Nga Stephen Mihm
Ndërsa ka ende shumë gjëra që nuk i dimë për efektet shëndetësore të koronavirusit tek fëmijët, ka një konsensus në rritje për dëmin psikologjik që ai tashmë ka shkaktuar. Nga ndërprerja e shkollimit deri te karantina e detyruar apo të parit e prindërve që humbnin punën e tyre, pandemia kërcënon të bëhet ajo që përshkruhet si një fatkeqësi që ndodh një herë në gjeneratë.
Këto shqetësime duhet të merren seriozisht, por kështu duhet të merret edhe historia e krizave të tilla të mëparshme. Krizat kolektive ndonjëherë mund të kenë efekte paradoksale pozitive tek fëmijët, duke ua ndërtuar karakterin por aq sa shkatërrojnë.
Ka vend për skepticizëm? Ndoshta është koha për të rilexuar studimin e gjatë “Fëmijët e Depresionit të Madh”. Shkruar nga sociologu Glenn Elder, libri hedh poshtë të dhënat e mbledhura së pari në një studim me 167 adoleshentë që jetonin në Okland, Kaliforni, në vitet ’30. Ky grup, i lindur në vitet 1920 dhe 1921, kaloi nga prosperiteti i asaj dekade në katastrofën ekonomike që pasoi.
Studimi mblodhi sasi të jashtëzakonshme të dhënash për secilin individ, anëtarët e tjerë të familjes, profilin e tyre psikologjik, të ardhurat dhe shpenzimet e familjeve të tyre dhe jetën sociale. Studiuesit që pasuan i gjurmuan fëmijët në të ’60-at e tyre dhe më gjerë.
Kontributi i Elderit ishte se përpunoi materialin e mbledhur pasi individët ishin ndjekur në terma afatgjatë. Ai kodoi dhe analizoi informacionet që ishin mbledhur, duke krahasuar grupe të ndryshme me masa të tilla si klasa shoqërore dhe ekonomia e siguruar nga familja. Pastaj ai krahasoi mënyrën sesi këto përvoja u rrënjosën në jetën e këtyre individëve ndërsa ata rriteshin dhe krijuan familjet e tyre.
Shumë nga këta fëmijë i përjetuan direkt pasojat e Depresionit të Madh: Prindërit humbën vendet e punës, familjet humbën statusin shoqëror dhe mundësia për të lëvizur nuk ishte më ajo e para, megjithëse disa familje ia hodhën pa u dëmtuar. Ata me më pak fat u përpoqën, shpesh pa sukses, për t’u përshtatur: Nënat shpesh merrnin përsipër punë jashtë shtëpisë për të përballuar muajin, ndërsa baballarët merreshin me punë burrash që kërkonin shumë më pak përgatitje se sa ata kishin.
Këto ndryshime shkaktuan ndryshime të tjera: Shumë vajza morën përgjegjësi të konsiderueshme brenda shtëpisë në mungesë të nënave të tyre, ndërsa djemtë kërkuan punë me kohë të pjesshme. E gjithë kjo u shoqërua me kërkesë, privim dhe madje edhe uri në një shkallë që shumica e amerikanëve të sotëm nuk do ta imagjinonin dot.
Në atë kohë thuhej se këto përvoja do t’i shenjonin fëmijët për gjithë jetën. Një psikoanalist i viteve ‘30 përmendi “efektet shkatërruese të rënies së moralit të prindërve”, dhe parashikoi që kjo gjeneratë do të vuante nga ankthi i përhershëm, frika, dekurajimi dhe humbja e besimit. E thënë me shkoqur: ata nuk do ta merrnin veten kurrrë.
Por në fakt nuk ndodhi ashtu. Elder zbuloi se këta fëmijë që u rritën të privuar ekonomikisht – që përkufizohet si humbje e të ardhurave prej 35 për qind ose më shumë – bartën “plagët” e fëmijërisë së tyre. Për shembull, ata ishin më të prirë për ankth lidhur me statusin e tyre shoqëror, dhe shqetësoheshin më shumë për mendimin e bashkëmoshatarëve të tyre sesa fëmijët që nuk pësuan të njëjtën privim.
Por ajo që ishte shumë më befasuese në gjetjet e Elderit ishte fakti se privimi ekonomik ishte i lidhur me sukses më të madh. Ndërsa djemtë që u bënë ojekt studimi u rritën e u bënë burra, ata u ngjitën në shkallët e profesionit më shpejt dhe në mënyrë më agresive sesa homologët e tyre më me fat; ata gjithashtu përfituan më lehtë nga mundësitë për arsimim. Ndërsa ky efekt ishte më i theksuar tek fëmijët e klasës së mesme, djemtë e klasës punëtore ndoqën disa prej këtyre modeleve.
Fati i vajzave më ndryshe, edhe pse jo më pak interesant. Ndërsa arritën moshën madhore, vajzat që vinin nga familje të privuara ekonomikisht kishin tendencën të orientoheshin drejt shndërrimit në amvisa – një funksion, siç spekulonte Elder, që shkonte paralel me rolet që kishin marrë përsipër në fëmijëri. Por në përgjithësi, të njëjtat gra kishin tendencë të martoheshin me burra nga një klasë më e lartë shoqërore sesa gratë që kishin shpëtuar nga më e keqja e Depresionit të Madh. Ky ishte një lloj suksesi, të paktën nga standardet seksiste të viteve ’50.
Më në fund, si burrat, ashtu edhe gratë që qenë fëmijë të privuar, shfaqën rezultate më të larta në testet psikologjike që matin rezistencën, vendosmërinë dhe vetëbesimin. Ata gjithashtu prireshin drejt të qenit më pak mbrojtës. Më në fund, ata raportuan se ishin të kënaqur me jetën dhe më vonë edhe të lumtur.
Elder i shpjegoi këto gjetje duke vërejtur se për djemtë, përvoja e kërkimit të punës me kohë të pjesshme dhe kontributi në të ardhurat e familjes, i rriti ata më shpejt se homologët e tyre, duke nxitur fokusimin te gjërat që nxirrnin fitim. Diçka e ngjashme ndodhi me vajzat, të cilat ishin ngarkuar me përgjegjësi të rriturish në një moshë relativisht të hershme dhe më pas u zhvendosën pa probleme në rritjen e familjeve të tyre.
Elder arriti në përfundimin se Depresioni i Madh u kishte hequr fëmijëve fëmijërinë dhe i kishte vendosur në një rrugë suksesi afatgjatë. Siç konkludoi ai, “duket se një fëmijëri që i mbron fëmijët nga vështirësitë e jetës, rrjedhimisht, nuk arrin të zhvillojë ose testojë kapacitete adaptive, të cilat kërkohen kur përballen me krizat e jetës“.
Diçka e ngjashme mund të shihet në studimet e llojeve të tjera të traumave kolektive, siç është lufta. Në vazhdën e Luftës së Dytë Botërore, për shembull, studiuesit ishin mbetën jo pak të habitur kur konstatuan se fëmijët britanikë që ishin rritur gati në mënyrë konstante nën bombardim rezultuan me pak ose aspak trauma afatgjata nga ajo përvojë. Përjashtim, çuditërisht, përbënin fëmijët që dërgoheshin në fshat – me qëllim që t’u shpëtonin atyre traumave. Këta fëmijë vuanin nga një mori problemesh të shëndetit mendor të krijuara si pasojë e ndarjes me forcë ata nga prindërit e tyre.
Këto dhe studime të tjera konfirmuan që privimi material – për të mos përmendur bombardimet dhe tmerret e tjera të luftës – kishin shumë më pak ndikim te fëmijët sesa mund të besojmë instinktivisht. Dhe krizat që i detyrojnë fëmijët të përshtaten me realitetin në një mënyrë konstruktive, të përqendruar, mund të prodhojnë të rritur të lumtur, më të shëndetshëm. Individë të tillë mund të mos i gëzojnë privilegjet e “adoleshencës së zgjatur” që tani karakterizon gjeneratat e reja, por ata mund të fitojnë në fund të fundit diçka që fëmijët që kanë pasur më shumë fat nuk e kanë përjetuar kurrë.
Nëse është kështu, atëherë mund të presim diçka pozitive nga përvoja që bota pati muajt e fundit.
Bloomberg – Përktheu: Gazmira Sokoli