27 raste të reja në 24 orë: Shkon në 304 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri

3 Prill 2020, 11:49Sociale TEMA

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se ka shkuar në 304 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri.

Deklarata e ministrisë:

“Në vijim të komunikimit të përditshëm, Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitive. 

Në 24 orët e fundit janë testuar 112 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 27 raste të reja me COVID-19. 

Deri në këto momente janë testuar 2031 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 304 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç. 

Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 13 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 89. 

Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 73 të shtruar. 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Gjatë orëve të para të mëngjesit janë transportuar në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”, 3 paciente nga spitali Infektiv.
Aktualisht në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, i cili do të ndjekë rastet e rënda me insufiçencë respiratore covid pozitiv, janë 4 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve në gjendje të rënduar (të intubuar). 

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 81 pacientë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Durrës, Fier, Kavajë, Lezhë, Mirditë dhe Shkodër.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë                 146 raste
– Durrës                  32 raste
– Lushnje                4 raste
– Elbasan                 8 raste
– Fier                       25 raste
– Kavajë                  8 raste
– Rrogozhinë        2 raste
– Korçë                    16 raste
– Vlorë                   5 raste
– Shkodër                22 raste
– Lezhë                   11 raste
– Berat                    1 rast
– Has                      8 raste
– Krujë                    5 raste
-Tropojë                4 raste
– Pukë                       4 raste
– Mirditë             3 raste

Sic shihet, nga rastet e reja të 24 orëve të fundit, Shkodra ka numrin më të lartë me 12 raste. Këto raste janë identifikuar në dy rrethe familjare, mes tyre është dhe një fëmijë 13-vjeçar, që janë identifikuar falë gjurmimit të rasteve të kryera nga epidemiologët ne terren. 

Kjo rritje e numrit të rasteve në Shkodër tregon edhe njëherë mos respektimin e distancimit social dhe masave të kontrollit të infeksionit që Ministria e Shëndetësisë vijon të rekomandojë çdo ditë ne komunikimet publike. 

Aktualisht po kryhet hetimi epidemiologjik në terren edhe me një ekip të Institutit të Shëndetit Publik. 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19. (TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje