Testet e poligrafit për kandidatët e Byrosë së Hetimit mbahen ende sekret

10 Mars 2020, 17:25Kronika TEMA

Testi i poligrafit u prezantua si risi për garantimin e integritetit të drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, por rezultatet për katër kandidatët e kualifikuar mbeten ende sekrete dhe të panjohura nga komisionet përzgjedhëse.

Nga Edmond Hoxhaj

Më 27 shkurt, drejtori i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, Arben Kraja deklaroi se në garën për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit ishin kualifikuar katër kandidatë.

Procesi i përzgjedhjes është tashmë drejt fundit mes kandidatëve Aida Veizaj, Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj.

Katër kandidatët u përzgjodhën pas një sërë testimesh, si ai fizik, testi me shkrim, testi i poligrafit –i njohur ndryshe si makina e së vërtetës dhe intervistat indviduale. Por ndërsa testi i poligrafit u konsiderua si risi për integritetin e figurës së kandidatëve të përzgjedhur, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se përgjigjet qëndrojnë ende të mbyllura në zarf.

Një fakt i tillë u konfirmua për BIRN edhe nga drejtori i SPAK, Arben Kraja, i cili tha në një përgjigje me shkrim se Komisioni i Përzgjedhjes së kandidatëve për drejtorin e Byrosë nuk është njohur ende me rezultatet e poligrafit.

“Komisioni i Përzgjedhjes akoma nuk ka hapur përgjigjet e sekretuara, ku ndodhen raportet e testit të poligrafit për asnjë nga kandidatët që i janë nënshtruar testit të poligrafit,” tha Kraja për BIRN.

Kraja sqaroi se rezultatet e testit të poligrafit për kandidatët e skualifikuar konsiderohen sekret dhe nuk do të hapen nga Komisioni i Përzgjedhjes. Përgjigjet e testit të poligrafit nuk janë hapur ende as për katër kandidatët e kualifikuar, ndërsa Kraja sqaroi se ato do t’i vihen fillimisht në dispozicion Komisionit Ad Hoc të krijuar për kryerjen e vetingut për këta kandidatë dhe më pas Komisionit të Përzgjedhjes.

“Në përfundim të procesit të vetingut, rezultatet e testit të poligrafit do të vlerësohen nga Komisioni i Përzgjedhjes, së bashku me të dhënat e tjera të dala nga procesi i vetingut,” tha Kraja.

Neni 34, pika 2/gj e ligjit nr.95/2016 parashikon që rezultatet e testit të poligrafit duhet të merren në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për drejtorin e BKH, kriter i cili është anashkaluar në seleksionimin e kryer deri më tani.

Komisioni i Përzgjedhjes, i ngritur për të zgjedhur drejtorin e BKH-së përbëhet nga drejtuesi i SPAK, Arben Kraja dhe dy prokurorët Behar Dibra dhe Ened Nakuçi. Ndërsa Komisioni Ad Hoc, që do të kryejë verifikimin e kushteve të sigurisë dhe figurës para caktimit në detyrë të drejtorit të BKH përbëhet nga gjyqtari Dhimitër Lara dhe dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani e Edvin Kondili.

3 komente në “Testet e poligrafit për kandidatët e Byrosë së Hetimit mbahen ende sekret”

  1. Adi says:

    Po të kishin dalë “të ndritura” ato teste, do t’i kishin lëshuar me krenari mbi kokat tona si balona letre, që “të hanim sytë” e t’i lexonim. Por do kenë dalë “katran me bojë”!

  2. Kalec Dega says:

    Spaku i Ram -Met -Ruc – Berishes, lol

  3. SPAkTaku says:

    Sa here do vazhdojne te zhgenjehen shqiptaret!? Ja fytura e inkriminuar ne sherbim te te dy blloqeve. U kry Bac, u kry!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje