Brazili po rrezikon të kthehet në vatrën e re të virusit në botë, ndërkohë që presidenti Jair Bolsonaro refuzon të marrë masa për izolimin e njerëzve, pasi nuk e konsideron virusin të një rrezikshmërie të lartë.
Ministria e Shëndetësisë në Brazil ka deklaruar zyrtarisht 54 mijë e 43 të infektuar dhe 3 mijë e 704 viktima si pasojë e virusit Covid-19, edhe pse ekspertët vendas hedhin dyshime për një numër më të lartë të infektuarish dhe viktimash.
Megjithatë raportimet që vijnë nga shteti më i madh i Amerikës Latine janë tronditëse.
Autoritetet mjekësore në Rio de Janeiro dhe katër qytete të tjera të mëdha po paralajmërojnë se sistemi shëndetësor është pranë kolapsit.
“Spitalet nuk kanë më kapacitete për të pritur pacientë të rinj”, raportojnë mediat.
Në Manaus, qytetin më të madh të Amazonës, autoritetet janë detyruar të hapin varreza masive për shkak të numrit të lartë të vdekjeve.
Brazili raportoi të enjten ditën më të keqe pasi në vend u regjistruan 3 mijë e 700 raste të reja dhe 400 viktima.
Por studiuesit e Universitetit të Sao Paulos nuk i besojnë këto shifra.
Ata kanë deklaruar se numri real i të infektuarve llogaritet të jetë nga 587,000 deri në 1.1 milion.
Sipas tyre, numri prej 6700 testesh në ditë që po realizon qeveria është i vogël dhe nuk pasqyron situatën reale të infektimit me Covid-19 në Brazil.