Lustracioni, gjykim realist apo paragjykim historik

21 Maj 2020, 14:08Blog TEMA

Nga Artan Xh. DUKA Prof. As. Dr

Tema e lustracionit ndaj së djeshmes po ridel sërisht në skenë dhe si gjithnjë “gogol” mbeten fjalët komunist e Sigurim Shteti. Si çdo sistem, edhe socializmi kishte shtet dhe “prizat” e tij mbi të cilat mund të debatohet gjatë nga këndvështrimi demokratik por ndërkohë, po standarti demokratik e kërkon të bëhet dallimi mes punës korrekte dhe atdhedashëse brënda ligjeve e rregullave të kohës dhe abuzimit që nuk njeh sistem.

Lustracioni “biografik” stonon në demokraci sepse “çelsat” e politikës e administratës dhe fatin e reformave i ka tjetërkush sot në dorë. Për më tepër, rrezikon të shndërrojë në farsë ndarjen me të shkuarën, të cënojnë kohezionin social dhe të bëjë “tymuesen” me gjueti shtrigash kur prioritet sot janë reformat dhe ndëshkimi i abuzimit elitar.

Historia nuk paragjykohet në demokraci ndaj dhe lustracioni “biografik” stonon kur tenton të “stampojë” qytetarin si çifutin nazizmi dikur apo të deklasuarin deri dje…

Nuk bëhet fjalë për harresë e tolerim. Shoqëria ka nevojë për transparencë dhe drejtësi ndaj abuzimit, i djeshëm apo sotëm, pa dallim por, nëse duhet një “biografi” për lustracion në shtet e politikë, ajo është korrektësia qytetare ndaj ligjit dhe rregullave në shoqëri.

Një lustracioni biografik diskriminon apriori mbi kritere ideologjike apo vëndit të punës, etiketon e përflet kontributin e dinjitetin e qytetarëve korrekt që në çdo sistem besojnë në shtet, ligje e rregulla dhe nuk abuzojnë me to. Dhe që në masë, qoftë komunistë apo në Sigurimin e Shtetit, ishin qytetarë idealistë që kontribuan për vëndin dhe që sot, më shumë se shpërfillja e punës, i brengos mohimi apo përfolja e saj deri në anatemim.

Retorika e pasinqertë e lustracionit dhe e antikomunizmit në “thes” ngërthen në vetvete një mish-mash interesash e ndjesirash pas. Nga “tymuese” për maskimin e abuzimit politik elitar dhe “dekor” për protagonizëm “demokratik” përmes indoktrinimit të njëanshëm të brezave të pas viteve 90, mania për kult në politikë me tabore ndjekësish dhe privilegje pas, iluzione nga të humburit historik që demokracinë e njësojnë me revanshizmin, shfryrje dufi nga të kompleksuarit e të frustruarit që koha u ndrydhi ambicjet me apo pa të drejtë dhe urrejnë patologjikisht pa dallim etj.

Ai degradon në farsë kur mendon se shumë prej të prekurve, në mos në moshë të thyer, nuk janë më me ne! Vetëm nëse hallin e kanë jo t’i lënë sot ish-komunistët e sigurimsat papunë por të hedhin sa më shumë gurë në lumë që zullumi politik tinzar ta kalojë paq atë, apo t’u marrin “erzin” në pleqëri me iluzionin se mbase zbardhen ca faqe të nxira historikisht!

Qoftë zhvillimi demokratik, ashtu dhe reformat në vend, nuk mbahen peng nga qytetari korrekt ndaj ligjit e shoqërisë në çdo sistem por nga politika e shpërfytyruar dhe e korruptuar e tranzicionit. Elitë politike kjo në konflikt direkt interesi me krye-reformat dhe interesin qytetar, nga ligji pronës që ligjëron abuzimin me të, vota-peng që garanton pushtet dhe drejtësia klienteliste që i nxjerr “faqebardhë” në zullumin epik. E nëse lustracion, sfida nuk është qytetari që pas viteve 90, komunist, sigurims, ballist a monarkist qoftë, aspiron

njëlloj demokraci, shtet ligjor, integrim në BE dhe miqësi unike me SHBA, por politika e mbrapshtë e tranzicionit që zullumi e ka rreshtuar në anën e kundërt të popullit dhe historisë.

Tek “Shtëpia me Gjethe” bashkë me gjethet ra edhe misteri por hapja e transparenca si standart demokratik, edhe për Sigurimin e Shtetit, duhet “t’i japë çezarit, çfarë është e çezarit”!

Sigurimi Shtetit operonte mbi bazën e një platforme sipas së cilës punonjësi duhej t’i shërbente me devotshmëri atdheut, popullit, shtetit, se çdo dyshim duhej të vërtetohej trecipërisht nga agjentura, survejimi dhe teknika operative (Shtëpia me Gjethe, sot muze), se të dyshuarit duhej të thirreshin e këshilloheshin paraprakisht etj.

Abuzimi duhet demaskuar por, po aq sa neverit spiunimi i të pafajshmit tek rradha e qumështit, po aq neverit, në mos më shumë, edhe spiuni që fliste shqip dhe bëri duvanë e të huajit apo heshtja e konfuzioni politik rreth kolaboracionizmit e tradhëtisë historike që as alibia e antikomunizmit nuk i bën derman. Në përballjen me veglat e atyre që përfituan nga 1913, ka kontribut e rol edhe Sigurimi i Shtetit dhe etiketimi “famëkeq” i tij në këtë rast i shkon për shtat vetëm gjuhës së antishqiptarizmit shekullor në rajon.

Përtej akuzave për “vegël” e partisë, Sigurimi Shtetit ishte institucion shtetëror dhe ishte gjithmonë në anën e interesit shtetëror e kombëtar. Ky kontribut duhet të njihet dhe zërë vënd në muzeun e historisë. Degradimet dhe njëanshmëritë me preteksin e transparencës tek muzeu Shtëpia me Gjethe, Bunkeri etj, për realitete të “Perdes së Hekurt” që hasen edhe në perëndim (por nuk vënë tellallin si ne), dekorimet e nderimet arbitrare të antikomunizmit pa dallim etj, nuk janë reflektim objektiv ndaj së shkuarës por futje në “thes” si dikur që cënon jo vetëm punën e kontributin e djeshëm korrekt por dhe vetë imazhin e disidencës reale antikomuniste në vënd.

Historia niset nga faktet. Muzeu “Shtëpia me Gjethe” ishte vërtet seli e Teknikës Operative së Sigurimit të Shtetit por teknika dhe nëpunësit nuk ishin pjesë e rutinës agjenturore apo dëshmitarëve të përfolur për gjyqe fars. Teknika Operative thjesht verifikonte e konfirmonte nëse të dhënat e agjentëve në terren ishin korrekte dhe në parim, ishte në vetvete një hallkë kundër abuzimit me llafin e gojës që merrte në qafë qytetarin e pafaj.

Vetë përgjimi nuk ka pse etiketohet apriori si “mëkat” sa kohë shërbimi i fshehtë e teknika operative i vënë fre paligjshmërisë brënda shtetit dhe mbron interesat e tij ndaj shteteve jo miqësorë me të. Nuk janë shpikje shqiptare e diktature por ekzistojnë kudo dhe kurdo sa të ketë shtete dhe interesa në mes.

Anatemimi dhe akuzat për politizim e abuzim të Sigurimit të Shtetit nuk janë arsye për të shpërfillur rolin e kontributin e tij në mbrojtjen e interesave të shtetit shqiptar përballë shteteve që përfituan nga viti 1913 dhe synonin jo thjesht fundin e komunizmit por të vetë shtetit shqiptar (ndryshe nga të tjerë që synonin ndërrim rregjimi por jo dobësim të kombit shqiptar).

Vetë fjala “spiun” nuk ka pse shpërdorohet sidomos nga politika që për ironi shkëmben vazhdimisht mes vetes akuza për ujdira e cënim të interesit shtetëror e kombëtar dhe inkurajon mitin urban të qytetarit dixhital që përgjon zellshëm si “kufitar” partiak dhe nuk denoncon në polici por tek lideri partiak!

Përçapjet për lustracion, sikurse edhe hapjet pa kriter e garanci të arkivave, mund të kompromentojnë dhe sekretin shtetëror, vijimësinë e integritetin e shtetit e institucioneve dhe identitetet e personave në shërbimin e fshehtë që kanë kontribuar e kontribuojnë në mbrojtjen e interesit shtetëror ndaj shteteve që përfituan nga 1913.

Inkuzicioni nuk ngatërrohet me mesazhin e shënjtë e besimtarin human, luftrat e masakrat në kontinent nuk sfumojnë iluminizmin e qytetërimin europian ndaj, ndonse politizimi i institucioneve dhe marrja në qafë e të pafajshmëve mbetet njollë për monizmin, duhet bërë dallimi mes abuzimit dhe institucionit. Qoftë socializëm apo demokraci (SHIK-u me ngjarjet e 97 etj), sepse abuzimi nuk njeh sistem dhe drejtësia po ashtu si ndaj abuzimit të djeshëm ashtu dhe atij 30 vjeçar “demokratik”, si ndaj përgjimit që mori në qafë të pafajshmin ashtu dhe spiunit në borderonë e shtetit antishqiptar etj.

Pa drejtësi dhe vlerësim të të dyja anëve të medaljes, nuk ka histori por marketing politik dhe “trakte” që u del boja shpejt. Atë e shkruajnë historianët dhe jo politikani që tundohet në zellin si gjykatës e prokuror. Kemi nevojë për paqe me të shkuarën e jo mbetur peng i saj. Që nga barrë e ndasi historike të jetë pasuri që na bën tok e çmohet nga të gjithë.

1 komente në “Lustracioni, gjykim realist apo paragjykim historik”

  1. Epo kjo pune says:

    Sigurimit te Shtetit eshte ti heqesh kapelen boll qe zbuloi spiunet e UDB e Asfalise qe sot medemek antikomunista po na bejne demokratin. Kush jane keta qe duan lustracion, mos jane ballista e hafije qemoti qe duan me zor rehabilitim, nuk rehabilitohet tradhetia tek shtepia me gjethe Edo mos nxij vetem por dhe ekspozo gjeneraten e profesionisteve qe ishin ne sherbim te shtetit, c’ne me ben maket sesi pergjohej ambassda jugosllave, shume mire bene, gjithe bota pergjonte e pergjon, nga Amerika tek vendi me I humbur. Jo te gjithe u denuan kot, se po fajesohen sot ne thes e po rehabilitohen ne thes, prandaj Sigurimi Shtetit duhet ruajtur si memorie e vlere historike, keshtu si po degradojme demokracine, monizmi duket normal si shtet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje