Si u bënë "refugjatët" shefa të një restoranti mjaft të njohur në Madrid

1 Mars 2020, 16:48Lifestyle TEMA

Hala dhe Aleks kanë mësuar të gatuajnë me nënën e tyre, ndërsa Joli përgatiste vaktet për familjen e saj të madhe. Të detyruar të largoheshin nga Siria, Sudani dhe Venezuela, që të tre arritën të bëheshin shefa në një restorant që ka marrë emër këto kohët e fundit në Madrid dhe që kërkon të përcjellë një imazh pozitiv për refugjatët.

Në kuzhinë, të veshur me përparëse të zeza, shkruar mbi to me shkronja të mëdha në ngjyrë portokalli emrin e restorantit ”Refusion”, ata përgatisin specialitete të vendeve të tyre respektive, musaka siriane, kafta sudaneze dhe tekuenos venezuelase.

Pasi erdhën në Spanjë për arsye të ndryshme – Hala për shkak të konflikteve në Siri, Aleks për faktin se është transseksuale dhe Joli për shkak të krizës në Venezuelë – ata gjetën në këtë restorant një punë fikse.

“Unë jam transseksuale, me ngjyrë, refugjate, është e vështirë të gjesh punë, unë shisja qofte në rrugë për të mbijetuar”, tregon 24-vjecarja me flokët gërsheta, e lindur në Sudan, Alex Medina.

“Jam e lumtur, e qetë, punoj, vishem si të dua dhe përgatis pjatat e mia me dashuri”, thotë Alex, e cila ka mësuar të gatuajë me nënën e saj në Kartum, por iu desh të largohej nga vendi para tre vitesh nga frika për jetën.

Të ndryshojmë gjuhën e urrejtjes

”Refusion’ u krijua nga njerëzit që donin t’u ofronin një punë të qëndrueshme personave që nuk janë të qëndrueshëm nga ana ekonomike, psikologjike, shoqërore, nga njerëz që vendosën t’u jepnin një mundësi refugjatëve që duan të punojnë në kuzhinë”, shpjegon Hala Doudieh, 29 vjeçe, një grua e re, e qeshur, me sy të zinj e të mëdhenj, që ka ardhur nga Damasku me familjen e saj.

Pesë themeluesit e restorantit, që hapi dyert në mes të vitit 2019, janë vullnetarë të ojq-ve ”Madrid For Refugees”, që ndihmon refugjatët të integrohen në Spanjë dhe organizon mbrëmjet  me temë “Kuzhina solidare”, gjatë së cilës një emigrant të mëson kuzhinën e vendit të tij. 

“Qeveria jonë u jep atyre një dokument për refugjatët, por nuk i ndihmon që të integrohen më pas ose i ndihmon shumë pak”, shpjegon spanjollja Elena Suarez, një nga themelueset.

“Përmes ushqimit, ne duhet të ndryshojmë sadopak gjuhën e urrejtjes për refugjatët në Spanjë, shteti i tretë në Europë për numrin e kërkesave për azil, sipas Eurostatit”, shton ajo.

“Ne përpiqemi të mos frikësohemi nga ajo që ndodh dhe nga partitë e reja”, siguron ajo duke nënkuptuar VOX, partinë e ekstremit të djathtë, që kohët e fundit është bërë forca e tretë politike e vendit.

Një bekim

”Fillimi ishte i ngadaltë, restoranti ka qenë edhe në atë pikë që të mbyllej. Por, në janar, një gazetë spanjolle publikoi një artikull dhe numri i klientëve befas u rrit”, shpjegon amerikania, Christina Samson, një tjetër themeluese.

Më pas, tryezat e restorantit, dekoruar me flamuj të kombësive të klientëve, janë pothuajse gjithmonë të zëna dhe ndonjëherë shefat e kanë mjaft të vështirë t’u përgjigjen porosive nga shtëpia.

”Vendi është super. Jam me të vërtetë e lumtur të shoh se po ecën mirë, që kjo u pëlqen njerëzve dhe që ushqimi është i shijshëm”, buzëqesh Paula Lajarin, një tatuazhiste 26-vjeçare që vjen shpesh me babain e saj, madje për të porositur qoftet e përgatitura nga Hala.

Falë kërkesës së lartë, u punësuan dy asistentë në kuzhinë, një 22-vjeçar nga Venezuela që mbërriti në tetor dhe një 19-vjeçar nga Maroku që hyri në Spanjë katër vite më parë me autobus nga qyteti autonom spanjoll i Ceutës, në veri të Marokut.

“Për mua ishte një bekim të hyja në këtë grup, dua të lë një imazh shumë të mirë për të gjithë ata që vijnë dhe që t’u ofrohet e njëjta mundësi”, tha Yolanda Medina, 52 vjeçe, që gatuan vakte të bollshme të dielave për familjen e saj të madhe, para se të largohej nga Tokujito, në veri të Venezuelës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje