Shtetet e Bashkuara: Dështimi populist, sfida “koronare” e Trump

15 Prill 2020, 18:52Bota TEMA

Nga Laurent Joffrin (Kryeredaktor i “Liberation”)

Prova tragjike që përshkon Shtetet e Bashkuara, a do të hapë, më së fundi, sytë e zgjedhësve amerikanë? Dy tiparet dalluese të pranisë së Tramp: inkompetenca e plotë si metodë dhe cinizmi elektoral për çdo orientim, a do ta trondisin sigurinë e një elektorati të droguar nga lajme të gënjeshtërta dhe nga “të vërtetat alternative”? Në fillim të krizës, Donald Tramp bëri gjithçka për të minimizuar rrezikun e pandemisë, me një ide të vetme në kokë: të mbante në funksion një ekonomi, prosperiteti sipërmarrës i së cilës – i trashëguar gjërësisht nga mandati paraardhës – argument i tij më i mirë i fushatës, u fik së bashku me humbjet e mëdha njerëzore.

Për të “përkëdhelur” paragjykimet nacionaliste, ai mbylli kufijtë me Meksikën dhe Kanadanë dhe ndaloi fluturimet e ardhura nga Kina, duke siguruar që këto vija “Maginot” do të ishin mbrojtja më e mirë për amerikanët. Një muaj më vonë, Shtetet e Bashkuara arrijnë në krye të vendeve më të prekuara nga virusi. Numri i të sëmurëve dhe ai i jetëve të humbura, rritet me shpejtësi; në mjaft shtete spitalet janë të tejmbushur. Disa flasin për një “shok” njerëzor të krahasueshëm me sulmin ne Perl Harbër apo me atentatet e 11 Shtatorit.

Duke injoruar dështimin spektakolar të politikës së tij sanitare, ai shpalli që vendi do të kthehej në veprimtari normale deri në Pashkë. Duket tani që, rreth kësaj date, pandemia u bë më vdekjeprurëse. Pak e nga pak, guvernatorët po aplikojnë masat e mbylljes dhe të distancave të rekomanduara sociale, të cilat ai i e refuzoi së pari, para se të ndërronte mendjen. Ai bëri gjithçka për të shkatërruar reformën e shëndetit të Obamës, e destinuar të arrinte një mbulim më të mirë social të shëndetësor të popullsisë. Sot, dhjetëra milionë amerikanë, gjenden pa asnjë mbulim social për t’i bërë ballë sëmundjes, të shtërnguar të kërkojnë, në panik, një vend në sistemin shëndetësor të kushtueshëm, numri i shtretërve të të cilit është dy apo tri herë më i ulët se ai në Evropë.

Kongresi votoi një ndihmë masive në favor të ekonomisë. Por refuzimi i çdo mbrojtjeje ndaj rrogëtarëve të vendit, sjell rritjen e numrit të të papunëve dhe, tani, flitet për shkatërrim social historik, i cili do ta çojë përqindjen e papunësisë në nivele marramendëse. Me disa arsyetime e llogari demagogjike, Presidenti ka vendosur, madje, shitësit e armëve individuale në listën e ndërmarrjeve të nevojës së parë; blerja e pushkëve, revolverëve dhe pushkë-mitralozëve është dyfishuar, që nga fillimi i krizës.

Në mes të katastrofës, Tramp llomotit çdo ditë në televizion, duke renditur të pavërteta, përafrime dhe trimërira vetëkënaqësie, me sy tek dëgjuesit e tij dhe tek audienca që ai mund të tërheqë në rrjetet sociale. Më keq, fushata e një denigrimi që ai ka marrë përsipër prej vitesh, kundër informacionit të lirë dhe racional, i siguron atij, akoma, mbështetjen e elektoratit antielitë i cili mohon çdo legjitimitet të shkencës dhe kompetencave teknike. Duke jetuar në një botë fantazmike, ku çdo gjë që vjen nga dija dhe eksperienca është, menjëherë, e skualifikuar, zgjedhësit e tij vazhdojnë të përbëjnë kredinë e arrogancave të tij.

Në saj të këtij mekanizmi politik vetëmbrojtës, megjithëqë inkapaciteti tij shpërfaqet në mes të ditës, Tramp nuk e ka humbur (larg qoftë!) bazën e tij elektorale. Që këtej, kuptohet rëndësinë që i kushton testit të konventës së shtatorit. Demokratët që kanë debatuar gjatë për reformën e nevojshme të sistemit shëndetësor, janë në avantazh. Por, populizmi është një recital ideologjik që i bën hije realitetit dhe mbështetet mbi konsiderimin si armik që bart të gjitha të këqiat, elitën e dijes dhe kompetencës. Kështu, ligji i themelit të demokracisë gjen një aplikim të ri: nuk mjafton të kesh arsye dhe të drejtë, duhen fituar edhe zgjedhjet!

Përkthyer: M.Spiro

1 komente në “Shtetet e Bashkuara: Dështimi populist, sfida “koronare” e Trump”

  1. Turi says:

    Ndërkohë që Amerikanët janë të lodhur duke parë Amerikën në rënje dhe Kinën në ngritje, demokratët janë duke diskutuar fabula dhe thonë që të hiqet taksa.
    Demokratët dhe Republikanët as nuk janë duke folur për të njëjtat çështje. Për sa kohë që demokratët nuk tregojnë të paktën një plan kuptimplotë se si mund të rrisin ekonominë amerikane, për sa kohë do merren me fabula dhe shaka, nuk kanë shpresë që të fitojnë zgjedhjet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje