Vendet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për një plan reagimi urgjent prej 500 miliardë eurosh. Ministrat e Financave të Eurogroup miratuan fondin e urgjencës prej 500 miliardë eurosh, për të kufizuar ndikimin e pandemisë së koronavirusit në ekonominë evropiane.
“Plani përmban propozime të guximshme dhe ambicioze që do të ishin të paimagjinueshme vetëm disa javë më parë. Të gjithë mund të kujtojmë përgjigjen ndaj krizës financiare të dekadës së fundit, kur Evropa vonoi.
Kjo kohë është e ndryshme. Propozimi, është një përgjigje të fortë që i duhet Evropës”, tha ministri Portugez i Financave dhe presidenti i Eurogroup, Mario Centeno në një video-konferencë, sipas “Euronews”.
Menjëherë pasi arritën një marrëveshje, ministrat e financave njoftuan me entuziazëm lajmet në mediat sociale.
“Marrëveshje e shkëlqyeshme midis ministrave të financave të BE për përgjigjen ekonomike ndaj koronavirusit. 500 miliardë euro do të vihen në dispozicion menjëherë.
Një paketë stimuluese do të vijë. Evropa po qëndron në këmbë për të përballuar seriozitetin e situatës. Kjo është një ditë e rëndësishme për Evropën”, shprehet me një postim në “Twëitter” Ministri francez i Financave Bruno Le Maire.
“Ne do t’i paraqesim një plan ambicioz Këshillit Evropian dhe do të luftojmë për ta bërë realitet”, tha Ministri i Financave i Italisë, Roberto Gualtieri.
Marrëveshja prej 500 miliardë eurosh për të ndihmuar vendet anëtare për përballimin e COVID-19 në vijim do të kërkojë edhe miratimin nga krerët e shteteve të Bashkimit Europian.
Në të parashikohet mbështetje e përbashkët për papunësinë, sistemin shëndetësor dhe sipërmarrjet. Në mbledhje u miratua edhe mundësia e përdorimit të eurobondeve gjatë pandemisë.
Takimi që zgjati 45 minuta u mbyll me duartrokitje të të gjithë ministrave të ekonomisë të BE.