Në Itali ditën e djeshme iu është dhënë drita jeshile klubeve për të filluar stërvitjet në mesjavë, gjithnjë duke ruajtur masat distancuese. Por, para këtij vendimi ishte vendosur se mund të vrapohej në parqe apo të ushtroheshin në hapësira publike.
Mbi këtë vendim ka pasur edhe një replikë nga ana e ish-trajnerit të kombëtares, Xhani De Biazi, i cili shprehet se kushdo që i merr këto vendime atëherë ndoshta nuk ia ka idenë si është një qendër sportive në Serinë A.
“Mendoj se ka shumë konfuzion. Nëse lejon një futbollist të shkojë të ushtrohet në një park, besoj se është shumë më e rrezikshme se sa këtë ta bëjë në një qëndër sportive.
Mbase ata nuk i dinë situatat e qendrave sportive. Aty ka mundësi për të mbajtur distancën dhe për të qenë në një mjedis të mbrojtur. Mbase ata që vendosin rregullat nuk kanë veshur ndonjëherë tutat sportive dhe kjo lë shumë për të dëshiruar.
E kuptoj që duhet të mbrojmë shëndetin, por kjo nuk pengon t’i bëjmë gjërat në një tjetër mënyrë. E rëdësishme është që djemtë të monitorohen dhe nëse janë negativë atëherë asgjë nuk i ndal të rikthehen në fushë, të prekin topin. Dhe, ndërkohë gjejnë formën fizike”, u shpreh De Biazi.