Në mbledhjen e radhës kryeministri italian, Conte, së bashku me ekspertë të mjekësisë kanë marrë masa të forta për parandalimin e përhapjes dhe shtimit të rasteve me koronavirus.
Komiteti shkencor së bashku me Conten kanë vënë një sërë rregullash si: distancë sigurie 1 metër nga njeri-tjetri, nuk duhet të përshëndeteni duke prekur duart, ndalohen puthjet dhe përqafimet, të moshuarit mbi 65 vjeç nuk duhet të dalin nga shtëpia, gjithashtu edhe eventet sportive do të zhvillohen me dyer të mbyllura.
Ndërsa një ditë më parë Italia pa një ulje të konsiderueshme të rasteve të reja nga koronavirusi, sërish ditën e sotme është rritur numri i viktimave dhe të infektuarve.
“Kjo nuk do të thotë se të moshuarit do të duhet të izolohen totalisht në shtëpi, por do të jetë shumë herë më mirë që të shmangnin udhëtimet, vendet e populluara si dhe udhëtimet me transport publik.“- kanë thënë përfaqësuesit.
Këto rregulla të forta të vendosura nga Komiteti shkencor, janë deklaruar si të vlefshme për t’u ndjekur të paktën për 30 ditë.
Drejtori i Departamentit të Sëmundjeve Infektive të Istitutit të Shëndetit, Giovanni Rezza deklaroi se është bërë e domosdoshme që njerëzit të ndryshojnë sjelljen dhe të bëhen “më pak socialë”, personat mbi 65 vjeç të reduktojnë në maksimum kontaktet dhe ekspozimin në rrugë, duke qenë se në zonën e Lombardisë mbi 50 % e të infektuarëe janë të kësaj grupmoshe.
Në rang global koronavirusi vijon të marrë jetë. Deri më tani janë regjistruar 3200 viktima dhe afro 93.129 njerëz janë infektuar nga koronavirusi në botë. Italia e quajtur ndryshe edhe si vatra e koronavirusit në Europë, ka shënuar 79 viktima dhe mbi 2.200 mijë të infektuar. Greqia ka mbyllur 28 shkolla për të shmangur koronavirusin, në Kinë së fundmi ka vdekur edhe një mjek, ndërsa rastet po shtohen shumë edhe në SHBA, ku Trump po merr masa të forta. Shqipëria nuk e ka pasur ende rastin e parë të infektuar. OBSH njofton se ka një mungesë globale pajisjeve mjekësore, ndërsa Banka Botërore ka dhuruar 12 miliardë dollarë në ndihmë të zhdukjes së koronavirusit. Në Shqipëri s’ka ende asnjë rast të konfirmuar.