Opinionisti sportiv, Gëzim Sinemati, mendon se në këtë moment nuk duhet ngutur shumë me kërkimin me çdo kusht të caktimit të një date për rifllimin e Kategorisë Superiore.
Në fjalët e tij për “E Diell”, ai nuk ngurroi të thumbonte presidentin e FSHF-së, Armand Duka, i cili duket se është i vetmi që po shtyn me forcë për rifillimin e aktivtetit.
“Presidenti jonë del në televizor javë për javë, edhe para se të vinte pandemia. Ai është president që luan shumë fort, vrapon shumë kilometra në ekran, do të thoja po t’i mungojë ekrani do t’i dalin keq edhe analizat. E ka shumë të rëndësishme të dalë në ekran, ka një arsye pse i dhemb vetëm atij se sa më shumë të zgjasë, aq më shumë do paguhet ai detyrimi financiar klubeve.
Nuk duhet të nxitohemi shumë, nuk duhet të jemi të parët, as të kopjojmë më të mirët. Ne duhet të kopjojmë një nxënës të keq, të mos kopjojmë Bundesligën. Nëse kopjon nxënësin e mirë të ngelen gjunjtë rrugës. Edhe Gjermania javë për javë po mendohet mirë të hedhë hapin se do të bëhet model botëror.
Më përpara ishte batutë se kur luajnë dy ekipe futbolli në finale, fiton Gjermania. Tani është një finale tjetër se është edhe futbolli, edhe finale jete. Prapë i ka rënë Gjermanisë ta mundë epideminë, është mision historik.
Futbolli gjithmonë tregohet i paduruar dhe me këtë lloj reagimi që ka hyn te të përkëdhelurit. Kërkesa i kanë bërë Ministrisë edhe sportet e tjera, as nuk i ka dëgjuar. Nuk mund të jepet datë fikse, kam dëgjuar njerëz nëpër botë që thonë të fillojnë njëherë kampionatet pararojë, ata duhen mbëhtetur, që kanë disiplinë, kanë një jetë që dallohen në situata të jashtëzakonshme e pastaj të kemi ne strategjinë tonë. Është shumë shpejt për të thënë një datë se kur mund të fillojë Superiorrja”, deklaroi Sinemati.