Donald Trump emëron Richard Grenell në krye të Inteligjencës Amerikane

20 Shkurt 2020, 10:01Bota TEMA
Donald Trump emëron Richard Grenell në krye të Inteligjencës

Grenell është aktualisht ambasadori i SHBA-së në Gjermani, si dhe i deleguari i posaçëm i Trump-it për dialogun Kosovë-Serbi.

“Jam i kënaqur të njoftoj se Ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, Richard Grenell, do të bëhet Drejtor në Detyrë i Inteligjencës Kombëtare. Rick (Richard Grenell) ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe mezi pres të punoj me të. Unë do të doja të falënderoja Joe Maguire për punën e mrekullueshme që ai ka bërë, dhe ne mezi presim të punojmë me të nga afër, mbase në një kapacitet tjetër brenda Administratës!”- shkruan Trump në Twitter.

Washington Post shkruan se është ende e paqartë nëse presidenti Trump synon ta emërojë Grenell-in në postin e lartë në Inteligjencë në një bazë permanente, gjë e cila do të kërkonte konfirmimin e Senatit.

Emërimi i Grenell-it befasoi shumë njerëz në Uashington. Grenell, një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit dhe ekzekutiv i komunikimeve, ka qenë një person i besuar dhe këshilltar ad hoc i Trump-it për çështjet përtej punës së tij si ambasador në Berlin.

Ai është një konservator i politikës së jashtme dhe njëherësh mjaft kritik i mediave, si dhe një mbështetës i fortë i Trump-it në mediat sociale. Grenell ka ngjallur polemika në rolin e tij diplomatik, por gjithashtu ka fituar shumë lavdërime në Gjermani dhe gjetkë për marrjen përsipër të çështjeve të tilla si të drejtat e homoseksualëve në Europën Lindore dhe tensionet e gjata midis Kosovës dhe Serbisë.

Grenell do të ishte anëtari i parë homoseksual i kabinetit të Trump. Ai nuk i është përgjigjur ende një kërkese për koment.

Sipas Washington Post, Trump po shtyhej deri tani nga disa zyrtarë në bashkësinë e inteligjencës për të emëruar drejtorin aktual të shërbimit të inteligjencës, Joseph Maguire, për të marrë detyrën permanente.

Por presidenti është i fiksuar në emërimin e njerëzve që ai i beson se janë besnikë ndaj tij. Në një deklaratë për mediat, Maguire tha se “ka qenë nder të punoj së bashku me burrat dhe gratë e komunitetit të inteligjencës” dhe shtoi se ai ishte “i përkushtuar për t’i udhëhequr ata derisa ambasadori Grenell të marrë rolin”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje