistemim për të rinjtë e tyre para se t’i përgatitnin për ekipin e parë.

Por realiteti aktualisht në Shqipëri është se çdo javë ka bojkote masive në kampionatet e moshave të cilat janë me “kontribut vullnetar”, ka klube që hapin skuadra të tilla vetëm sa për t’u regjistruar sipas rregullores së FSHF e mbi të gjitha, nuk ka terrene të përshtatshme ku ata të ushtrojnë këtë sport, sidomos kur bëhet fjalë për mosha si U13 për të cilat duhet të ketë shumë kujdes.

Sa i përket U21, situata është edhe më paradoksalë. Kjo, për shkakun e thjeshtë se ka klube të cilat për shkak të keqmenaxhimit që i është bërë futbollit në vendin tonë, po përdorin lojtarët e akademive në ekipet e para, jo thjesht nga cilësia, por se nuk kanë zgjidhje tjetër.

Pastaj, të mos harrojmë se klubet elitare krijuan ekipet B pikërisht për këtë arsye e fakti se disa prej tyre i shpërbënë më pas këto ekipe, qartësisht tregon se interesi për një kampionat të kësaj grupmoshe nuk është real dhe nuk do të përballohej financiarisht nga klubet.

Me pak fjalë, do të ishte thjesht një statistikë për t’u përmendur në bilancet vjetore të “sukseseve” të FSHF-së, shkruan “Vip Sport”.

Shumë të tilla do të dëgjohen në Asamblenë e radhës të institucionit të futbollit, e caktuar të mblidhet më datë 9 prill në Tiranë.

Aty me siguri iniciativa të tilla do të vlerësohen si një ide brilante, edhe pse nuk kanë asnjë lidhje me realitetin që po përjeton futbolli shqiptar aktualisht.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje