Nga Gjon Boriçi, Instituti i Historisë-Akademia e Studimeve Albanologjike
Një pjesëz nga studimi mbi konfrontimin Sigurim vs emigracionit politik shqiptar
Fillimi i goditjes së elementit të arratisur
…Një tjetër element që pritej të rriste besueshmërinë e PKSH dhe të qeverisë së saj, ishte edhe fushata e organizuar me peticione dhe telegrame nga populli shqiptar drejtuar qeverisë shqiptare për dorëzimin dhe gjykimin e kriminelëve të luftës. Gjatë të gjithë muajit qershor 1945 janë me qindra telegrame të ardhura në adresë të qeverisë shqiptare në Tiranë nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, ku i kërkohej të bënte presion në qeveritë e vendeve të tjera (veçanërisht atyre perëndimore) për dorëzimin në Shqipëri dhe gjykimin e kriminelëve të luftës të arratisur nga vendi pak para çlirimit të tij.[1] Interesant është fakti se shumica e telegrameve dërguar qeverisë shqiptare në Tiranë vinin nga zonat e jugut të Shqipërisë, aty ku lëvizja nacional-çlirimtare kishte edhe bazën e saj. Vlora, Tepelena, Delvina, Gjirokastra mbanin “rekordin” në dërgimin e telegrameve për qeverinë shqiptare lidhur me kriminelët e luftës të arratisur.[2]
Akti i parë i qeverisë shqiptare ndaj të arratisurve politikë shqiptarë ishte ligji nr. 26 i datës 15 janar 1945 mbi konfiskimin e pasurive të tundshme dhe të patundshme të të arratisurve politikë.[3] Neni (artikulli) 2 i këtij ligji familjeve të të arratisurve u linte vetëm pjesën e domosdoshme për jetesën.[4] Kjo do të thoshte se familjarët e të arratisurve duhej thjesht të mbanin frymën gjallë. Ky ligj nuk do të ishte gjëja e vetme negative që do t’u ndodhte atyre. Gjithashtu, në një shkresë dërguar kryeministrit Hoxha nga ministri i Drejtësisë Manol Konomi, paraqet një projekt-ligj ku detajohet edhe një kategori tjetër personash që kishin bashkëpunuar sipas tij me armikun së bashku me pjesëtarë të tjerë të familjes së tyre.[5] Sipas nenit 3 të këtij projekt-ligji ishte e mundur t’i konfiskohej pasuria një familjeje kur një pjesëtar i saj ishte dënuar si kriminel lufte ose armik i popullit dhe veçan kësaj edhe me konfiskimin e pasurisë.[6]
Elementi i pushtetit komunist shqiptar që kishte marrë detyrën e qeverisjes së qyteteve lidhur me ligjin e mësipërm, kërkonte udhëzime sesi do të procedohej me zbatimin e këtij ligji. Rasti më unikal për këtë, është në Shkodër ku në një letër dërguar kryeministrisë më 11 qershor 1945 Riza Dani kërkonte udhëzime se ç’masa duheshin marrë lidhur me zbatimin e këtij ligji.[7] Përgjigja nga Tirana, erdhi katër ditë më vonë më 15 qershor 1945 me vetëm dy fjali: “Çështja është në studim. Pritni udhëzime”.[8]
Në fakt, ligji i 15 janarit 1945 ishte krejtësisht i paligjshëm pasi nuk ishte miratuar nga parlamenti shqiptar edhe për faktin se një institucion i tillë në Shqipëri nuk ekzistonte dhe se në vend ende nuk ishin zhvilluar zgjedhjet. Që në vitin e parë të pushtetit të saj, PKSH nën drejtimin e Enver Hoxhës po sillej me një arbitraritet të ashpër dhe me dënime kolektive ndaj kundërshtarëve të regjimit që po instalohej në vend. Në vend të ligjit të miratuar në parlament, qeveria kishte ngritur një komision të posaçëm për konfiskimin e pasurive private e cila vetëm në rrethin e Korçës me vendimin e saj datë 25 tetor 1945 kishte tjetërsuar pronat e Selim Mustafa Mborjes me shkakun se ia kishte shitur nipi i tij italianëve.[9] Vetë ministri i Financave Ramadan Çitaku në datën 18 tetor 1945, kërkonte me urdhër të prerë rretheve të gjithë listën e pronave që ishin sekuestruar ose të komunikoheshin arsyet se përse nuk ishin realizuar detyrat e ngarkuara.[10] Në valën e madhe të sekuestrimeve të pasurive kishte edhe raste si ai i Dervish Xhaferrit nga fshati Bashaj i Vlorës i cili ishte konsideruar i arratisur kur në fakt ishte anëtar i ushtrisë nacional-çlirimtare dhe ishte ende efektiv i Batalionit II të Brigadës XXII të divizionit V.[11] Vetë drejtori i Mbrojtjes së Popullit Koçi Xoxe, më datë 3 dhjetor 1945, kishte kërkuar sqarime lidhur me këtë çështje dhe kërkonte zgjidhjen e saj.[12] Gjithashtu, për këtë çështje kishte kërkuar sqarim edhe vetë kryeministri Hoxha.[13]
Megjithatë, lufta e ashpër kundër elementit të arratisur si brenda (në formë ilegaliteti) ashtu dhe jashtë do të merrte përmasa të rënda. Vetë ministri i Brendshëm Haxhi Lleshi, me anë të një shkresë datë 4 korrik 1945, lajmëronte kryeministrinë mbi vdekjet e dhunshme që kishin ndodhur në burgje dhe për këtë nuk ishte vepruar konform neneve 60, 61, 60 dhe 70 të aprovuara nga Komitetit Qendror.[14] Për këtë arsye, për të justifikuar krimet që do të ndodhnin, qeveria shqiptare me vendim e saj nr. 2 të datës 26 janar 1945, kishte vendosur krijimin e Gjyqit Special për të gjykuar kriminelët e luftës me kryetar Koçi Xoxen dhe prokuror të gjyqit Bedri Spahiun.[15] Qeveria shqiptare e aprovoi gjyqin special me vendim nr. 4 të datës 10 mars 1945.[16]
Një vit pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945 dhe me fillimin e konsolidimit të pushtetit komunist, më presidiumi i Kuvendit Popullor dekretoi më datë 22 nëntor 1946 ligjin nr. 358 për kontrollin e pasurive të vëna nga shtetasit shqiptarë gjatë regjimeve të kaluara.[17] Ky ligj i kthente të gjitha pronat e vëna deri në vitin 1944 në prona të shtetit dhe shfuqizonte çdo hipotekë apo detyrim tjetër që mund të rëndonte mbi ato[pronat].[18] Çdo pronë sipas këtij ligji duhet të justifikonte burimin e saj dhe pasi pronari të paraqiste vërtetimin për burimin e ligjshëm të pasurisë së tij, Komiteti Ekzekutiv i prefekturës duhet të bënte hetimet e nevojshme.[19]
Të arratisurit ishin personat që ishin më së shumti në shënjestrën e pushtetit komunist në Shqipëri. Kryeministri Enver Hoxha me qarkoren e datës 22 tetor 1946 kërkonte zbatimin nga çdo prefekturë lidhur me punën e Komisionit për sekuestrimin e pasurive të kriminelëve dhe armiqve të popullit.[20] Kjo qarkore ishte në vijimësi të shkresës së datës 22 prill 1946 lidhur me këtë problem.[21] Sekuestrimet e pronave dhe të hollave dhe të pronave bëheshin të gjitha në emër të popullit ndaj pronarëve të ndryshëm.[22] Në këto veprime, Sigurimi i shtetit ishte më i angazhuari për zhvatjen e floririt pronarëve.[23] Një tjetër problem që i paraqitej pushtetit komunist nëpërmjet sekuestrimeve ishte edhe përvetësimi nga ana e punonjësve të Sigurimit të shtetit të sendeve të sekuestruara.[24]
Informacionet e para për emigracionin politik shqiptar në vendet e perëndimit
Që më datë 16 janar 1945, misioni ushtarak shqiptar pranë Komandës aleate në Bari të Italisë, dërgoi një informacion të detajuar lidhur me gjendjen e të arratisurve në Itali.[25] Në letrën e nënshkruar prej n/Kolonel Kadri Hoxhës, Enver Hoxha njoftohet se ishte themeluar në Romë prej të arratisurve shqiptarë, Partia Agrare Anti-Komuniste[më tej: PAAK]”.[26] Sipas këtij informacioni, kjo organizatë kishte mundur të ndikonte në të gjithë shqiptarët e Italisë së çliruar.[27] Sipas informatave, kjo organizatë e tregonte veten si forcë opozitare ndaj Frontit Nacional-Çlirimtar dhe kishte vendosur lidhje të shumta me shqiptarët në Itali, Amerikë, Egjipt dhe Turqi.[28]
Propaganda që kishte filluar të bënte partia Agrare Anti-Komuniste nuk kishte sesi të mos ta shqetësonte Enver Hoxhën. Propaganda se në Shqipëri nuk ekzistonte asnjë parti tjetër përveç asaj komuniste ishte një kambanë e madhe alarmi për pushtetin e sapo marrë nga PKSH-ja. PAAK e akuzonte PKSH-në se refuzonte ndihmat e UNRRA-s dhe se imitonte Jugosllavinë e cila ishte e lidhur fund e krye me Bashkimin Sovjetik dhe rrjedhimisht edhe Shqipëria do të renditej në politikën pan-sllave.[29] Informacioni që e shqetësoi më shumë Enver Hoxhën ishte se kjo parti që në letër quhet gjithmonë organizatë, kishte si detyrë të kthehej në Shqipëri dhe të formonte opozitën.[30] Fillimi i ndjekjes së vijës jugosllave dhe rrjedhimisht sovjetike nga ana e PKSH-së padyshim që do të kishte vëmendjen e aleatëve perëndimorë në drejtim të të arratisurve shqiptarë. Po sipas informacionit të dërguar nga n/Kolonel Hoxha, tradhtarët sipas tij mbaheshin nga aleatët në kampin e përqendrimit NI Carbunar dhe trajtoheshin prej tyre [aleatëve] më mirë dhe lejoheshin të dilnin në qytet.[31] Megjithatë, tek elementi i arratisur kishte grindje sidomos në mes të anëtarëve të Legalitetit dhe Ballit Kombëtar.[32] Misioni ushtarak shqiptar në Bari kishte përpiluar lista të sakta të emigracionit shqiptar në Itali dhe ia kishte përcjellë qeverisë në Tiranë për të ditur nëse ndonjë ishte kthyer në Shqipëri në mënyrë “që të fillohej puna me ta”.[33]
Problemi i pushtetit në Shqipëri ishte një ndër gjërat që shqetësonte më shumë Enver Hoxhën. Përveç informacioneve lidhur me krijimin e partive shqiptare jashtë vendit, udhëheqësin komunist shqiptar e shqetësonte edhe deklarata e Mehmet Konicës raportuar Hoxhës nga Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit, seksioni i parë.[34] Sipas informacionit të DMP-së, të arratisurit shqiptarë në Itali ishin ndarë dy kampe, të Barit dhe të Leçes.[35] Këto grupe të arratisurish sipas DMP-së kishin filluar të bënin një aktivitet të dendur kundër Frontit Nacional-Çlirimtar.[36] Të arratisurit shqiptarë vizitoheshin shpesh nga ushtarakë britanikë dhe amerikanë me inkurajimin se së shpejti gjendja në Shqipëri do të ndryshonte.[37] Edhe intelektuali Stavro Vinjau i cili jetonte në Brindizi, mbante hapur sipas informacionit krahun e reaksionit.[38]
Nga informacioni që vinte ne Leçe lidhur me të arratisurit atje sidomos përsa i përkiste ish kryeministrit Eqerem Libohova, nuk ishin të mira. Kjo për faktin se DMP-së i mungonin krejtësisht elementët e përgatitur për të mbikqyrur dhe kontrolluar si duhet elementin e arratisur shqiptar.[39] Po ashtu, nga informatat qe vinin për të arratisurit shqiptarë që gjendeshin në S. Maria di Leuca ishin shpresëdhënëse për qeverinë shqiptare. Në atë kamp gjendeshin sipas informatave 150 tradhtarë dhe se marrëdhëniet midis zogistëve dhe legalistëve ishin të këqia.[40] Në këtë kamp vetë DMP-ja kishte mundur të fuste njeriun e vet (partizanin A.Gj.) i cili kishte marrë vesh diku (pa sqaruar) se Abaz Kupi gjendej i ruajtur nga anglezët në një ndërtesë në Taranto, por se nuk kishte ndonjë informacion tjetër.[41]
Informacionet për të arratisurit shqiptarë që gjendeshin në Itali shqetësonin vazhdimisht Enver Hoxhën pasi aleatët perëndimroë [anglo-amerikanët] kishin filluar të tregonin interesim të hapur për ta dhe se gjërat kishin ndryshuar për mirë në favor të tyre.[42] Nga ky informacion të arratisur shqiptarë në Itali ishin vizituar edhe nga një ministër aleat, por që emri i tij nuk dihej nga agjentët shqiptarë të DMP-së.[43] Ishte e qartë se elementi politik shqiptar i arratisur kishte filluar të organizohej pak e nga pak politikisht. Më datë 24 shkurt në kampin e Barit kishte mbërritur edhe Abaz Kupi me të dy djemtë e tij si dhe Gaqo Gogo dhe Isa Toptani.[44] Gjithashtu, më datë 12 shkurt vetë argjipeshkvi i Barit kishte vizituar në kamp Mit’hat Frashërin dhe i kishte thënë se me urdhër nga Sekretariati i Papës kishte leje të pyeste nëse kishte ndonjë shqetësim dhe të lajmëronte për çdo gjë që do ta kishte të nevojshme.[45]
Përveç Italisë, Franca ishte një tjetër vend ku u përqendrua vëmendja e DMP-së për vitin 1945. Nga informacioni i datës 24 dhjetor 1945 i paraqitur nga DMP, që në shtator 1944 ishte themeluar në Paris Komiteti i shqiptarëve me kryetar Ramazan Shpatin.[46] Ky komitet sipas raportit kishte marrëveshje me aleatët me qëllim që të mblidhnin vullnetarë për të ardhur në Shqipëri së bashku me ushtrinë aleate kur këta të fundit të zbarkonin.[47] Informacioni i ardhur nga informatori M. Ç. i cili kishte ardhur në këtë vit nga Parisi jepte të dhëna shqetësuese për Enver Hoxhë. Ky komitet kishte marrëdhënie të rregullta me Ahmet Zogun dhe kishte përkrahjen e ministrit të Jashtëm francez Bido (Bideaut).[48] Për këtë komitet, DMP-ja kishte treguar kujdes të veçantë pasi vetëm pas dy muajve nga themelimi i tij ishte krijuar brenda këtij komiteti një komiteti i ri nën kryesinë e Zija Bahollit më 2 nëntor 1945.[49] Brenda këtij komiteti ekzistonin dy rryma të cilat ishin qartësisht të ndarë sipas pikëpamjeve politike dhe jo vetëm.[50] Kontrolli i këtij komiteti prej të besuarve të DMP-së ishte një sukses i madh për shërbimin e fshehtë shqiptar i cili ishte në hapat e parë të krijimit të tij.
Propaganda komuniste shqiptare vs propagandës së elementi politik shqiptar të arratisur
Fillimi i propagandës së PKSH-së në drejtim të botës së jashtme fillon me “zbarkimin” e misionit shqiptar në Bari të Italisë në korrik 1944 nën kryesinë e Bedri Spahiut.[51] Detyrë kryesore në lëmin e propagandës e misionit shqiptar në Bari ishte hedhja poshtë e njoftimeve që paraqiste fletushka me titull “Sundimi”që botohej nga aleatët nën drejtimin e zogistit Asim Jakova.[52] Menjëherë delegacioni i misionit shqiptar në Bari kishte filluar të paraqiste anën e vet të medaljes përsa i përkiste qeverisë së re shqiptare. Ky mision krijoi lidhje të drejtpërdrejta me shqiptarët e mërguar në Amerikë, Australi, Egjipt, Turqi, Francë dhe Angli.[53] Interesant është fakti që na paraqitet në këtë dokument se shpërndarja e propagandës së misionit ushtarak shqiptar në Bari bëhej nëpërmjet postës jugosllave.[54]
Problem i rëndësishëm që theksohet në këtë raport ishte përkrahja që kishte siguruar Mehmet Konica nga aleatët perëndimorë në Itali dhe se falë tyre kishte arritur të vendoste autoritetin e tij tek shqiptarët e Italisë.[55] Në raport theksohet gjithashtu se fillimisht njerëzit e Frontit që më përpara e kishin si detyrë t’i bashkonin shqiptarët e Italisë me lëvizjen nacional-çlirimtare dhe që ishin Dr. Kiço Karajani dhe Petro Marko, kishin dështuar në misionin e tyre.[56] Afrimiteti i dukshëm shqiptaro-jugosllav ishte një tjetër çështje që duhej sqaruar nga propaganda komuniste shqiptare në Bari nën drejtimin e Kadri Hoxhës. Kjo për faktin se çështja e Kosovës vijonte të ishte shumë e ndjeshme tek shqiptarët jashtë atdheut dhe se afrimi me Jugosllavinë do të thoshte tradhti ndaj saj [Kosovës].[57]
Hapja e ekspozitave dhe dokumentarët me fotografi që i përkisnin luftës nacional-çlirimtare ishte një tjetër formë e propagandës që synonte PKSH-ja ndaj emigracionit politik shqiptar dhe kolonive shqiptare jashtë.[58] Propaganda ndaj shqiptarëve të Amerikës ishte një tjetër synim që kishte misioni ushtarak shqiptar. Broshurat dhe traktet që filluan të dërgoheshin si gjithmonë nga posta jugosllave dhe puna që u zhvillua me oficerët amerikanë me origjinë shqiptare në Bari ishin një fillim i mbarë për propagandën e PKSH e fshehur nën petkun e luftës nacional-çlirimtare.[59] Ndër revistat më të dërguara nga Shqipëria dhe që misioni ushtarak në Bari i dërgonte për shqiptarët e Amerikës ishin “Bota e Re” dhe “Shqiptarja e Re”.[60]
Misioni ushtarak shqiptar në Bari kishte arritur të gjente edhe adresat përkatëse të shqiptarëve në Egjipt, Turqi, Francë e Itali dhe këtyre u dërgoheshin libra me përmbajtje marksiste.[61] Ishte e rëndësishme që propaganda e PKSH nëpërmjet misionit shqiptar në Bari t’i drejtohej edhe audiencës së huaj dhe për këtë arsye fillon e botohet buletini në gjuhën frënge “Nouvelles de l’Albanie-të reja nga Shqipëria”. [62] Ky buletin fillimet e tij i ka në periudhën shtator 1944-janar 1945.[63] Prej fillimit të vitit 1945 e deri në vitin 1946, propaganda e misionit ushtarak shqiptar në Bari i kushtoi vëmendje të veçantë lidhjes së Agjencisë Telegrafike Shqiptare me agjencitë telegrafike të huaja sidomos me agjencinë ANSA të Italisë për përcjelljen e lajmeve nga Shqipëria.[64] Synimi ishte që të vijohej të thellohej përçarja ndërmjet elementëve të emigracionit shqiptar në Itali dhe jo vetëm. Madje, dhe agjencia e madhe amerikane e lajmeve (International News Service) merrte lajmet për Shqipërinë nga misioni ushtarak shqiptar në Bari.[65] Megjithatë misioni shprehte trishtimin se gati të gjitha lajmet që merreshin prej tij për t’u transmetuar prej këtyre dy agjencive transmetoheshin të përgjysmuara.[66] Shqipëria shpesh paraqitej si vasale e Jugosllavisë nga agjencia Rojters (Reuters) pasi shumicën e lajmeve e merrte nga agjencia jugosllave e lajmeve TANJUG.[67] Këtë informatë, misioni ushtarak shqiptar në Bari e justifikonte me lidhjen e ngushtë që ekzistonte asokohe ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë.[68] Të gjitha këto informacione, përpiqeshin të shfrytëzoheshin në maksimum prej emigracionit politik shqiptar të cilët e konsideronin Shqipërinë si një vend të drejtuar nga Beogradi dhe Moska, armike të vendeve perëndimore.[69] Vetëm shtypi komunist italian me gazetën “Unitá” e fletorja “Avanti” shkruanin mirë për Shqipërinë.[70]
Propaganda komuniste e PKSH nëpërmjet misionit ushtarak kishte përballë një propagandë të fortë të elementit shqiptar të arratisur ku emrat më të spikatur që shkruanin kundër qeverisë komuniste shqiptare ishin Asim Jakova, Mehmut Cungu, Xhemal Farka, Alfred Antoni.[71] Lufta propagandistike ndërmjet pushtetit komunist në Shqipëri dhe elementit politik shqiptar të arratisur ishte gjithnjë e fortë. Shqipëria edhe pse ishte një vend i varfër, përsëri propaganda komuniste nuk rezervohej në pagimin e shumave të konsiderueshme për kohën për t’i bërë të ditur botës perëndimore lajmet nga Shqipëria.[72] Ishte e ditur se ekonomikisht agjencitë telegrafike në Itali vareshin të gjitha prej instituteve bankiere, shoqërive anonime, organizatave politike, dhe sipas relacionit, edhe Vatikani i ndihmonte së jashtmi.[73]
Megjithë dobësitë e dukshme të propagandës zyrtare shqiptare, përsëri ajo ishte padiskutim më e organizuar dhe më e përgatitur nga propaganda e elementit të arratisur shqiptar. Sipas një informacioni të datës 22 mars 1946, DMP-ja njoftonte se shqiptarët e arratisur në Itali mjaftoheshin vetëm me nxjerrjen e një broshure dhe propaganda e tyre ishte thjesht propagandë kafeneje.[74] Ndarja politike e tyre i bënte kontradiktorë në qëndrime.[75] Vetëm Balli Kombëtar dukej sikur ishte më konsekuenti veçanërisht në denoncimin e lidhjes së Shqipërisë me Jugosllavinë.[76]
Nga ana tjetër, anëtarët e Legalitetit ishin lajmëruar nga Abaz Kupi se kishte marrë urdhër nga Ahmet Zogu që të mos lëviznin në asnjë mënyrë nga Italia.[77] Gjithashtu, me koloninë e të ikurve shqiptarë në Francë, Ahmet Zogu sipas informatave të DMP-së u dërgonte ndonjë ‘kockë’ dhe i porosiste që të mbanin lidhje me të arratisurit shqiptarë në Itali.[78] Problemi i vërtetë që kishte propaganda shqiptare kishte të bënte vetëm me ndihmën që merrte elementi shqiptar i arratisur nga aleatët anglo-amerikanë.[79] Sipas agjentëve shqiptarë të DMP-së në Bari, edhe qeveria italianë së fundmi kishte filluar të mbante hapur krahun e reaksionarëve shqiptarë të arratisur dhe madje kishte filluar t’i ndihmonte edhe materialisht.[80] Ministria e Luftës e Italisë kishte filluar madje t’u paguante rroga të gjithë oficerëve shqiptarë që kishin bërë pjesë dikur në kuadrot e ushtrisë italiane gjatë pushtimit dhe madje do të propozonte edhe një dekret-ligj ku do të autorizohej marrja në shërbimin ushtarak e të gjithë oficerëve shqiptarë që gjendeshin në Itali.[81] Jo vetëm kaq, por bankat italiane kishin filluar të pranonin shkëmbimin në lira deri në 400 franga shqiptare (1 fr.shq.=6.25 lira).[82] Monedha duhet të ishte e pa vulosur me stemën e re dhe personi që paraqitej për të kryer këmbimin, duhej të vërtetonte se kishte qenë në Shqipëri dhe se këto të holla i kishte sjellë ose i kishte patur pas 8 shtatorit 1943.[83]
DMP kishte arritur që të kishte akses tek shqiptarët e Parisit (numri i tyre në total 150 vetë) dhe pjesën më të madhe të tyre e kishin simpatizantë të PKSH dhe ishte grup i lidhur me partinë komuniste franceze.[84] Emigracioni politik shqiptar ishte në amulli të plotë. Përpjekja më e dukshme për të organizuar emigracionin politik ishte ajo e Ahmet Zogut ku sipas informacioneve të Sigurimit të shtetit në vitin 1947 ai [Zogu] i bën thirrje Ali Këlcyrës, Mehdi Frashërit, Sali Myftiut, Gjon Markut, Mit’hat Frashërit që të shkonin ta takonin në Egjipt për të krijuar kryesinë e emigracionit.[85] Në informacionin e datës 26 prill 1947, Sigurimi i shtetit jep detaje për lidhjet e reaksionit shqiptar me Vatikanin, Zogun, me reaksionin italian, me grekët e arratisur dhe me anglo-amerikanët.[86] Në gjithë këtë informacion të gjatë nga ana e Sigurimit, shikohet një përpjekje e madhe për të bashkuar në një emigracionin politik shqiptar.[87] Megjithë përpjekjet për bashkim të tre grupet kryesore të emigracionit politik shqiptar punonin të shkëputur nga njëri-tjetri.[88] Kjo përçarje sipas Sigurimit bënte që gjendja ekonomike e emigracionit politik shqiptar keqësohej përherë e më shumë sa “mezi rronin”.[89] Madje, sipas Sigurimit, puna kishte shkuar deri atje sa ata [emigranët] kishin lënë të kuptohej se nëse do të kishte amnisti ishin gati të ktheheshin në Shqipëri.[90]
Në botën perëndimore informacionet mbi terrorin në Shqipëri nuk mungonin dhe imazhi i saj si vend diktatorial nxinte. Ky fakt vërtetohet nga një letër sekrete dërguar nga ministri i Jashtëm Behar Shtylla, Komitetit Qendror të PPSH-së mbi informacionin që ishte shpërndarë në Nju Jork në selinë e OKB-së mbi punën e detyruar në Shqipëri.[91] Raporti është i datës 2 shtator 1954 dhe titullohet “Evidenca e punës së detyruar në Shqipëri”.[92] Në fletët 6 dhe 9 jepen detaje të hollësishme mbi punën e detyruar që ushtrohej mbi të burgosurit politikë dhe në kampet e përqendrimit në Shqipëri.[93] Në raport shkruhej se qeveria shqiptare nuk bënte asnjë tentativë që të fshihte faktin e punës së detyruar të imponuar kundërshtarëve politikë shumica e të cilëve ishin nga ish klasa borgjeze ose pronarë tokash.[94] Në raport theksohej fakti se krijimi policisë popullore më ligjin nr. 372 datë 12 dhjetor 1946, ngarkonte autoritetet policore të arrestonin individë dhe t’i dërgonin në burgje e kampe për punë të detyruar.[95] Sipas raportit, më 13 gusht 1947 në radio Tirana ishte dhënë njoftimi se qeveria shqiptare kishte vendosur të çonte në punë të detyruar të gjithë personat që i kishin shërbyer regjimeve anti popullore dhe që mund të ishin pa punë dhe të gjithë të çoheshin në ndërtim.[96]
Shumica e të dënuarve politikë në Shqipëri ishin vendosur në kampe përqendrimi dhe punë të rëndë të detyrueshme përpara se të aprovohej Kodi Penal i vitit 1952 dhe të gjithë ishin dënuar nga gjykatat ushtarake duke filluar nga ngritja e tyre në janar 1945.[97] Interesant është fakti se në raport jepen hollësi të jashtëzakonshme mbi kampet e punës së detyruar (që në raport quhen kampet e vdekjes) në Burrel, Beden, Maliq dhe Vloçisht.[98] Shumë nga të dhënat që paraqiteshin në këtë raport ishin marrë nga drejtori i Byrosë së Statistikave të Shqipërisë në zyrën Shtetnore të Hetimeve, i cili ishte arratisur më 1948, dhe kishte deklaruar se deri në fund të vitit 1947 se në Shqipëri kishte 18.000 të burgosur politikë.[99] Sipas Skëndër Dumes i cili para arratisjes në Greqi në vitin 1951, kishte kaluar pesë vjet në këto kampe, kishte deklaruar se në Shqipëri kishte 10 burgje politike ku mbaheshin 10.000 njerëz në kushte të tmerrshme.[100]
Internimet e familjeve të të burgosurve politikë është një tjetër informacion që jepet në këtë raport. Qëllimi fillestar i kampeve të internimit ishte shpërngulja e familjeve të klasave të larta me qëllim që t’i ziheshin shtëpitë nga anëtarët e nomenklaturës komuniste në pushtet.[101] Për të shmangur arratisjet jashtë shtetit, në kampe internimi dërgoheshin të gjithë njerëzit e dyshuar dhe familjet e tyre. Shembulli tipik për këtë është kampi i internimit i Tepelenës dhe i Himarës.[102] ….
Bibliografia
[1] AQSH, F. 490/Këshilli i Ministrave [më tej: KM], V. 1945, D. 61, fl. 1-17. Telegrame drejtuar Qeverisë Demokratike Shqiptare, mbi dorëzimin dhe gjykimin e kriminelëve të luftës.
[2] Po aty.
[3] AQSH, F. 490/KM, V. 1945, D. 141, fl. 1. Ligj mbi konfiskimin e pasurive të tundshme dhe të patundshme t’arratisurve politikë.
[4] Po aty.
[5] Po aty, fl. 2. Tiranë, më 1.X.1945.
[6] Po aty, fl. 3.
[7] AQSH, F. 490/KM, V. 1945, D. 142, fl. 2. Kërkesë nga Riza Dani sesi duheshin marrë masat për sekuestrimin e pasurisë së Musa Jukës e të tjerëve të kësaj kategorie.
[8] Po aty, fl. 2.
[9] Po aty, fl. 6.
[10] Po aty, fl. 9. Qarkore e ministrit të Financave Ramadan Çitaku dërguar komiteteve ekzekutivë të Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Beratit, Vlorës, Gjirokastrës, Korçës, Shkodrës, Kukësit dhe Peshkopisë. Tiranë, 18.X.1945, Nr. Prot. 2586/XI.
[11] Po aty, fl. 10.
[12] Po aty.
[13] Po aty, fl. 11, 13.
[14] AQSH, F. 490/KM, V. 1945, D. 285, fl. 1. Mbi vdekjet me dhunë në burgje dhe te komandat ushtarake.
[15] AQSH, F. 490/KM, V. 1945, D. 312, fl. 1. Mbi krijimin e gjyqit special për të gjykuar kriminelët e luftës. Përbërja e tij ishte: Prokuror i Gjyqit: Gjeneral-Major Bedri Spahiu; Kryetar: Gjeneral-leitnant Koçi Xoxe; Anëtarë: Kolonel Hysni Kapo; N/Kolonel Beqir Balluku; Kapiten I Kl.II Hajdar Araniti; Partizan Gaqo Boboshtica; Dr. Medar Shtylla, ministër i Ekonomisë; Faik Shehu, anëtar i Këshillit Ant.N.Ç.; Halim Budo, Gjykatës, Sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë; Gaqo Floqi, Gjykatës.
[16] Po aty, fl. 2.
[17] AQSH, F. 490/KM, V. 1946, D. 232, fl. 1. Dekret-ligj i Kuvendit Popullor mbi konfiskimin e pasurive të vëna gjatë regjimeve të kaluara prej funksionarëve dhe sipërmarrësve të shtetit me materialin përkatës.
[18] Po aty.
[19] Po aty.
[20] AQSH, F. 14/KM, V. 1946, D. 252, fl. 6. Pjesë nga qarkorja e Enver Hoxhës: “Komisioni i Kontrollit të Shtetit na njofton se deri më sot nuk keni marrë asnjë vendim për konfiskimin e pasurive të kriminelëve të luftës dhe armiqve të popullit të qarkut tuaj. Nga kjo kuptohet se nuk jeni duke treguar ndonjë interesim për sistemimin e këtij problemi me rëndësi, mosinteresim ky që vjen në kundërshtim edhe me Dekret Ligjën nr. 249 datë 29.5.1946, që disponon të përfundohen sa më parë konfiskimet”.
[21] Po aty, fl. 1.
[22] AQSH, F. 14/KM, V. 1946, D. 257, fl. 2. Sekuestrim pasurie dhe të hollash.
[23] Po aty, fl. 3. “Për të na dhënë sqarime ekzakte se si qëndron çashtja, bashkangjitun ju dërgojmë një letër, drejtue kësaj Kryeministrije nga z. Sami Vrioni, banues në Fier, me të cilën ankohet se organet e Sigurimit të Shtetit n’atë qytet i kanë marrë të gjitha të hollat n’ar e n’argjent që ka patur. Përfundimi të na njoftohet”. Tiranë, 14 gusht 1946.
[24] Po aty, fl. 4. Njoftim nga Prokuroria e Përgjithshme: “Kemi konstatuar se kur u bie rasa të sekuestrohet prej organeve të Policisë vegla, maqina ose sende të tjera të ndryshme, për shkak se zotnuesit e tyre kanë shkelur ligjin ose ndonjë urdhëresë të Pushtetit, këto sende nuk mbahen në dispozicion të Gjykatës Ushtarake kompetente si e don puna, gjer në dhënien e vendimit definitiv, po quhen si të konfiskuara dhe administrata e interesuar vë dorë menjëherë në to dhe i merr në posedim”. Tiranë, më 4 shtator 1946.
[25] Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme[më tej: AMPB]/Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit[më tej: AIDSSH], Drejtoria e Zbulimit e Emigracionit Reaksionar, Viti [më tej: V.] 1945, Dosja [më tej: D.] 50, fl. 1. Letër dërguar Enver Hoxhës nga Misioni Ushtarak Shqiptar në Bari nga N/Kolonel Kadri Hoxha. Bari, 16 janar 1945.
[26] Po aty. Pjesë nga letra e Kadri Hoxhës: Përpara se Atdheu të çlirohesh i gjithi nga okupatori, e pikërisht mbas pak javësh që mbërriti Misioni këtu, u formue nji organizatë, “Partia Agrare Anti-Komuniste” me qendër në Romë; ishte e përmbame prej Zef Sereqit, Xhemil Dinos, Nebil Dinos ish federal i Tiranës, Jak Koçit krah i djathtë i Jakomonit, Ferit Dervishit zogist, Ymer Fortuzit, Haki Korçës student në shkenca politike, Namik Resuli ish Federal i Tiranës, Ymër Sharra ish profesor në Teknike të Tiranës dhe Don Franko Karma spiun italian e Asim Jakova ish deputet i Zogut. Kjo organizatë, lindun dhe e përkrahun prej Inglizve, Amerikanëve dhe Vatikanit, propagandonte sistematikisht e me stil të gjanë kundra Lëvizjes Nacional Çlirimtare në Shqipni”.
[27] Po aty.
[28] Po aty.
[29] Po aty.
[30] Po aty. Pjesë nga letra: “Nji detyrë tjetër e kësaj organizate asht që anëtarët e kësaj të kthehen në Shqipni dhe të formojnë opozitën; dhe një detyrë tjetër asht që disa prej tyne të bashkëpunojnë me reaksionin jugosllav dhe sidomos me atë grek”.
[31] Po aty, fl. 4.
[32] Po aty.
[33] Po aty.
[34] Po aty, fl. 6, 7. Deklarata e Mehmet bej Konicës nuk ka datë. Informacioni i dërguar nga Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit [DMP] është e datës 1 fruer[shkurt] 1945.
[35] Po aty, fl. 7.
[36] Po aty.
[37] Po aty, fl. 8.
[38] Po aty.
[39] Po aty, fl. 9. Raporte informative nga Bari për shqiptarët e arratisur që gjendeshin në Leçe. 3 shkurt 1945.
[40] Po aty.
[41] Po aty.
[42] Po aty, fl. 10. Shënime nga një letër e ardhur nga Italia më datë 12 shkurt 1945. Tiranë, 15 shkurt 1945.
[43] Po aty.
[44] Po aty, f. 12. Më datë 11/II/1945 u suallën në kamp Abaz Kupi me të dy djemtë me Gaqo Gogon dhe me Isa Toptanin.
[45] Po aty.
[46] AMPB/AIDSSH, Zbulimi Politik, V. 1945, D. 83. fl. 9. Raport mbi veprimtarinë politike të shqiptarëve me banim në Francë. Komiteti i Shqiptarëve kishte sekretar Nuçi Kotën, sekretar dhe anëtar Sefedin Çollakun dhe Androkli Filipeun.
[47] Po aty.
[48] Po aty.
[49] Po aty. Pjesë nga raporti: “Komiteti i shtatorit 1944 mbas dy muajve u rrëzua prej shokëve tanë dhe u formua një komitet nën kryesinë e Zija Bahollit. Ramazan Shpati, Nuçi Kota dhe të tjerë kundërshtarë, të inatosur nga kjo gjë kanë bërë çështë e mundur për të sabotuar veprën e Komitetit, aq sa na kanë spiunuar tek policia franceze duke thënë se është një komitet komunist dhe kanë sabotuar njohjen zyrtarisht të këtij komiteti.
[50] Po aty. Pjesë nga raporti: “Të organizuarit në grup të Partisë lidhur edhe me PKF (partia komuniste franceze) ishin Et’hem Shushi, Thanas Çami, Murat Kaludhi, Petro Seka, Duro Shehu, Gani Zhapova, Petro Kallanxhi, Mihal Berati, Muharrem Gjirokastra, Halil Çami, Veli Deti. Elementi kundërrevolucionar përbëhej prej: Nuçi Kota, Milto Noçka, Sefedin Çollaku, Halil Tirana, Androkli Filipeu (dhëndër i Koço Kotës), Maliq Çami, Ramo Kallajxhi, Xhaferr Zhapova, Hamdi Tepelena, Ferit Shpata (i besuar i Iljaz Vrionit në legatën shqiptare në Paris), Ali Kuçi”.
[51] AMPB/AIDSSH, Drejtoria e Zbulimit Politik, V. 1946, D. 87.fl. 1. Relacion i hollësishëm mbi aktivitetin e Misionit Ushtarak Shqiptar në Bari në drejtim të shtypit dhe të propagandës të Shqipërisë në Itali për botën e jashtme dhe shqiptarët jashtë atdheut. Përgjegjësi i seksionit të shtypit në Bari, Kol Berisha. Tiranë, 15 korrik 1946.
[52] Po aty.
[53] Po aty, fl. 2.
[54] Po aty.
[55] Po aty, fl. 3.
[56] Po aty.
[57] Po aty, fl. 4. Pjesë nga relacioni: “Çështja delikate e Kosovës, arma më e fortë e reaksionit shqiptar e të huaj është cekur dendur me urtësinë e taktin që meritonte një çështje e këtillë në fillim kur ishte ende pa u zgjidhur, dhe si definitivisht të zgjidhur pastaj sipas dëshirës e vullnetit Sovran të popullsive shqiptare e jugosllave të Kosovës e Metohisë”.
[58] Po aty.
[59] Po aty, fl. 5.
[60] Po aty.
[61] Po aty, fl. 6.
[62] Po aty, f.
[63] Po aty.
[64] Po aty.
[65] Po aty, fl. 7.
[66] Po aty.
[67] Po aty.
[68] Po aty.
[69] Po aty, fl. 8.
[70] Po aty, fl. 16.
[71] Po aty, fl. 17.
[72] Po aty, fl. 18. Pjesë nga relacioni: “Është kërkuar një fond prej 60.000 lira për botimin e Statutit të Republikës Popullore të Shqipërisë, të përkthyer në italisht, dhe kopja e përkthyer ka mbetur në Itali pa u botuar. Është përkthyer e botuar në çiklostil “Historia Diplomatike e Epirit të Veriut” në njëqind kopje me 47 faqe. Kjo histori u është dërguar të gjitha fletoreve italiane e të huaja si dhe një shumice miqsh dhe shokësh italianë. Për këtë broshurë janë shpenzuar vetëm 1000 lira mbasi ka ndihmuar vullnetarisht një shok italian gazetar i quajtur Dott. Bonito Salvo”.
[73] Po aty, fl. 19. “Është e natyrshme që këto agjenci mos t’i botojnë fare ose t’i botojnë ashtu siç u pëlqen reaksionit lajmet mbi Shqipërinë dhe vendet ballkanike. Lajmet tona mbi reformat e mëdha, si reforma agrare, informatat mbi sukseset e shumta të korrura prej pushtetit në çdo fushë të aktivitetit shtetnor, o janë botuar me kursim të madh ose janë lënë mënjanë. Agjencive u interesonin vetëm lajme mbi incidentet në kufirin greko-shqiptar, mbi prodhimin e vajgurit dhe lajme me karakter ekonomik”.
[74] AMPB/AIDSSH, Fondi 6, V. 1946, D. 88, fl. 4. Mbi shqiptarët reaksionarë në Itali.
[75] Po aty. Pjesë nga raporti: “Në disa sundon shpresa se gjendja në Shqipëri të paktën brenda katër muajve do të ndryshojë; disa të tjerë, edhe pse kanë marrë vesh se K. Ndërkombëtar jep leje për në vende të tjera, kërkojnë të venë në Egjipt, Kanada, USA e gjetkë…Shqiptarët kuislingë janë në grindje të vazhdueshme dhe pa shpresa bashkëpunimi midis tyre, megjithë tentativat që bëjnë në këtë drejtim. Mit’hat Frashëri i ardhur nga Reggio Emilia disa kohë më përpara qëndroi në Romë për një muaj rrjesht, erdhi në kontakt me Eqerem Libohovën dhe me Ymer Fortuzin, por pa arritur në ndonjë përfundim”.
[76] Po aty, fl. 4.
[77] Po aty, fl. 5
[78] AMPB/AIDSSH, Drejtoria e Zbulimit Politik, V. 1946, D. 89, fl. 2. Raport mbi koloninë shqiptare të Francës. Pjesë nga aktiviteti i Ahmet Zogut: “Gjithë oficerat e Zogut janë të Legalitetit dhe me ta ndonjë tregtar. Deri tani nuk kemi marrë vesh se të jenë të organizuar, veç se kanë kontakte të shpeshta dhe disa herë bëjnë lëvizje të dyshimta që ne i kemi quajtur se bëjnë kontakte me kriminela lufte të ardhur këtu. Është e vërtetë se Zogu i ndihmon ata, jo rregullisht, por ju dërgon nga ndonjë kockë herë pas here. Këtë gjë e ka lënë të nënkuptohet ish oficeri i Zogut Sefedin Çollaku, në inat e sipër në një bisedim që pati me Nexhat Mitrovicën. Këta kanë lidhje dhe korrespondencë si me kriminelët e Italisë ashtu dhe me njerëzit e Zogut në Kajro. Farka, i shoqëruar me një jugosllav ka qenë këtu dhe është takuar me ata, të cilëve ju ka thënë gjendjen dhe organizimin e kriminelëve shqiptarë në Itali. Midis të tjerave kemi marrë vesh me siguri se të gjitha grupet e Italisë janë bashkuar me Zogun dhe për këtë punë shkuan delegatë të të gjitha grupeve në Kajro për të shfaqur besnikëri karshi Zogut”.
[79] AMPB/AIDSSH, Fondi 6, V. 1946, D. 88, fl. 6. Pjesë nga raporti: “Oficeri ndërlidhës me misionin ushtarak tonin në Bari, kapiten Filip Vos, në çdo bisedë që ka me shokët tanë ose me të tjerë rreth Shqipërisë mundohet t’i paraqesë si të vërteta të gjitha akuzat që lëshohen mbi ne nga ana e reaksionit”.
[80] Po aty, fl. 8.
[81] Po aty.
[82] Po aty.
[83] Po aty.
[84] AMPB/AIDSSH, Drejtoria e Zbulimit Politik, V. 1946, D. 89, fl. 4. “Kundërshtarët e regjimit në koloninë shqiptare të Parisit ishin Milto Noçka dhe Nuçi Kotta dhe dy ose pesë oficerë të tjerë zogistë të cilët ishin lidhur ngushtë me Londrën dhe veçanërisht me Zogun”.
[85] AMPB/AIDSSH, Drejtoria e Zbulimit, Emigracioni, V. 1947, D. 131, fl. 3. Raporte informative mbi gjendjen dhe veprimtarinë armiqësore të emigracionit reaksionar shqiptar në Itali dhe dokumente mbi oganizatën tradhtare “Balli Kombëtar” në mërgim.
[86] Po aty, fl. 4.
[87] Po aty, fl. 5. Pjesë nga raporti i Sigurimit të shtetit: “Ajo që na paraqitet më me rëndësi tash së fundi në elementin reaksionar shqiptar që ndodhet në Itali, është tendenca e tyre për bashkimin midis tre grupeve, d.m.th. midis Bllokut Indipendent Kombëtar, Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Ndërsa rezultojnë dhe raportet në kohët e fundit shikohet që grupi Balli Kombëtar të interesohet më shumë për një bashkim me grupet e tjerë dhe veçanërisht Ali Këlcyra me grupin e tij i cili sa vjen i shton dhe më tepër përpjekjet e tij në këtë drejtim. Themi veçanërisht Ali Këlcyra me grupin e tij, pse ndërsa vihet re këtu në Ballin Kombëtar vazhdojnë mosmarrëveshjet midis Mit’hatit dhe Aliut dhe këto janë duke u shtuar”.
[88] Po aty.
[89] Po aty, fl. 6. Pjesë nga rapoti: “Gjendja e reaksionarëve në kampe bëhet sa vjen dhe më e vështirë dhe se mezi rrojnë. Kjo ka shtuar dhe më tepër që ata t’i përvishen dhe të bëjnë tregun e zi si dhe kontrabandën, të cilët në Reggio Emilia bëjnë cigare me duhan italian dhe i shesin për cigare amerikane në Romë e gjetkë. Porse kjo gjendje e vështirë e këtyre është vënë re dhe më tepër në një shpallje që qe ngjitur në kampin e Reggio Emilias nga aleatët anglo-amerikanë, ku thuhej se është e dëshirueshme që kush do të kthehet në vendin vet, pse ndihmat që janë dhënë deri më sot do të rriten. Kjo solli dëshpërim të madh ndër reaksionarët, porse më tepër frikë. Gjithashtu, flitet se këta nuk ndihmohen më prej UNRRA-s por prej komandës ushtarake angleze”.
[90] Po aty.
[91] AQSH, F. 14/Strukturat [më tej: Str], V. 1955, D. 176, fl. 56. Raport i OKB-së për punën e detyruar në Shqipëri.
[92] Po aty, fl. 57.
[93] Po aty, fl. 58.
[94] Po aty, fl. 60. Pjesë nga raporti i OKB-së mbi punën e detyruar në Shqipëri: “Veç kësaj, ajo imiton edhe e tejkalon shembullin e zakonshëm satelit në ushtrimin e kontrolleve të saj mbi punën dhe përdorimin në masë të së ashtuquajturës punë “vullnetare” (në të vërtetë me përdhunë) në projektet industriale, ndërtimi dhe bujqësore”.
[95] Po aty.
[96] Po aty, fl. 61.
[97] Po aty, fl. 63. Pjesë nga raporti: “Personat e akuzuar si fashistë gjobiteshin në të holla ose me punë të detyruar nga një muaj deri në 20 vjet”.
[98] Po aty.
[99] Po aty.
[100] Po aty.
[101] Po aty, fl. 64.
[102] Po aty, fl. 65.
Zoti Gjon. I paske hy nje pune kot na si koti – per aq kohe sa Ti, mesa lexova, nuk e ke idene, ngase nuk ke lexuar, lidhur me shkencen bashkekohore, qe sqaron fije per fije, dhe qe perben Studimet e Sigurise Kombetare te cilat, ne teresine e tyre na japin ate qe quhet Studime Bashkekohore te Sigurise. Vellimin rreth 600 faqe e gjen ne librarine apo ne biblioteken e UETiranes. Mbasi ti lexosh, etj., te gjitha studimet, do te kuptosh se je “Hane Gjon hane Bagdat”. Tung.
P.S. Po qe se ke kap ndonje projek, me nje dore te mire paresh, hallall plako. Aferim. Keshtu, Ti rradhitesh denjesisht te tufa e atyre robve injorante qe pershkruan shenimi i Zamira Cavos, sot, te Tema.