Për shumë është një model profesionalizmi, simboli i atyre që kanë arritur të ndërtojnë një karrierë të paharrueshme me përkushtim obsesiv për detajet. Megjithatë, Cristiano Ronaldo nuk ka lënë një kujtesë të mirë për ndonjë tjetër. Në mesin e atyre, që thjesht nuk kanë mundur ta honepsin dot portugezin, është Diego Forlan. Ky i fundit ndau dhomën e zhveshjes me të, në vitet e para të karrierës së CR7 te Manchester United.
Një antipati aq e fortë, sa ish-sulmuesi i Interit, ndër të tjera, dëshironte ta bënte të ditur vite më vonë, gjatë një interviste për “Mirror”, duke shkaktuar shumë diskutime: “Ronaldo ishte një person egoist në dhomën e zhveshjes, jo si Beckham. Ai gjithmonë dëshironte të ishte pranë një pasqyre. E kalonte tërë ditën duke u parë në pasqyrë”.
Uruguajani fliste për Ronaldon shumë të ri te “Djajtë e Kuq”, por edhe David Beckham, i cili u bë, po ashtu, një ikonë nga pikëpamja estetike dhe ajo e modës. Sipas Forlan, megjithatë, ylli anglez mbante një stil krejt tjetër, një qëndrim shumë më të natyrshëm se portugezi:
“Beckham ishte më i natyrshëm. Cristiano u dashurua me veten para pasqyrës, kjo ishte e tmerrshme. Beckham ishte më i organizuar dhe përmbajtur, edhe pse shumë i mirë si futbollist dhe ikonë mode. Asnjëherë nuk e pashë atë para pasqyrës”.
Cristiano Ronaldo nga David Beckham jo vetëm trashëgoi fanellën me numrin 7, por edhe një mentalitet fitues, që do ta ngjiste atë në Olimpin e më të mëdhenjve të këtij sporti. Me kalimin e viteve, vëmendja për pamjen ka mbetur, megjithatë, e shoqëruar nga një “palmares” personal për t’u pasur zili nga gjithkush.
Forlan dhe Ronaldo ndanë sulmin e Manchester United vetëm një vit, nga 2003 deri më 2004, përpara se sulmuesi amerikano-jugor të shitej te Villarreal. Një vit, i mjaftueshëm për ta bindur atë se kolegu portugez nuk ishte partneri më i mirë brenda i një dhome zhveshjesh në ndryshim.
Një tjetër mendim për pesë herë fituesin e “Topit të Artë” ka dhënë ish-shok i skuadrës, Markus Neymayr. Ai foli për karakterin e CR7. Për dallim nga Forlan, 34-vjeçari gjerman pati fjalë positive për kampionin e Juventusit, gjatë një interviste për “Goal”: “Nga ana e jashtme mund të duket pak i neveritshëm, por sjellja e tij është vetëm një maskë mbrojtëse. Unë e kujtoj atë si të shoqërueshëm dhe të hapur. Kur u bashkova me ekipin e parë, unë gjithmonë rrija në pjesën e pasme të autobusit me Cristiano Ronaldo”.
Një anë e personazhit, që Forlan duket se nuk kishte asnjë dëshirë për t’u thelluar në të, më shumë e prekur nga narcizmi dhe vëmendja ndaj estetikës së atij djaloshi akoma të papjekur, i cili me kalimin e viteve do të bëhej lideri i vërtetë i skuadrave të tij, brenda dhe jashtë fushës.