Të ndërtosh, apo të mos ndërtosh. Kjo është çështja.
Pandemia e Covid 19 ka prekur të gjithë rruzullin. Pas humbjeve të konsiderueshme të jetëve që janë dëmi më i rëndë dhe i parikuperueshëm, pas tyre vjen ekonomia.
Pothuajse të gjitha shtetet janë në një krizë kokëdhembjeje sa i përket situatës financiare.
Të gjitha shtresat janë prekur dhe kjo e bën akoma më të vështirë rimëkëmbjen, edhe për ato vende që konsiderohen me struktura të shëndosha ekonomike. Për rrjedhojë, vetëkuptohet edhe vështirësitë jetike që janë hasur në një vend të varfër dhe me informalitet si Shqipëria.
Një nga sektorët falimentues në aspektin ekonomik, ka qenë dhe vazhdon të jetë futbolli. Konsiderohet i tillë, pasi në mënyrë sistematike, klubet e futbollit nuk shkojnë pothuajse asnjëherë në bilanc pozitiv (me përjashtim të Skënderbeut në pak vite).
Formati funksionues konsiston në disa biznesmenë që heqin me qindra milionë lek nga arka e familjes së tyre, për t’i humbur në këtë sport aspak rentabël.
Në një kampionat pa sponsor, ku kampioni përfiton shpërblim më pak se rroga e një muaji dhe ku e drejta televizive vlen sa për të paguar gjobat e kartonëve të lojtarëve gjatë një edicioni.
Gjithsesi, pavarësisht problemeve, vitet e fundit nuk kanë munguar investimet madhore.
Në bashkëpunim me shtetin dhe UEFA-n, FSHF ka financuar ndërtimin e disa stadiumeve të rinj, me mijëra vende ulëse dhe me miliona euro investime.
Stadiume, që për hir të së vërtetës, kanë qenë me maksimumi 50% të biletave të shitura, në rastin më të mirë.
Kjo tregon se është zgjedhur strategjia e stadiumeve të mëdhaja për t’u parë, po të vështirë për t’u mbushur, apo për të qenë investime fitimprurëse.
Në pjesën kryesore të stadiumeve të reja, kostoja e mirëmbajtjes është më e madhe, se sa të ardhurat që gjenerojnë.
Por, kjo ka të bëjë me strategjinë e gabuar të Federatës, e cila ka preferuar të shtojë sasinë e parave për më shumë shkallë stadium, se sa për të menduar më shumë për brezat e rinj dhe akademitë.
Shembulli “Partizani”
Klubi i kuq është i vetmi që ka zgjedhur një strategji për brezat e rinj të Shqipërisë, ata që janë edhe numri më i madh i aplikimit të këtij sporti.
Në projektin që po financon presidenti Demi, pjesën më të madhe e zënë fushat stërvitore, një hotel me 50 dhoma, ku mund të akomodohen edhe të rinj të talentuar, pishina të jashtme dhe të brendshme, salla për mësimdhënie teorike dhe një “butik stadium” me 4 mijë vende.
Përveçse kemi të bëjmë me një klub legjendar, ku niveli i tifozerisë së tij zë vendet e para në rang vendi, kemi të bëjmë me të parin investim privat, të një niveli të tillë.
Por, shembulli i Partizanit është ai që të bën të ngresh pikëpyetje mbi strategjinë e investimeve të FSHF-së.
A është më mirë qeveria e futbollit të hedhë miliona euro në shkallë stadiumi që qëndrojnë bosh dhe që vlen për të krijuar “statuja” që mbahen mend në pak vite, apo të investojë në projekte të akademive dhe komplekseve sportive,e që do i shërbejnë me mijëra fëmijëve, që të rriten në kushtet elitare.
A ka ardhur momenti që të investohet tek e ardhmja, për të krijuar breza që e praktikojnë futbollin në nivel europian, duke mësuar jo vetëm futbollin në fushë, por edhe kuptimin e tij jashtë saj.
A duhet që Federata të heqë dorë nga “monumentet” me shumë beton dhe pak produktivitet dhe të ndjekë shembullin e vendeve të tjera të vogla si Luksemburgu apo Islanda, që investuan tek e ardhmja dhe patën sukses?!
Këto janë pikëpyetje që në fakt duan largpamësi në zhvillim.
Sa i përket stadiumeve, ato e meritojnë kapacitetin mijëravendësh, kur të kemi edhe një kampionat që krijon më tepër besueshmëri dhe shikueshmëri…
Dhe mbi të gjitha, duhet të falenderohen më shumë presidentët e kluveve elitare për investimet kolosale që hedhin për të mbajtur gjallë këtë sport, se sa milionat e Federatës për beton (përfshirë zyrat luksoze që po ndërton për veten e saj).
Pa njerëz si Demi, Gjici, Halili apo Hasanbelliu, që zgjedhin të humbasin qindra milionë në rroga sportistësh, sot do kishim një kampionat pa imazh dhe pa nivel.
Ndaj, ka ardhur koha, që para se të shpenzohet pa busull, të investohet në të ardhmen dhe jo në beton…(Vipsport)