“Egbo do të jetë trajneri i sezonit të ri”, Refik Halili kundër Andi Lilës: Ai ka hallin e tij, jo tonin

11 Maj 2020, 20:41Sport TEMA

Tirana është në rrugën e duhur drejt titullit kampion. Edhe pse Coronavirusi i ka ndalur hovin, presidenti i bardhebluve, Refik Halili është optimist për cilësinë dhe organikën që ka skuadra e tij.

Në një intervistë të gjatë për “Fax Sport”, kreu i 24-herë kampionëve të Shqipërisë ka prekur shumë tema duke folur hapur për gjithçka që është pyetur. Nga situata e krijuar nga Coronavirusi, rrogat e lojtarëve, e ardhmja e Egbo-së, Sindikata e Andi Lilës e deri te Grent Halili te Partizani, kreu i Tiranës i thotë të gjitha.

“Unë jam një biznesmen që kam një shoqëri ndërtimi. E kam kaluar kohën në punë sepse kemi punuar gjatë gjithë kohës duke respektuar rregullat. Kam qenë në aktivitet sa i përket biznesit. Nëse do të flasim pastaj për futbollin, futbolli është totalisht i mbyllur. Presim nga momenti në moment të jepet miratimi që ne të fillojmë stërvitjen për të vazhduar kampionati nëse kjo do të bëhet e mundur nga instancat më të larta.

– Si po e përballon Tirana krizën?
Tani të gjithë jemi të shqetësuar për çfarë ka ndodhur. Fakti është që dhe lojtarët kanë qenë të shqetësuar. Gjithësecili e di vetë. Por, fakt mbetet që edhe futbolli ka pësuar një dëm të madh. Edhe ne jemi mësuar me futboll dhe duam të fillojë futbolli. Sportistët e kanë pasur më të rëndë sepse s’janë mësuar të pushojnë. Ndodhen të gjithë në Shqipëri si të huaj ashtu edhe shqiptarët. Presim të na jepet edhe e drejta për të luajtur.

– Sa janë humbjet e Tiranës pa futboll? Keni bërë një llogaritje?
Gjithësecili i di vetë gjërat e tij. Unë po flas për Tiranën. Do shohim se çfarë rregullash do të vendosen nëse fillojmë. Ne humbjet i kemi pak më të mëdha në këtë periudhë. Kemi një nga tifozëritë më të zjarrta. Nëse do të organizonim një ndeshje do të merrnim të ardhura nga biletat. Por, humbja më e madhe do të jetë mungesa e tyre në stadium. Pra do të ketë një humbje morale. Kishim në plane edhe 100 vjetorin, do të afronim edhe disa sponsor nëse do të arrinim te titulli. Do të kishim edhe disa të ardhura të tjera.

– Ka pasur reduktim të rrogave?
Unë s’po them që po bëj ndryshe nga të tjerët. Unë kam qef të jem afër presidentëve të tjerë. Të them të drejtën kam biseduar me djemtë para 10 ditësh duke qëndruar në distancë. Unë jam tip optimist dhe s’para kam frikë. Më duket diçka që çunat s’ka çfarë i gjen. Unë jam i përgatitur që pagat t’i paguaj, por nëse ata vetë do të vendosnin të bënin ndonjë skonto do të ishim dakort dhe ne si drejtues. Kjo bëhet për të vetmen arsye, për vetë klasifikimin, ecurinë që ka pasur skuadra gjatë këtij sezoni. Them se s’do i cënoj rrogat.

– A ishte Tirana më e humbura?
Unë ndjek FSHF, pak a shumë ajo është kupola jonë. Duke dëgjuar udhëzimet e tyre, ne e dimë çfarë kanë thënë ata. Duam që kampionati të vazhdojë. Tani se çfarë do të ndodhë, presim të merret një vendim. Nëse nuk zhvillohet kampionati dhe do të shpallemi kampion, të ardhurat nga UEFA dhe FIFA do të jenë. Por përveç këtyre të ardhurave, do të ishte një atmosferë edhe e mirë.

– Orges Shehi s’e llogariti fare Tiranën në ndeshje direkte…
Në radhë të parë Shehit i uroj suksese dhe ta shikoj siç ka qenë portier, uroj ashtu të jetë edhe trajner. Sa i përket pikëve, do të flasim në fushë. Kemi një skuadër të mirë dhe kemi lozur mirë. Unë jam i sigurt që shkojmë drejt objektivit pa problem fare.

– Egbo është shprehur se me kënaqësi do ta pranoja titullin dhe në tavolinë…
Rifillimin e kampionatit s’e kam unë në dorë. Kupola jonë është FSHF-ja. Nëse do të vendoset nga qeveria që do të luhet, ne do të luajmë. S’bëhet fjalë për 10 ekipe, por për shumë. Kjo do të jetë në të mirë të gjithëve. Me rifillimin e futbollit na duket sikur kemi mposhtur dhe sëmundjen.

– Tamponë?
Nuk ka rrezik për 20 lojtarë në 10 mijë metra katrorë. Nuk i gjen gjë futbollistët, nuk i kap kjo sëmundje. Lojtarët do të dijnë ta ruajnë veten sepse janë të kujdesshëm.

– Çdo të ndodhë me kontratat e futbollistëve?
UEFA dhe FIFA ka një udhëzim që thotë që gjitha kontratat shtyhen deri në fund të muajit gusht sepse janë rregulla për të gjithë klubet në botë. Jemi të qetë në këtë aspekt. Do të punojmë për kontratat e lojtarëve, për marrëveshjet e reja.

– Keni piketuar ndonjë lojtar?
Të them të drejtën, ka qenë tronditëse pjesa e Coronavirusit. Të shohim se çdo të vendosë qeveria shqiptare nëse do të luajnë ose jo skuadrat. Më pas do të shohim se çdo të bëjmë në të ardhmen.

– Do të merrni mendimin e EGBO-së për lojtarët?
Të them se s’do ta pyes, do të thonë të gjithë, shiko çfarë tha. Vendimet për afrimin e lojtarëve merren në bashkëpunim me drejtuesit, ndërsa për anën teknike merret parasysh sugjerimi i stafit teknik.

– A do të jetë Egbo trajner i Tiranës?
Këtë që ka bërë Egbo, s’e ka bërë askush. Po thyen rekorde. T’i thuash këtij trajneri që ti s’do jesh në krye të kësaj skuadre, është paksa jo normale. Kështu që them se do të konfirmohet edhe për sezonin e ri.

– Probleme me tatimet?
Përfitoj nga rasti që ka njerëz që interesohet se ishalla Halili bashkë me klubin po e thyejnë kokën. Por ne kemi përmbushur gjitha kriteret që ka FSHF-ja dhe UEFA. Kjo është një gjë që gjitha klubet e dijnë prej 3 muajsh. I kemi plotësuar të 3 kriteret. Kemi shpenzuar një shumë të konsiderueshme, pra kemi paguar çdo detyrim financiar. Mund të shihni se të gjitha llogaritë bankare janë të lira. Ne kemi bërë pagesat që na takojnë sipas marrëveshjes që kemi arritur.

– Pse nuk ishit sot prezent në Asamble online?
Mund të them që çdo gjë shkoi mirë. Me shumë respekt për Andi Lilën, por unë do të thoja që ne do të shikojmë Federatën, sepse ajo është që na mbron ne. Ajo ka kërkuar të bëhet një ligj. Shpreosj që një ditë të bëhet ligji i Sportit. Andi ka dëshirën të rregullojë lojtarët, por s’ka hallin tonë. Pra duhet dikush që të mbrojë dy palët. Andi shikon vetëm pjesën e futbollistëve. Unë s’jam ekspert të flas për të gjitha fushat e Asamblesë. Do të shohim vetëm shtëpinë tonë.

– Cilin lojtar do të donit t’i merrnit Partizanit?
Është shumë shpejt për të folur për merkaton. Nuk mund të them dot. Lojtarët janë në kontratë dhe s’më lejohet. Do të flas me stafin.

– A do e lejonit Grentin të vishte fanelëne  Partizanit?
Unë do i respektoj dhe i falënderoj të gjithë. Ai është i rritur dhe mund të vendosë. Ne tironsit është e vështirë të shkëputeshim nga sofra. Besoj se dhe Grenti s’mund të bëjë zgjedhje të tilla.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje