Për disa heronj të ditëve tona të cilët po përpiqemi t’i vrasim

3 Maj 2020, 17:28Blog TEMA

Nga Andrea Danglli

Teksa përpiqem të imagjinoj sesi mund të duket një hero, në mendje më skicohen rreshtat e librave të fëmijërisë ku ata shfaqen me shpatë në dorë, me parzmore në krah, me heshta mbi sup, me trup të lidhur fuqishëm, me vetulla të ngrysura, me veshje të posaçme apo me zë kumbues që i prin bindshëm turmave për ndryshim.

Pothuajse të tillë kanë qenë për kohën kur kanë jetuar, duke i përçuar historisë një imazh heroik të cilin e kemi të vështirë ta ndryshojmë kur vjen fjala për të personifikuar heronjtë e rinj të ditëve tonë. Unë pretendoj se njoh disa të tillë pavarësisht se kanë të vizatuar një tjetër portret.

Njoh disa që sot gjenden mes idealeve që ua mbajnë kokën lart, fisnikërisë që u kalit kurajon, presioneve të pamata, portofoleve modeste apo shembujve negativë të cilët shtohen çdo ditë për t’i tërhequr si spirancë drejt fundit.

Janë ca heronj që i shohim në ekran, i lexojmë nëpër gazeta, i ndjekim nëpër portale apo i takojmë në vendngjarje dhe fatkeqësisht, asnjëherë nuk ua vlerësojmë sa duhet kontributin.

Mjafton që njëri prej tyre të gabojë e atëherë “kostumi” i superheroit zhvishet padrejtësisht për të gjithë duke i lënë ata të vetëm dhe të ekspozuar përpara sulmeve frontale të të gjithëditurve, të cilët në të tilla raste nuk e kursejnë moralin me doza hipokrite, epitetet bulevardeske apo fashitjen e të gjithë punës së tyre.

Janë ca heronj të rinj që quhen gazetarë të rinj dhe ty që po më lexon ta kërkoj si nder që të mos nxitosh të nxjerrësh paragjykime nga goja pa më ndjekur deri në fund. Po flas për ata që këto ditë pandemie kanë sjellë lajmin e fundit në shtëpinë tënde duke qëndruar të ekspozuar përballë rrezikut, krizës ekonomike dhe paragjykimeve të publikut të cilat nganjëherë janë më vrastaret.

E di që mund të mos jesh dakord me mua sepse media shpeshmi nuk është ajo që duhet të jetë, por të lutem, le të mos ngatërrohemi: Gazetar nuk është veç ai që ti e sheh rëndom në banaqet e kompromiseve duke tjetërsuar të vërtetën për qëllime të nëndheshme, të cilat me të drejtë të kanë zbehur ty besimin tek e vërteta. Kujdes! Ajo që ti sheh aktualisht është vetëm tymnaja e errët që del nga lufta e vazhdueshme që po zhvillohet mes mentalitetit të vjetër mediatik dhe atij të ri. Në këtë përballje fiton ai që përkrahet më tepër dhe të gjithë e dimë që për shumëkënd kjo klimë është diçka e mrekullueshme, por për të tjerë mbetet e papranueshme.

Po flas për “bletët e informacionit” që nuk kanë as biznese me politikën, as vila luksi nga politika në mal apo det dhe as llogari të majme bankare.

Po flas për një gjeneratë të re, për të cilën ti që po më lexon, bashkë me të gjithë shoqërinë je ende në kohë për të ushtruar përgjegjësinë tënde qytetare duke i siguruar asaj trasenë e duhur të integritetit. Besimi te ta është e vetmja alternativë që mund të mbajë në këmbë gazetarinë, duke e hequr nga putrat e opinionbërësve të cilët e kanë shndërruar këtë profesion në marrëdhënie publike me pagesë për aktorët e politikës apo biznesit.

Fytyra e medias nuk është veç në dorën e një apo dy individëve: është e gjithë shoqëria ajo që krijon klimën e përshtatshme që  ndershmëria, talenti dhe trimëria e tyre të çajë përpara.

Sot, në ditën ndërkombëtare të lirisë së medias, gjëja më komike është të ndjekësh reagimet e shumta nga kampet politike, organizatat apo nga biznesi, të cilët çuditërisht gjejnë guximin për të folur.

Natyrshëm të vjen në mendje ajo shprehja “I vret natën dhe i qan ditën”, e i referohem këtu një vrasjeje akoma më të madhe sesa ajo me plumb: ekzekutimit të integritetit profesional përmes metodave nga më të ndryshmet.

Nuk është nevoja të thurim elozhe dhe as të vendosim kujën për median e re, por ta respektojmë duke ia njohur meritat dhe hallet në mënyrë që të kemi atë që duhet.

Nganjëherë nuk është nevoja të lexosh raporte, pasi mjafton të telefonosh disa gazetarë të rinj për të kuptuar gjendjen reale në të cilën ajo ndodhet.

Kështu për shembull së paku mund të kuptosh edhe ato që raportet nuk i thonë ku: Pak e dinë që në kohë pandemie, në një kohë kur të gjithë kontributorët në vijën e parë janë vlerësuar maksimalisht me të drejtë, mjaft gazetarëve që kanë qëndruar në të njëjtat hapësira për të përcjellë zhvillimet u janë ulur dhe vonuar pagat.

Po ashtu, pak e dinë që mjaft gazetarë të rinj paguhen po aq sa një punonjëse e thjeshtë fasonerie (me gjithë mirënjohjen për punën e stërlodhshme të atyre zonjave).

Pak e dinë se shumica e gazetarëve të rinj janë të kequshqyer, sepse zakonisht i kushtohet më shumë rëndësi shuarjes së urisë për lajmin sesa asaj për bukën e gojës.

Pak e dinë edhe që në të shumtën e rasteve është gazetari i ri ai që bëhet “kokë turku” moralisht dhe financiarisht kur gjërat nuk u shkojnë mirë “sheikëve” të medias.

Pak e dinë edhe që barrën e përplasjes së pronarëve të medias me politikën e vuajnë kryesisht gazetarët, ndërkohë që gjeneralët e medias qëndrojnë të palëkundur në bedenat e tyre duke pritur çantat e rryshfeteve.

Kaq janë pak! Sa e sa shumë shembuj të tjerë gjërash ka, të cilat dëshpërimisht pakkush i di…

Jam i vetëdijshëm që media jonë ka trashëguar 1001 probleme, por ama duhet pranuar se pulsojnë shenja të vogla shpresëdhënëse të cilat nëse merren në konsideratë dhe nëse ne veprojmë në kohë, mund t’ia heqin litarin nga fyti gazetarisë për t’i dhënë lirinë që i duhet.

Le të mos i vrasim heronjtë e ditëve tona me paragjykimet e së shkuarës të cilët frymëzojnë veç dashakeqët që duan t’i nxjerrin jashtë loje.

Misioni i tyre nuk ka nevojë as për buste bronxi dhe as për himne, por vetëm për mbështetje qytetare në mënyrë që integriteti dhe talenti i tyre të vihen në shërbim të lajmit i cili domosdo duhet të fitojë mbi tymnajën e së djeshmes.

Udhëtimi i tyre ka nisur dhe duhet të vazhdojë!

 

5 komente në “Për disa heronj të ditëve tona të cilët po përpiqemi t’i vrasim”

  1. Besim Kume says:

    Realitet i hidhur ne pak rreshta, te lumte pena Andrea

  2. halit says:

    Te lumte mendja dhe pena bravo

  3. Bozhigradi says:

    Gazetaret e nje shoqerie jane si antitrupat ne trupin e nje njeriu.
    Kur nje sasi virusesh gjejne rrugen dhe futen ne trupin e nje njeriu, te paren gje qe ben trupi, verifikon “kete mik te paftuar” dhe me pas nis ushtaret qe ka gati per mbrojtje, nenkupto ANTITRUPAT PERKATES per kete tip semundje, dhe fillon betejen per jete a vdekje me armikun, nenkupto VIRUSET. Fitorja ose humbja varet nga disa faktore: 1. A jane gati antitrupat per viruset e sapohyra; nese po, trupi reagon direkt dhe fuqishem dhe shanset per te fituar jane shume te medha; nese antitrupat nuk jane gati, trupi ne ke te rast i corientuar, do me shume kohe qe ta njohe virusin, te prodhoje antitrupat perkates, dhe pastaj te filloje sulmin per te fituar mbi te. Vetekuptohet qe do me shume kohe dhe shanset per te fituar betejen jane me te vogla.
    2. A eshte virusi nje virus normal, apo nje virus ileqar dhe i paparashikueshem. Nese virusi qe sulmon trupin eshte normal, thene me qarte natyral, si shume te tjere, trupi e ka te natyrshme ta luftoje qe ne fillim, sepse ne kete rast e ka ndihmuar vete evolucioni per te patur ANTITRUPAT gati dhe per ta sulmuar armikun-virus qe ne kontaktin e pare me te. Natyrisht, nje trup i shendoshe ka shanse te padiskutuara te fitoje sepse ai punon fort dhe papushim per te mposhtur virusin. Ai dergon antitrupat pergjegjes qe i ka gati per ta luftuar virusin, dhe nderkohe prodhon te tjere papushim per te fituar betejen. Edhe ndihma me ilacet perkatese qe merr pacienti, eshte nje ndihme e pamohuar dhe shume here vendimtare per fitore. Por ne po flasim per antitrupat.
    Nese virusi qe sulmon eshte ileqar, ai e corienton trupin pasi peson mutacion ne cdo moment, qe do te thote , formon forma te reja e te reja, nje forme e ndryshme totalisht nga forma e meparshme. Ne kete rast trupi corientohet, sapo mer informacionin per sulmuesin fillestar, fillon punen per te formuar antitrupat perkates, kur hop, ne nje moment te dyte, po ky virus shfaqet me nje forme tjeter, qe atitrupat qe trupi i ka prodhuar, nuk e luftojne dot. Eshte e qarte qe beteja ne kete rast eshte shume e veshtire per t’u fituar.
    Ne disa raste, trupi detyrohet te dergoje ushtaret e tij te mbrojtjes qe te shkaterojne qelizen ku ndodhet sulmuesi-virus, ne perpjekje per te fituar mbi virusin. Pra ai ben veteshkaterimin e tij vetem e vetem qe te fitoje mbi virusin.
    Edhe shoqeria jone eshte si nje trup njeriu. Gazetaret jane nje prej atitrupave te ketij trupi. Kur nje e keqe shfaqet ne shoqeri, ata jane atje, te paret, ne lufte me te keqen dhe ne perpjekje per ta fituar betejen. Nje shoqeri e shendoshe, ka edhe antitrupa me te forte, me te pergjegjshem, qe nuk bejne kompromis me te keqen, qe luftojne papushim dhe shoqerine e mbajne po ashtu te shendoshe.
    Ka dhe shoqeri, si shoqeria jone shqiptare, jo e shendoshe, pa pervoje, e pa konsoliduar dhe me teper hibride sesa natyrale. Ketu, antitrupat sulmojne me shume njeri-tjetrin, sesa te keqen. Dhe kjo per disa arsye: 1. Pandehin se jane te lindur per kete pune, dhe mjafton qe kane emrin atitrup dhe jane fillimi dhe fundi i gjithesise.2. Sulmojne me shume njeri-tjetrin sesa te keqen e vertete.3. Me qellim e corietojne shoqerine duke i hedhur per konsum gjera qe i sherbejne nje kauze te caktuar apo personave te caktuar.4. Shfrytezojne te qenurit antitrup per te perfituar per hesap te vet, dhe ne kete rast ben sikur lufton, por nuk lufton fare.5 Sulmon me qellim te caktuar figurat historike te kombit shqiptar, vetem e vetem qe te fitoje per momentin bosi i radhes, pa e vrare mendjen qe e keqja qe i shakton shoqerise eshte e pariparueshme dhe e lene kombin pa histori. A nuk eshte sulmuar Ismail Qemali dhe familja e tij? Po Ahmet Zogu dhe koha e tij? Po Sali Berisha dhe koha e tij? Po Fatos Nano dhe koha e tij?Po Ilir Meta dhe koha e tij? Po Edi Rama dhe koha e tij? . Ne jemi shoqeri qe ha veten e vet. Nderkohe qe antitrupat duhet te bejne detyren e vet. Duke luftuar ate qe eshte per te luftuar, dhe duke e mbrojtur ate qe duhet mbrojtur.

  4. Skenderi Hoxha says:

    Bravo per cka shkruan te lexoj me kenaqesi pergezime nga Athina

  5. qytetari says:

    Ne Shqiperine tone,ku gazetari eshte shndrruar ne tellalin e feudalit oriental,qe i sherben biznesit te tij dhe ne te njejten kohe
    ngjiret e bertet,qe qeveria,po ushtron dhune mbi fjalen e lire.
    Eshte nje paradoks,qe ndodh ketu,qe media e pronareve,qe prangos lirine e profesionit dhe i kercenon ekzistencen ekonomike gazetarve te vet,ja adreson te gjithe kete dhune qeverise.
    Qeveria,ka anen e saj,si mungesen e transparences se informacionit te gjere,nga institucionet e saj,por keto mbeten anesore,krahasuar me deformimin dhe shemtimin qe i ben fjales se vertete pronari i gazetes qe i sherben biznesit te tij.
    Ky palacollek,pozohet dhe merre force, ne vazhdim,nga nje dordolec,i vene ne pozicionin e kryetarit te gazetareve te Shqiperise,qe hidhet ne mbrojtje te lirise se shpifjes,qe ben pronari i paftyre i semure i lindur per perfitime te mbrapeshta.
    Qytetari i thjeshte e ndjen gjalle,qe gjithe kjo amalgame pronare,institucione te ´´pa varura´´te llojit birn,apo cipave e te tjere,ne realitet nuk kerkojne lirine e fjales,por lirine e lehjes,shpifjes dhe kafshimit tines.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje