Milionat e UEFA-s, FSHF: Gjysma për Kukësin, të tjerat të shohim se kemi planifikuar investime

29 Prill 2020, 09:51Sport TEMA

Caktimi i një fondi që arrin deri në 4,3 milionë euro nga UEFA, ka kthyer disi gëzimin te klubet shqiptare, të cilat mendonin se në rast krize, ky fond do të përdorej për t’i shpëtuar ata gjatë ndërprerjes për shkak të kësaj pandemie.

Por nga zyrat e FSHF bëjnë të qartë se këto para vështirë se do të shërbejnë për të zgjidhur çështjet madhore që mund të vënë në diskutim edhe mbijetesën e klubeve të veçanta që nuk kanë mbështetje të fortë financiare.

“Fondet e projektit HatTrick janë përdorur për infrastrukturën, janë fonde që në të kaluarën janë përdorur për stadiumet si ai i Elbasanit, i Shkodrës, “Arenën Kombëtare” apo edhe projekti i 12 fushave që ka qenë dikur projekti HatTrick 2. Ideja e vendimit të Ekzekutivit të UEFA-s është një mënyrë rialokimi i këtyre fondeve.

Pra në vend që t’i përdorësh të gjitha për investime si planifikohet, të kesh mundësinë që ta përdorësh për futbollin në përgjithësi. Mund të jenë investime apo nëpërmjet fondeve të ndryshme, i lë të lira federatat të mos jenë të kushtëzuara në investimë e projekte, por ta përdorin në këtë lloj mënyre”, tregoi për RTSH drejtori i Administratës në FSHF, Kejdi Tomorri.

Ai më pas dha lajmin e keq për klubet shqiptare se një pjesë e këtyre parave ishin tërhequr paradhënie që më parë për stadiumin e Kukësit, ndërsa pjesa tjetër, edhe pse mund të përdorej për të ndihmuar futbollistë, ishte programuar për investimet e FSHF-së.

“Rreth gjysma e këtij fondi është përdorur nga FSHF pasi bëhet fjalë për projektin e stadiumit të Kukësit, sepse është një projekt i cili është nisur tashmë dhe është aplikuar për një pejsë të fondit dhe janë marrë ato të ardhura.

Ndërsa pjesa tjetër do të shihet, se kemi investime të tjera të planifikuara dhe të shohim se si do të veprojmë, nëse do të ndihmojmë komunitetin e futbollit siç kemi bërë me pagën e parë, do të shohim ecurinë”, shpjegoi Tomorri duke bërë të qartë se ndihma e UEFA-s mund të mos mbërrinte te futbollistët në këto momente nevoje dhe se FSHF mund t’u japë prioritet investimeve infrastrukturore të cilat në teori edhe mund të presin për një moment të dytë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje