Juventusi ishte një prej klubeve që kishte futbollistë të saj të prekur nga koronavirusi.
I pari që rezultoi pozitiv me COVID-19 prej bardhezinjve ishte mbrojtësi Daniele Rugani.
Kjo bëri që e gjithë skuadra të futej në karantinë, ndërsa në ditët që pasuan u zbuluan se ishin mbartës të virusit edhe Matuidi dhe Dibala.
Ndërkohë, te Juventusi mund të ndihen më të çliruar pasi Rugani dhe Dibala tashmë kanë marrë për herë të parë përgjigje negative, duke mos rezultuar mbartës të sëmundjes.
Në klub pati shqetësuar jo pak gjendja e futbollistëve pasi tamponët e pak ditëve më parë rezultuan sërish pozitiv.
Megjithatë, situata duket më optimiste pasi edhe pse lojtarët nuk mund të konsiderohen plotësisht të shëruar, ata kanë nisur stërvitjen në një formë të lehtë.