ANALIZA: Askush nuk i ndaloi këmbësorët (veç Kinës)

16 Mars 2020, 17:58Shëndeti TEMA

Ka pasur shumë paqartësi të qytetarëve për mundësitë e lëvizjes gjatë ditëve të fundit, pasi hynë në fuqi masat për ndalimin e qarkullimit të automjeteve. Për këtë, mjafton t’u hedhësh një sy komenteve të qytetarëve në faqen në Facebook të Policisë së Shtetit.

Vetëm gjatë trazirave të vitit 1997, Shqipëria ka përjetuar kufizime të tilla, që kanë të bëjnë me përditshmërinë e të gjithëve. Kuvendi i Shqipërisë miratoi më 2 mars 1997, ligjin që përcaktonte se gjatë gjendjes së jashtëzakonshme “kufizohen plotësisht të drejtat dhe liritë kushtetuese” dhe specifikisht, sipas neneve 6 dhe 7, e drejta e organizimit, e drejta për tubim, e drejta e lëvizjes, liria sindikale dhe e drejta për grevë”. Ashtu si edhe tani, situata e jashtëzakonshme ku ndodhej vendi, kërkonte masa drastike të jashtëzakonshme.

Në Itali nuk ka ndalim të këmbësorëve, apo të të shëtiturit. Deri më tani, nuk ka asnjë dispozitë në asnjë prej dekreteve të nënshkruar nga Ministria italiane e Shëndetësisë ose nga qeveria, të vlefshme deri më 25 mars.

Ata që largohen nga shtëpia për të marrë ajër dhe për të shfryrë tensionin e izolimit në shtëpi, apo duhanpirësit që dalin për të blerë cigare, apo ata që nxjerrin qenin të bëjë nevojat personale, nuk i nënshtrohen ndonjë ndëshkimi.

Ka pasur në fakt shumë konfuzion se çfarë lejohej dhe çfarë jo në Itali, por zyrtarë të Ministrisë së Brendshme italiane, u janë përgjigjur të gjitha pyetjeve të qytetarëve. Gjithashtu edhe Mbrojtja Civile, kur u pyet, shpjegoi se nuk ka “ndalim për këmbësorët”, por një ftesë të fortë për të qëndruar në shtëpi.

Në faqen e internetit të Kryeministrit italian ka një seksion me “pyetje të shpeshta”. Ndër të tjera, në të thuhet “Duhet të shmangësh largimin nga shtëpia”. Duhet të shmanget, por nuk ndalohet. Gjithashtu në urdhëresën e Ministrisë së Brendshme, të ndarë në 12 pika, thuhet: “Nuk mund të dilni nga shtëpia, përveçse për arsye të vlefshme”. Dhe ekzistojnë katër arsye të vlefshme: punë, domosdoshmëri (pazar ose farmaci), shëndet dhe kthimi në shtëpinë e dikujt.

Sidoqoftë, në pikën 10 thuhet qartë se ekziston, përshembull, një ndalim përsa i përket aktivitetit fizik në natyrë: “Sportet dhe aktivitetet fizike që kryhen në hapësira të hapura lejohen në përputhje me distancën ndërnjerëzore prej një metri. Duhet të shmangim tubimet”.

Në të gjitha këto raste, vetëdeklarimi që tregon lëvizjen duhet të bartet gjithmonë me vete: “nga cili vend vij”, “në cilin vend po shkoj”. Ata që shkojnë në këmbë duhet ta kenë gjithnjë me vete. Nëse një person nuk e ka, të gjitha forcat e policisë janë të pajisura me formularë të tillë për t’ia dhënë personit në fjalë, i cili do të duhet ta plotësojë atë menjëherë.

Por edhe pse e gjithë Europa ka kufizuar në maksimum qarkullimin e qytetarëve, asnjë prej vendeve europiane nuk ka ndaluar totalisht (deri tani) daljen e kalimtarëve pas ndonjë në orari të caktuar.

Në Itali, epiqendrën e shpërthimit në Europë, qytetarëve u lejohet të dalin vetëm nëse kanë me vete vetëdeklarimin e arsyes pse po lëvizin (për të blerë ushqime apo medikamente), apo nëse kanë një letër nga punëdhënësit. Gjithçka më pas, në rast se ndalohesh në rrugë nga patrullat epolicisë, verifikohet saktësisht prej këtyre të fundit. Në zonat më të prekura, qytetarët ndalohen nga policia ose ushtria dhe urdhërohen të kthehen në shtëpi sapo të mbarojnë së bleri produktet e nevojshme.

Shumica e qytetarëve po punojnë nga shtëpia dhe vetëm nëpunësit në pozicione kyçe janë lejuar të shkojnë në vendet e punës. Megjithatë kontrollet drastike, rritja e numrit të të infektuarve dhe ndalimi i qarkullimit të mjeteve ka bërë që rrugët të jenë të zbrazura në të gjithë Italinë.

Të njëjtat masa janë marrë edhe të shtunën nga qeveria spanjolle, e cila urdhëroi po ashtu kufizimin e lëvizjes së qytetarëve duke e futur të gjithë vendin në karantinë. Të dielën, numri i rasteve të Covid-19 në Spanjë ishte 7,753, me 288 viktima. Një javë më parë, Spanja kishte vetëm 589 raste të konfirmuara dhe 10 të vdekur.

Duke marrë përsipër masat e marra nga Italia, qeveria spanjolle shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, duke urdhëruar mbylljen e të gjitha dyqaneve jo thelbësore, si dhe bareve, restoranteve, kafeneve dhe kinemave.

Edhe në Spanjë, banorët janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi dhe lejohen të blejnë vetëm ushqime dhe ilaçe ose të udhëtojnë për në punë, qendra shëndetësore ose banka. Udhëtimi lejohet gjithashtu për ata që kujdesen për të moshuarit. Të dielën Madridi ishte i zbrazur ashtu si shumë kryeqytete europiane.

Ajo që ka miratuar masa më të ashpra, duke ndaluar plotësisht lëvizjen e qytetarëve, ishte Kina, e cila nuk lejoi askënd të dilte nga shtëpia në wuhan për tre javë rresht. Partia Komuniste e Kinës detyroi rreth 500 milionë njerëz të painfektuar të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi. Atje ku shumë qeveri të tjera dështuan në skenare të ngjashëm të mëparshëm të epidemive të tilla, qeveria kineze pati sukses; duke nisur përshembull që nga furnizimi me ushqime që ishte i përditshëm. Gjithçka qytetarit i mundësohej t’i shkonte në shtëpi.(gazeta SI)

9 komente në “ANALIZA: Askush nuk i ndaloi këmbësorët (veç Kinës)”

  1. Gri says:

    Por Kina e fitoi betejen!
    Me mire ne shtepi se sa nje fat i keq dhe ne … !
    Le ta bejme kete lufte! Duhet ta bejme! Me sa duket “Zoti” ne ka vene ner prove!

  2. Kerma says:

    Po ne o gazetar anonim nuk mund te njesohemi me Italine, Spanjen e vende te tjera perendimore. Ato vende standartin e spitalizimit e kane dhjetra here me te larte. keshtu qe masat qe ne ndermarrim ashtu si dhe Kina duhet me patjeter te jene me drastike. Apo jo ore kaqol?

  3. dashamiresi says:

    Askush s’i ndalon kembesoret, perveç Kines! Si çdo çudi edhe kjo. Po ti ndalosh kembesoret te dalin ne rruge pa pune, eshte mire apo eshte keq? Pra, eshte qe jeta te vazhdoje pa vuajtje apo eshte qe te vuajne dhe te vdesin?! Keni ikur nga tepeleku fare dhe nuk jetoni ne boten qe u rrethon, por keni ikur para kohe atje, tek vendi perhershem, pavaresisht se belbezoni. Keni ikur si djali Zef Dedes!

  4. MASA EKSTREME, QË TË MUND TJA DALIM ! says:

    BRAVO KINA ?
    TË BËJMË SI KINA, ATA PO E MUNDIN VIRUSIN .

  5. Artur says:

    Spanja i ndaloi kembesoret, lejon vetem ata qe hikin ne pune ( me dokument te justifikuar) dhe ata qe dalin per te blere ushqime ne dyqanet afer shtepise. Mos genjeni.

  6. Referendum per arrestimin e koleres sali says:

    Kush ti ka dhene keto te dhena ty per kete analize….
    E ke pare wuhanin qe vullnetaret i conin edhe ushqimet ne shtepi…
    A e ka mare vesht qe ne itali mer 600 euro gjob po dole pa nje certificazione nga puna,policia apo comune….
    Apo je jul dede me cecenet qe per inat te qeverise une do bej cfare te bej trapi…
    Ju kujtoni se do rrezoni qeverine duke u semur apo duke vdekur…
    Keshtu keni ber ju ne keto 30 vjet,vidh,prit,plackit….

  7. XXXL says:

    Prandaj po ikin per lesh italianet….. e paske zgjedhur shembullin,….. toc apo toce.

  8. vjeshta says:

    Edhe Italia o idiot, jetoj në Milano. Këtu vetëm për nevoja të domosdoshme: punë,spital,market mund të dalësh me vëtëdeklarim. Ndryshe ndjekje penale Jo amministrative.

  9. Jimi says:

    Ne kete situate lufte, kur behet fjale per jete a vdekje, cili prej nesh do te kishte deshire dhe kurajo per aheng? Gjithsecilit prej nesh ne kete situate, a nuk i duken te mjaftushme oret e dites per te kryer te gjithe ato sherbime te nevojshme e te domosdoshme? Nga pervoja jetesore e ketyre diteve, edhe pa dale ky vendim njerezit ne menyre te vetedijshe e kishin marre kete vendim. Shum pake njerez, per t’mos thene fare, shikoje neper rruge pas ores gjashte edhe ata qe rreshperonin ishin nga ata qe per njeren,apo tjetren arsye nuk i kishin kryer ne kohe ato sherbime te domosdoshme. Keshtu qe, pse na duket cudi pse vendoset nje kufi per levizjen ne kembe ne kete situate? Apo pse e tha kryeministri, me patjeter duhet ta kundershtojme?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje