Nga Kriton Kuci, Pedagog, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
Bota po përjeton rrezikun më të madh të pandemisë që prej fillimit të shekullit të kaluar. Bota pas kësaj krize nuk do të jetë më e njëjta . Evropa është në luftë. Sistemi po rrezikohet nga pandemia. Amerika është në luftë. Kur gjithë kjo do të kalojë do të jemi më solidarë me njeri tjetrin. Bota është në luftë. Së bashku do ja dalim. Jemi në luftë. Shqipëria, Argjentina. Italia, Izraeli, Gjermania, Ekuadori Greqia, San Marino etj. etj. etj. janë në luftë. Sa shumë janë thënë këto fjali nga liderë politikë këto ditë të pandemisë në cdo cep të globit. Sa e sa fjalime, për një botë më të mirë që do të ngrihet mbi gërmadhat e lëna pas nga mungesat e mëdha nëpër sistemet publike të shëndetësisë, e maskave dhe dorezave nëpër farmaci dhe e letrave higjenike nëpër tempujt postmodernë të konsumerizmit. Dhe të gjitha fjalimet, pavarësisht gjuhës në të cilën janë mbajtur, pavarësisht përmbajtjes së tyre të ndryshme, kanë një pikë të përbashkët. Ose më mirë të themi disa pika të përbashkëta që janë të lidhura me njëra tjetrën. E para është besimi se “(Ne) jemi në luftë”. E dyta është besimi se “(së bashku) do ja dalim ta fitojmë këtë luftë”. Dhe e treta është besimi se “megjithëse së bashku do ja dalim ta fitojmë këtë luftë, bota e post pandemisë nuk do të jetë më e njëjta”.
“(Ne) jemi në luftë.”
Pra duket se ajo që po mbizotëron në diskursin politik (mbi pandeminë) të pjesës dërrmuese të vendeve të prekura është “fakti” që kemi të bëjmë me një situatë lufte. Pra gjendemi në luftë. Jemi mbyllur nëpër shtëpi. Lëvizja ku më pak e ku më shumë është kufizuar. Aktiviteti ekonomik ku më pak e ku më shumë është pezulluar. Policia dhe ushtria ku më pak e ku më shumë e kanë bërë më të dukshme prezencën e tyre. Nuk ka dyshim. Jemi në luftë. Atdheu ka nevojë për ty. Nuk të kërkon shumë. Bëj pjesën tënde. Qëndro në shtëpi. Dil vetëm për të blerë gjërat bazike. Qëndro një metër e gjysëm larg bashkëluftëtarit tënd. Atdheu të përgjërohet. Bëj detyren tënde. Jemi në luftë. Gjyshërve tanë ju kërkua të marrin armët e të shkojnë në Normandi, në El Alamein, në Paqësor, në mal, në det, në fushë me armën në sup. Ty atdheu nuk të kërkon aq shumë. Vetëm karantinohu, distancohu, izolohu. Nëqoftëse nuk e bën përgjegjësia bie mbi ty! Do ta humbasim luftën për shkakun tënd! Ti individ e ke përgjegjësinë! Askush tjetër! Jemi në luftë!
Në luftë zakonisht ka nevojë për aleanca, asnjë shtet sado i fortë të jetë nuk mund ta përballojë luftën i vetëm. Për momentin ama duket se aleancat janë larg. Institucionet ndërkombëtare , në rang rajonal (BE) dhe në rang global (OKB, FMN) po zhvillojnë takime, po dalin me deklarata për masa të përbashkëta por sido që të jetë duket se cdo shtet është i vetëm në këtë luftë. Jemi vetëm në këtë luftë. Kufijtë janë mbyllur. Askush nuk del dhe askush nuk hyn. Linjat ajrore dhe ato detare janë pezulluar. Secili në shtëpinë e tij të madhe. Në shtëpinë e familjes së madhe të përbashkët. Në atdheun e tij. Ta duam atdheun. Sepse atdheu vuan. Dhe ka nevojë për ty. Për ty shqiptar, për ty italian, për ty grek, gjerman, francez, amerikan etj. etj. etj.
“(Së bashku) do ja dalim ta fitojmë këtë luftë”.
Elementi tjetër i përbashkët i diskursit mbi pandeminë është se së bashku do ja dalim që ta fitojmë këtë luftë. Megjithëse jemi të distancuar përsëri jemi bashkë. Të gjithë si një trup i vetëm megjithëse secili i ulur përpara ekranit të tij, jemi përsëri bashkë. Jemi një komb dhe përpara tij jemi të gjithë të barabartë. Si ti që je i pasur ashtu edhe ti që je i varfër. Si ti që jeton në shtëpinë me pishinë ashtu edhe ti që me zor e kalon muajin. Jemi të gjithë të barabartë përpara kombit. Dhe për të duhet të sakrifikojmë. Të gjithë së bashku do ja dalim. Të “majtë”, të “djathtë”, të majtë, të djathtë, tashmë nuk ka rëndësi. Jemi të gjithë shqiptarë, italianë, grekë, gjermanë, francezë, amerikanë etj. etj. etj. Jemi “së bashku”. Dhe është kjo një “së bashku kombëtare” dhe jo klasore. Të gjithë së bashku (si komb) do ja dalim ta fitojmë këtë luftë.
“Bota e post pandemisë nuk do të jetë më e njëjta”
Kur gjithcka të kalojë ama shumë gjëra duhet të ndryshojnë dhe do të ndryshojnë. Do duhet të jemi më solidarë me njeri tjetrin. Do duhet të rregullojmë disa gjëra që nuk shkojnë në demokracitë tona. Do të duhet pse jo, të ndërhyjmë pak në treg. Ashtu sic bëmë në 2008 dhe ne vazhdim kur shpëtuam bankat. Do duhet ti japim pak fytyrë më njerëzore sistemit. Të kthejmë shikimin drejt njerëzve që vuajnë. Pas krizës do të ndryshojnë shumë gjëra. Bota nuk do jetë më e njëjta.
Banaliteti i diskursit politik
Liderët politikë (sigurisht jo vetëm) luajnë një rol të rëndësishëm në prodhimin, riprodhimin dhe forcimin e diskurseve mbizotëruese jo vetëm sepse janë njerëz me shumë ndikim por kryesisht sepse në periudhën në të cilën jetojmë ata janë persona shumë të njohur dhe gjithëprezentë. Fytyrat e tyre shfaqen çdo ditë në gazeta, në televizion, në media sociale dhe sigurisht në gjetjen më brilante të internetit, nëpër meme. Fjalët e tyre arrijnë miliona e miliona njerëz çdo minutë. Prandaj, përmbajtja e fjalimeve të tyre merr një rëndësi të madhe.
Diskursi modern politik bazohet në një kornizë kombëtare dhe është adoptuar për një publik kombëtar të caktuar. Për këto arsye do të na kujtojë dhe rikujtojë në mënyrë të vazhdueshme kombësinë, kombin, atdheun. Ky proces i vazhdueshëm rikujtimi është pjesë e gjendjes “natyrale” të skenës politike kombëtare. Rikujtimi i vazhdueshëm nuk ka pse të ndodhi me fraza dhe fjalime të mëdha të cilat do të mbeten në memorien kolektive. Rikujtimi ndodh me fjalë të vogla, të parëndësishme sic ka vënë re në mënyrë të shkëlqyer Michael Billig. Me fjalë të vogla si “ne”, “ata” , këtu” “’së bashku”’ dhe pse jo meqë tani është e shumëpërdorur “luftë”. Duke përdorur një deixis kompleks të atdheut liderët sjellin në vëmendje (riprodhojnë) “Ne”-në kombëtare dhe “na” vendosin në kornizën e atdheut “tonë”. Për sa kohë që fjalë të tilla që rrjedhin nga retorika e “atdheut” përdoren në mënyrë sistematike “Ne” rikujtohemi në mënyrë të pandërgjegjshme se kush jemi dhe ku jemi. Rikujtohemi që “Ne” (shqiptarët, italianët, grekët, gjermanët, francezët amerikanët) jemi në “luftë” dhe “së bashku” (secili brenda atdheut të tij) do ta fitojmë atë.
Kombet krijohen dhe riprodhohen brenda kornizave të vendosura nga diskursi nacionalist. Ky diskurs funskionon në bazë dualiste duke e ndarë botën në “Ne” dhe “Ata”. Ka karakter homogjenizues duke ju mbivendosur dhe duke lënë në hije diskurse të tjerë. Pra duke vendosur marrëdhënie mbizotëruese me diskurset e tjera kombëtarizon narrativa, korniza analitike, këndvështrime, mënyra të menduari e të vepruari duke natyralizuar në këtë mënyrë kombin. Ndasitë klasore nuk merren parasysh nga ky diskurs por përkundrazi konsiderohen qëllimisht të parëndësishme.
Diskursi politik i pandemisë po merr cdo ditë e më shumë trajta autoritariste, nacionaliste dhe sigurisht po e trajton përballjen e krizës si një përgjegjësi individuale të cdo qytetari duke hequr në këtë mënyrë përgjegjësinë nga shteti duke lënë qëllimisht jashtë vëmendjes ndasitë e mëdha klasore që egzistojnë brenda shoqërive. Por kjo nuk bëhet në mënyrë të hapur, por në një mënyrë më banale, më të zakonshme, më të rëndomtë. Dhe kjo është arsyeja se pse kjo mënyrë është edhe mënyra më efektive për të riprodhuar struktura të caktuara (në rastin konkret kombin, shtetin policor, tregun). Dhe nëqoftëse mendojmë se egziston një marrëdhënie dialektike ndërmjet diskursit dhe realitetit atëherë edhe parashikimet që mund të bëjmë për “botën pas pandemisë”’ mund të jenë cdo gjë përvecse optimiste.