Kosova, si s’duhet qeverisur në kohë krizash

26 Mars 2020, 15:45Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Duhet të kesh një hall shumë të madh, që të rrëzosh një kryeministër pas 50 ditësh në detyrë. Duhet që të ketë bërë tradhëti ndaj atdheut, të jetë kapur në flagrancë me ndonjë akt të përbindshëm korrupsioni apo një skandal tjetër të përmasave të mëdha.

Albin Kurti nuk konsumoi asnjërin nga këto krim, për t’u trajtuar ashtu siç e pamë të trajtohej. Në rastin më të keq, ai thjesht nuk kishte rekorde qeverisjeje. Nuk e largoje dot as për mirë, as për keq, pasi nuk pati kohë as tëndreqte, as të prishte punë. Nëse për rekord i merret pozicioni ndaj heqjes së taksës ndaj Serbisë, mund të thuhet se dënimi qe krejt i pajustifikueshëm. Dhe nëse, pas gjithë kësaj farse politike, hedh një sy e sheh sesi bota po mbyllet në shtëpi, ndërkohë që Kosova voton me maskë, bindesh se ka të drejtë gazeta amerikane “New York Times”, kur shkruan se diplomacia prej Ramboje e të dërguarve amerikanë ndëshkoi një kryeministër të sapozgjedhur.

Albin Kurti nuk pati kohë të tregojë që është një kryeministër për t’u shkarkuar, apo për t’u rizgjedhur. Ai ka me vete alibinë e fortë të të mos qenit i korruptuar, por me shkarkimin e fundit, ka gjithashtu alibinë që të mos ketë lënë pas bilance negative. Ah po, nuk hoqi taksën “me një fishkëllimë”, siç ju urdhërua dhe u përpoq të kishte rol udhëheqës, siç ishte në të drejtën e tij, në negociatat me Beogradin.

Ajo që ndodhi me qeverinë kosovare është një akt i tepërt dhe i panevojshëm dobësie të imponuar. Kosova e sotme ka nevojë të afirmojë kapacitetin e saj të brendshëm për të ndërtuar qeverisje solide dhe të pavarur, e jo të vijojë të tresë thërrimet e një vasaliteti ndërkombëtar, që e shoqëroi në hapat e parë pas shpalljes së pavarësisë. Amerikanët, themeluesit e shtetit të sotëm kosovar, s’kanë pse investohen për këtë lloj imazhi të shëmtuar, që Kosova përhapi nëpër në këtë kohë pandemie.

Kryeministri i saposhkarkuar Kurti deklaroi orët e fundit se po ikën për shkak se i duhet hapur rruga planit të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Një plan të cilin evropianët e kanë kundërshtuar me forcë prej muajsh, e që duket se qëndron edhe në bazën e kundërshtimit prej tyre, të rrëzimit të parakohshëm të qeverisë aktuale. Shkëmbimi i territoreve është një skenar i rrezikshëm që po i qëndron mbi krye kosovarëve, prej momentit kur Thaçi, Vuçiç dhe amerikanët pas tyre, kanë krijuar bindjen se mund të bëjnë të patrazuar një pazar tokash në mes të Ballkanit, pa lënë gjurmë dhe pasoja as në të tashmen, e as në të ardhmen. Një pretendim që ka krijuar më shumë se një palë ngritje supesh në pjesën më të madhe të komunitetit ndërkombëtar, që i ka shumë të qarta pasojat që provokojnë këto lloj operacionesh aventureske.

Largimi i qeverisë Kurti le hapur, në këtë kontekst, një boshllëk të rrezikshëm që mund të mbushet nga akte të nxituara politike, e që mund të çojnë në situata komplekse. Sot në Kosovë, përveç aludimeve të presidentit Thaçi, asnjëra nga palët politike nuk e përkrah tezën e shkëmbimit të territoreve. Madje as vetë ish-partia e Hashim Thaçit. Nëse Kurti largohet për shkak se është kundër këtij skenari, apo edhe kundër heqjes së taskës, duhet kujtuar se edhe paardhësi i tij kishte mendime identike në këto aspekte. Prej këtej, nuk është e vështirë të supozohet se me ikjen e Kurtit, nuk do të ikë automatikisht edhe kriza.

E fundit, po jo më e parëndësishmja, ishte gjë e shëmtuar të shihje një shtet që sapo ka zgjedhur qeverinë e tij, të ngutej për të shkarkuar me maskë kryeministrin e sapozgjedhur. Është ironike që të vërehet për shembull, se Ramush Haradinaj me mandat të mbaruar, ndenji në zyrën e punës shumë më tepër se Albin Kurti i zgjedhur me votë të lirë. Një klasë politike që jepet pas tundimit të mocioneve të mosbesimit në kohë murtaje, nuk është një klasë politike për t’u marrë seriozisht. Ja kaluan edhe sherrxhinjvë të Tiranës. Diçka e vështirë për t’u besuar, por ja që ndodhi…

5 komente në “Kosova, si s’duhet qeverisur në kohë krizash”

  1. Timi says:

    Sherrxhinjte e Tiranes duhet ti petcaktosh jo ti fusrsh te gjithe ne nje thes…thuaj qarte dhe shqip qe sherrxhinjte e Tirabes jane: keimineli Sali Berisha, krimineli Ilir Meta, krimineli Lulezim Basha, bandat e tyre alias alias partia babale dhe partia shpk, LSI. Si edhe kazani mediatil i dirighuar nga keta kriminele. Keta jane sherrxhinjte e Tiranes dhe sherrin e bejne sepse humben cdo pushtet ne Shqiperi dhe se po i afrohet dita e shpagimit. Kane bere shume krime keta sherrxhinjte or ti gazetar spo nuk e di, ti kete. Dhe tani jane gati te djegin vendin per te shpetuar bythen e tyre.

  2. Tironsi says:

    Krahasimin me Tiranen ta kishe kursyer,Rama sot tregon qe eshte nje politikan i forte dhe vizionare.Kurtit,i tha je i ri dhe mos u fry shume se rruge te gjate perpara prandaj bashkepuno dhe merr pjese ne debat dhe mos u fshi si skuth prandaj boll me nje Kurt foshnjerak ai eshte dhe do ngelet nje markist leninist

  3. Ladi says:

    Nje shkrim i percipte, e pare me nje sy si prej adoleshenti. Ndoshta nuk e njeh realitetin pertej kufirit shqiptar, pasi ne pergjithesi shkruan mire.. ndoshta sa per te kaluar rradhen.., nuk e di?!

    1. Bureto says:

      Ndoshta nuk e njeh realitetin përtej kufirit…!?-shkryan komentuesi @Ladi. Ndoshta! Por unë nuk ndaj të njëjtin mendim, sepse them që S. Minxhozi, njeh shumë mirë situatën në Kosovë, bile shumë më mirë se shumë të tjerë, për këto arsye:
      1. Nuk flitet për ndonjë shtet apo popull tjetër, përkundrazi dy shtete më shumë se fqinj (që politikisht do të duhej të quheshin një) dhe një popull, pra një mentalitet dhe formim politik e shtetformues.
      2. Është gazetar dhe analist i vjetër plus dhe një ish diplomat.
      3. Edhe sikur të mos ishin dy pikat e para, ky është vëllai i ambasadorit të Shqipërisë, tash e shumë vjet në Kosovë, zotit Qemal Minxhozi. Sigurisht që në këtë kontekst dhe shumë mirë i informuar për Kosovën.
      Është tjetër gjë pastaj që, si çdo njeri, edhe Skënderi për një çështje të caktuar, si ky rast, do të ketë mendimin e vet, që për dikë mund të jetë subjektiv dhe për dikë jo. Pavarësisht argumentave pro e kundër, i bashkohem mendimit se rrëzimi i Qeverisë, jo i Kurtit si individ, në momentet që po kalon Kosova, përfshirë COVID-19, ishte i nxituar, edhe pse për këtë, me jo pak gabime politike i dha një dorë dhe vetë Kurti.

  4. Star says:

    Shkim ekselent. Eshte shume trituese por e vertete ajo qe citohet ne kete shkrim. Bravo z.Minxhozi.E treguat vehten nje gazetar patriot qe shqetesoheni per cdo gje qe ndodh ne hapesiren shqiptare ,dhe jo si disa gazetar qe jane me kohe ne taborin e mercenareve ne shebim te Serbeve. Eshte i drejt shqetesimi juaj dhe habija per keto veprime gjoja ligjore kunder qeverise Kurti. Mesoje more zoteri se ne Serbi ka plasur alarmi dhe kerkohet sherbimi i gjithkujt qe eshte i regjistruar ne falangat serbe,heret apo me vone. Ketu kerkoje aresyen e ketyre veprimeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje