Nga muzetë, stërvitjet e sportistëve, baret, restorantet e deri te hapja e kopshteve dhe çerdheve: Ja plani i rihapjes nga 11 maji e në vijim

8 Maj 2020, 20:12Sociale TEMA

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka lajmëruar fazat e ri-hapjes graduale, sipas planit të parashikuar, duke theksuar se do të vijojë të monitorohet me kujdes situate epidemiologjike.

“Nisur nga treguesit e deritanishëm, plani i ri-hapjes ka ecur sipas parashikimeve. Duke filluar nga dita e hënë, edhe 14 bashki të tjera i shtohen zonave të gjelbërta, të cilat do të kenë lehtësi lëvizje për automjetet deri në orën 21:00. I shtohen zonave të gjelbërta bashkitë: Lushnje, Patos, Roskovec, Korcë, Has, Kukes, Lezhë, Mirditë, Fushë-Arrez, Malësi e Madhe, Pukë, Vau Dejes, Kavajë dhe Vorë”, tha Manastirliu.

Në zonat e gjelbërta lejohet qarkullimi ndërqytetas me automjet privat (duke lejuar udhëtimin e më shumë se dy personave të së njejtës familje) deri në orën 21:00. Ndërkohë që mbeten në fuqi rregullat që ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave, aktivitetet kulturore dhe sportive dhe transporti publik si dhe njësitë ekonomike ende të mbyllura.

Po kështu, nga data 11 Maj lejohen të ushtrojnë veprimtari sipas protokolleve strikte të sigurisë, me të cilat bizneset janë njohur përgjatë kësaj kohe, aktivitetet si më poshtë, klinikat dentare, parukeri, berber dhe dyqanet në qendrat tregtare.

Një tjetër lehtësi nga data 11 Maj vlen për të gjithë të riatdhesuarit, të cilët do të vetëkarantinohen në banesë, pavarësisht se ku janë rezidentë.

“Në vijim të Planit të rihapjes, nëse do të vijojmë të kemi tregues të qëndrueshëm, sa i përket rasteve aktive ditore, numrit të shtruarve në spitale, pacientëve në terapi intensive, kemi planifikuar që prej datës 18 Maj do të vijojë proceesi mësimor dhe provimet e maturës shtetërore, sipas udhëzimeve dhe protokolleve të miratuara nga Ministria e  Shëndetësisë”, tha Manastirliu.

Po në këtë datë planifikohen të hapen njësitë e shërbimit, bare dhe restorante vetëm në ambjentet e jashtme deri në orën 17:30.

Duke filluar nga data 18 Maj shtohen fluturimet e riatdhesimit, me detyrimin për vetekarantiim në banesë.

Prej dates 18 Maj planifikohet të hapen nën rregulla rigoroze, muzetë, galeritë e arteve dhe sitet arkeologjike sipas protokolleve dhe udhëzimeve të miratuara si dhe do të lejohen me protokolle dhe masa sigurie dhe stërvitjet individuale të sportistëve në ambjente të hapura.

Do të vijojnë të jenë të ndaluara aktivitetet kulturore dhe sportive në ambientet e hapura dhe të mbyllura. Po kështu do të vijojë të mbetet në fuqi ndalimi i grumbullimeve me shumë se pesë personave në ambientet publike si dhe do të mbetet I mbyllur dhe transporti publik.

Manastirliu lajmëroi hapjen e çerdheve dhe kopshteve duke filluar nga data 1 Qershor, nëse situate do të vijojë të jetë e qëndrueshme.

“Nëse të dhënat do të jenë të qëndrueshme, bazuar në kriteret e përcaktuara nga Komiteti Teknik, nga data 1 qershor po planifikohet të lejohet hapja e çerdheve dhe e kopshteve publike dhe private. Dëshiroj të ndalem këtu, duke theksuar nevojën e një vlerësimi të thellë dhe shumë të kujdesshem të kushteve higjeno-sanitare për cdo strukture të kopshteve dhe cerdheve dhe standardeve qe duhet të plotesojne për të mirëpritur femijët në këto institucione me rregullat e reja”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve dhe bizneseve për respektimin e protokolleve të sigurisë, për të vijuar me planin e ri-hapjes dhe për të mos patur rritje të kurbës së epidemisë në vend.

1 komente në “Nga muzetë, stërvitjet e sportistëve, baret, restorantet e deri te hapja e kopshteve dhe çerdheve: Ja plani i rihapjes nga 11 maji e në vijim”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje