Debati për testimet, Rama: Ekspertëve u heq kapelen, ne të tjerët jemi si tifozë që këshillojnë lojtarët

27 Prill 2020, 22:16Politika TEMA

Kryeministri Edi Rama ka thënë se çështja e testimeve i përket ekspertëve dhe deri tani ai nuk ka dyshime se rezultatet janë pozitive.

Rama thotë se testimet janë vetëm çështje e ekspertëve kurse të tjerët filluar nga ai vetë janë si ata tifozët në stadium që i thërrasin dhe i japin këshilla lojtarëve apo trajnerëve.

Për më tej ai tha se faktet deri tani i japin të drejtë ekspertëve dhe nuk janë testimet ato që ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes.

Nga ana tjetër Zaloshnja thekson se me rihapjen do të rritet numri i të infektuarve, pra probabiliteti është i madh që të rritet kjo por nga ana tjetër me rritjen e të infektuarve veç rritjes së testimeve duhet të rritet edhe personeli shëndetësor. Të paktën sipas Zaloshnjës këtë po bëjnë vendet më të mëdha.

“Eshtë një debat i cili është humbje kohe përtej debatit të brendshëm në tryezën e ekspertëve. Të gjithë të tjerët nuk bëjmë asgjë tjetër bëjmë hipoteza tifozësh kur përgatisin një ndeshje në imagjinatën e tyre apo kur i japin këshilla nga shkallët lojtarëve apo trajnerit.

Ajo që ka më shumë bazë është rezultati i ndeshjes. Rezultati është shumë pozitiv. Numri i të vdekurve është shumë pak po t’i shohësh me sa mund të ishin nëse nuk do kishim bërë këto.

Kemi një sistem shëndetësor tërësisht i relaksuar me ngarkesën në krahasim me sistemet e tjera. Këto të dyja e matin ndeshjen.

Testimet janë debat dhe çështje e ekspertëve. Ata kanë treguar me fakte që kanë të drejtë dhe nuk kam pse dyshoj tek strategjia e tyre.

Unë e thashë dhe do e them që kjo nuk është çështje as e publikut, as e gazetarëve, as e politikanëve por e atyre që udhëheqin betejën në vijën e zjarrit dhe bëjnë strategjinë e kësaj lufte.

Kur rezultatet janë ato që përcaktojnë suksesin në kohë. Sa kemi të shtruar, sa në gjendje të rëndë, sa humbje jete janë në favor të tyre dhe unë u heq kapelen”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje