Prishi rregullat!

5 Maj 2020, 10:06Blog TEMA

Nga Enver Robelli

Më 6 prill 1941 Astrid Lindgren shkroi në ditarin e saj: “Trupat gjermane sot në mëngjes depërtuan në Jugosllavi dhe Greqi! E pritshme. Që nga puçi i Mbretit Petar gjendja u tensionua gjithnjë e më shumë”. Por suedezja e re besonte se në Ballkan gjermanët nuk do ta kishin aq lehtë si në Norvegji, Holandë, Belgjikë apo Francë. Në botën mbarë Astrid Lindgren nuk do të bëhej e njohur me ditarin e saj, por me një libër që mban datën 26 nëntor 1945 – “Pipi Çorapegjata”. Vajza që i thyen rregullat. Vajza që nuk ngurron të thotë atë që mendon dhe të bëjë atë që dëshiron. Vajza që e do lirinë. E pakufishme.

Kur Pipi Çorapegjata hyri triumfalisht në botën e njerëzve, pjesa më e madhe e Evropës ishte një fushë me rrënoja. Miliona të vdekur, miliona të çrrënjosur nga lufta, miliona të plagosur, miliona pa shtëpi. Viktima dhe vrasës. Nazizmi e fashizmi ishin mposhtur, komunizmi i tipit stalinist po fillonte fushatën e re të përndjekjes së atyre që i konsideronte të padenjë për të jetuar në “demokracitë popullore me punëtorë e bujq”. Në atë botë të errët koncepti i të drejtave të njeriut ende nuk ishte etabluar. Në vitet në vijim të drejtat e njeriut në shumë vende e përjashtonin gruan. Vajzat duhej të ishin të dëgjueshme, “grua shtëpiake”, njëri prej komplimenteve me helm që dëgjohet edhe sot (jo vetëm aty-këtu në viset shqiptare), pra një grua që mbarështon e qeveris shtëpinë, amvise. Megjithatë, Pipi Çorapegjata me kryeneçësinë e saj fantastike ka ndikuar në çlirimin e vajzave dhe grave nga prangat e patriarkalizmit.

E heshtur, e dashur, e bukur, vetëmohuese. Këto ishin pritjet e jo pak prindërve nga vajzat e tyre. Për fatin e tyre vendosnin prindërit. Në cilën shkollë do të shkonin. Me kë do të dilnin. Kur do të dilnin. Dhe kur duhej të ktheheshin në shtëpi, nëse fare lejoheshin të dilnin. Nga ana tjetër: djemtë duhej të ishin të fortë, të pamposhtur, të patrembur dhe mobilë. Pa kufizime. Kështu ka qenë Evropa.

Si askund tjetër, prapambetja vërehet te e drejta e votës. Zvicra është kampione në këtë drejtim. Tek në vitin 1971 gratë në këtë vend fituan të drejtën të votonin. U mbajt një referendum nacional dhe u vendos që gratë të jenë të barabarta me burrat në kutinë e votimit. Shumica e kantoneve e pranuan rezultatin. Por kishte edhe kantone kryeneçe. Zvicra lindore dhe ajo qendrore, më saktë burrat e kësaj pjese të Zvicrës në kantonet St. Gallen, dy Appenzellët, Thurgau, Glarus, Schwyz, Obwalden dhe Uri thanë: gruaja e ka vendin te magjja, jo te kutia e votimit.

Më së shumti qëndroi kantoni Appenzell Innerrhoden: tek më 1990 burrat kapitulluan dhe pranuan që edhe gratë mund të votojnë. Nuk u dorëzuan me dëshirë, por pas një vendimi të Gjykatës Federale të Zvicrës. Shqipëria në krahasim me Zvicrën mund të quhet progresive. Më 1920 u miratua e drejta aktive e votës, ndërsa menjëherë pas Luftës së Dytë gratë fituan edhe të drejtën pasive të votës. Para Luftës së Dytë Botërore në asnjë parlament shqiptar nuk kishte asnjë grua deputete. Edhe në Kosovë tek pas Luftës së Dytë Botërore gratë fituan të drejtën e votës.

Pipi Çorapegjata ishte personazhi revolucionar. Nuk ishte princeshë si vajzat te përrallat e Vëllezërve Grimm. Ose si Heidi (Hajdi) e shkrimtares zvicerane Johanna Spyri, e cila ishte shkulur nga vendlindja dhe duhej të duronte karaktere të mërzitshme grash në qytet. “E lumtur dhe radikalisht e çliruar nga frika, Pipi jetonte pa prindër në një vilë, e gëzuar, pa gajle, e dashuruar në veten e saj dhe me shumë dashuri për të tjerët. Për dallim nga shumë lexuese dhe lexues të saj të parë të vegjël, ajo nuk kishte vuajtur kurrë nga uria, nuk kishte kaluar asnjë natë në bodrum për të shpëtuar nga bombat, nuk e dinte çka është lufta dhe nuk kishte prindër apo arsimtarë të dhunshëm”, shkruan gazeta gjermane “Die Zeit”.

Te Pipi Çorapegjata gjithçka është me bollëk. Hapësirë, natyrë, para, ushqim, ëmbëlsira. Një botë përrallore me një komandante: Pipi. Ajo dhe shpikësja e saj, Astrid Lindgren, mund të konsiderohen ndër feministet më me ndikim. Pipi është një Simone de Beauvoir për fëmijë që duan të rriten të lirë.

6 komente në “Prishi rregullat!”

  1. Baliu says:

    Astrid Lindgren i ka krijuar tregimet me Pipin per ta argetuar vajzen e vet te vogel, e keto interpretimet tjera jan thjesht trillime te lira.

  2. Olimpia says:

    Robell,me qe e quan vehten te pavarur po te kujtoj…Qe ne fund te shekullit te kaluar ne trojet shqiptare,sidomos ne juglindje filloi clirimi fillestar i grave shqiptare,me frekuentimin e shkollave shqip dhe me mesueset e para vajza dhe gra shqiptare.Ne periudhen pas luftes se pare boterore deri ne 1939 pati nje perparim te ngadaleshem gradual ne shkollimin,pjesmarrjen ne pune dhe clirim shoqeror te gruas shqiptare.Kuptohet,Ishin vetem disa dukuri ne disa qytete kryesore,si Korca,Shkodra,Tirana,Elbasani,Gjirokastra.
    Ty Robell nuk te pelqen sigurisht,por levizja e pare masive qe filloi ta nxjerre gruan shqiptare nga gjendja e nje poshterimi dhe shtypjeje shekullore ishte Lufta Antifashiste Nacionalclirimtare.Ishte kjo periudhe kur vajza shqiptare theu mbylljen,injorancen,friken,poshterimin shekullor dhe rrembeu armet per liri ,si e barabarte me djemte shqiptare,ne perballjen me nje okupator te eger e te fuqishem.Mbi 7000 vajza ishin pjestare te ushtrise se lavdishme partizane te cilat luftuan me heroizem njesoj si dhe burrat dhe me qindra prej tyre rane heroikisht ne betejat e pergjakeshme.Ishin dhjetra mijra gra dhe vajza qe nate e dite pergatisnin ushqime dhe veshje per Ushtrine N.Cl.Ishte ky moment historik qe cliroi gruan shqiptare,qe i dha asaj te drejta te barabarte ne jeten shoqerore,ekonomike dhe politike.Sot eshte 5 Maji,dita perkujtimore e deshmoreve te atdheut,..Nder dhe lavdi te perhereshme vepres se tyre ,ndermjet te cileve spikatin edhe sakrificat e vajzave dhe grave shqiptare te te gjitha trojeve,perfshi edhe atyre te UCK…
    Robell,mund ti permendje keto fakte pasi sigurisht i njeh,por je teper i vogel per tu bere gazetar i madh…Nderkohe qe keto fakte i permendin edhe aleatet tane perendimore qe ishin prane njesive partizane…Historia Robell perpara se te shkruhet,ndodh,si rrjedhoje nuk mund te cbehet duke u harruar nga disa…E harron ti por nuk e harrojme ne qe nuk jemi sherbetore te nje pronari gazete.

  3. Kosovari says:

    Paske mbetur sot pa ide Enver. Po na shkruan për pipin kur pinokët po e vërshojnë hapsirën shqiptare.

  4. labi says:

    Olimpia mos u merr me kete pseudo gazetar qe perkthen nga Gjermanishta e Frengjishtja shkrime ne shtypin e huaj dhe ja shet Meros si mendime te vetat,jetoj 20 vjet ne Zvicer dhe jam qytetar i saj si ky Robelli,por kurr nuk e kam pare e degjuar kete trimin te hyj ne debat intelektual e gazetaresk me ndonje gazetar ose gazetare Serbe qe jane me shumice ketu ne Zvicer,kane dhe lobin e fuqishem ne Lausanne,nje gje i them ketij Kosovarit, jo vetem e drejta e votes ne Shqiperi per grate por dhe pjesmarrja e tyre aktive eshte krenari per ne si komb,duhet ta di ky qe vetem keshtjellat dhe ndertimet e antikitetit qe jane ne Shqiperi nga Shkodra e deri ne Sarande mund te rrime perballe Zvicres me koken lart,Zviceranet mburren me disa keshtjella te vogla qe i perdorte Napoleoni kur kalonte ketej me dashnore,e ne kalate tona eshte bere lufte kunder perandorise me te madhe te kohes.

  5. xyz says:

    Robbelli gjithmon u ka dale ne mbrojtje pinokeve,ha,ha …Ai e dredh e dhredh po kurre te verteten se thote.

  6. Baliu says:

    Robelli ka qene “hiperaktiv” qe nje vit a me shum, eshte e natyrshme qe ti shterohen idete. Pse te mos bej pak pauze. Me rendesi eshte qe te mos bie ne nivelin e te “zhgenjyerve” me performancen e zotit Kurti, kjo do ta demtonte imazhin e tije qe e ka mberri me shum shkrime te shkelqyeshme. Sei wie du bist Robell.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje