Nuk po kërkojnë garanci për votën e 2021, por diçka tjetër!

3 Qershor 2020, 09:31Politika TEMA

Nga Alfred Peza

Nëse do të duhet ndonjëherë të gjesh modelin sesi një lider, parti apo grupim politik i ikën zgjedhjeve dhe votës së qytetarëve të vet, ndërkohë që pretendon se po kërkon garancinë për standardin e tyre, atë mund ta gjesh tek Lulzim Basha, PD dhe “Opozita e Bashkuar” e këtyre 7 viteve të fundit në Shqipëri. Sikundër edhe tek Ilir Meta dhe LSI. Është një model tipik shqiptar, sipas të cilit tjetër gjë deklarohet publikisht, tjetër gjë kalkulohet brenda katër mureve dhe tjetër gjë rezulton se kanë dashur realisht në praktikë!

Kjo tregon se në fund të fundit, në thelb nuk e kanë hallin tek reforma elektorale. As tek debati për ta ruajtur apo jo aktualin, apo nëse duhet një sistem i ri zgjedhor. Nuk e kanë hallin as tek garancia që duan për votën sepse atë ua japin rekomandimet e OSBE/ ODIHR dhe impenjimi i SHBA e BE. Halli real është diku gjetkë.

Partinë Demokratike nuk e pengoi për të ardhur në pushtet në vitin 1992, as qeveria ish komuniste, as ligji i atëhershëm elektoral, as mungesa e stabilitetit dhe problemet e jashtëzakonshme të rendit e sigurisë në vend, as mungesa e garancive për votën e lire në një vend që dilte pas gjysëm shekulli diktaturë. Por, e solli në pushtet fryma e madhe e ndryshimit demokratik dhe vota masive e shqiptarëve.

E njëjta gjë edhe në vitin 2005. Sali Berisha hyri në historinë e re politike, si i pari udhëheqës i larguar nga pushteti me plumbat e qytetarëve më 1997, për tu rikthyer në mënyrë demokratike me votë. Atëherë kur u krijua fryma e ndryshimit dhe kur PS u përça, pas krijimit të LSI të Ilir Metës më 2004.

Edhe tani që është në opozitë, PD dhe LSI mund të rikthehen në pushtet vetëm nëse ngjizin dhe përhapin frymën e madhe të ndryshimit, përmes një progami alternativ qeverisës dhe një ekipi cilësor fitues, që krijon klimën e besimit tek shqiptarët. Asgjë nuk e pengoi PS të rivinte në pushtet më 1997 e 2013, edhe përkundër mënyrës sesi Berisha e drejtonin shtetin në raport me standardet e zgjedhjeve demokratike dhe garancive për votën e lirë.

Ndaj, e vërteta e zgjedhjeve të 2021 është e thjeshtë. PS ndyshe nga ajo e 16 viteve më parë, nuk është e përçarë. Historia e ka treguar se, (me përjashtim të 1992, për arësye historike) PS është partia më e madhe dhe më e organizuar politike në Shqipëri dhe asnjë parti tjetër nuk e ka mundur dot. Përveç rastit të 2005, kur socialistët mundën vetëveten.

Këtë e di shumë mirë edhe PD, edhe LSI. Edhe Basha, edhe Berisha, edhe Meta, edhe Kryemadhi. Ndaj, lidershipi i opozitës së sotme nuk e ka hallin te reforma elektorale. Sepse jo me sistemin danez, por edhe me standardin e tyre të zhvillohen zgjedhjet, e dinë se nuk mund ti fitojnë dot sepse nuk i kanë votat.

Edhe para zgjedhjeve të 2017 Lulzim Basha deklaroi se kërkonte “Republikën e Re”. Brenda në takimin me Edi Ramën në natën mes 17-18 majit, kërkoi tjetër gjë. E në fund, megjithëse mori shumë herë më tepër garanci se kërkoi, përsëri i humbi zgjedhjet. Sepse nuk i kishte votat e shqiptarëve.

Duke e ditur këtë të vërtetë të thjeshtë, në emër të gjoja integrimit europian, stabilitetit demokratik dhe votës së lirë, në zgjedhjet e 30 qershorit 2019 kaluan në skenarin më “in extremis”. Me shpresën se do provokonin deri edhe kolapsin total të sistemit, për ta detyruar PS dhe mazhorancën e saj, ti ofronte një pazar politik në tavolinë. Siç Sali Berisha e mori në marrëveshjen e 2002 me Fatos Nanon, e cila shënoi edhe fillimin e fundit, të qeverisjes së PS.

Historia po përsëritet edhe këto ditë. Megjithëse i kanë konsumuar të gjitha rrugët dhe u mbetet të gjejnë vetëm konsensusin, vijojnë që të përdorin njëmijë e një marifete, për tiu larguar sërisht marrëveshjes për reformën e re zgjedhore. Edhe nëse ia dalin, edhe nëse dështojnë në tavolinë, shqiptarët do të shkojnë për të votuar në prill- maj të 2021.

Liderët e opozitës e morën një vit më parë këtë mësim. Po pse po vazhdojnë sërisht në të njëjtën linjë edhe tani? Është shumë e thjeshtë: Duke e ditur se nuk mund ti fitojnë dot zgjedhjet, po kërkojnë të fitojnë që tani, një alibi për humbjen e tyre.

8 komente në “Nuk po kërkojnë garanci për votën e 2021, por diçka tjetër!”

  1. Denis says:

    Doli gazetari i Shkumbini Channel me bo propagande

  2. Kume Peza says:

    Kërkojne pazar dhe do ta arrijnë më ndihmën tuaj.

  3. Renato says:

    Koment shume i sakte,kur kur kujtoj:
    1. Masakren zgjedhore te 26 majit 96,
    Rrahjen e opozites ne sheshin “Skenderbej”
    me 28 maj 96, grushtin e shtetit te 14 shtatorit 98, masakren e Gerdecit etj. te Partise Demokratike, me vjen me nder per te vjelle ose sic thote populli me qesh me nder prapamica me keto, pretendime te PD.

  4. Shenjestra says:

    Bravo zoti Peza.Shkrim shume i mire qe une si komentues nuk mund t’i heq asnje presje.Te gjitha ato qe that jane te verteta.Pd dhe Lsi sot krkojne nje alibi per humbjen e tyre, e neser te justifikohen para elektoratit te tyre shume te zhgenjyer.Te lumt.

  5. Kalorësit e Ramës says:

    Po duket sikur është edhe halli juaj Alfred !
    Se bashkë me Edin i ka bërë Sala e Luli këtë çorbë…

  6. Pelioni says:

    Z .Peza.
    këta kujtojnë se shqiptarët nuk e dinë se
    çfar garancie kërkojnë këta.
    garancia që kërkojnë këta është:
    shqipëria rrumpallë.
    Zgjedhje si të 26 majit 96.
    Vdekje e djegie të shqipërisë si 97.
    Grusht shteti si në 98.
    Qeverisje alla sude.
    Shpërthim bërthamor alla gërdec.
    vjedhje qeveritare alla like
    Vrasje me kryministër snajper alla 21 janar.
    Drejtësi alla plepa me kurs 6 mujor e cila të nxjerr të pafajshëm me raport mjeksor edhe kur klsh shkruan e zeza mbi të bardhë ke vjedhur 250 milion euro.
    Këta që kërkojnë sigurinë e votës janë arkitektët e vjedhjes së votës,janë fara që vetë e mbollën e tash duan ta përjetsojnë,kjo është e verteta dhe këtë populli e di më mirë se kushdo,pasi i ka vuajtur mbi kurriz bëmat e këtyre,po kështu di dhe faktin tjetër që fatkeqsi e shqipërisë sot është mungesa e opozitës reale e demokratike,por di dhe tjetrën më mirë djepin bosh se shejtanin
    brenda.

  7. Karantues Qinani says:

    Kerkojn karanci,
    Jepjua.
    Do te knaqen.
    Sidomos Lulushja. Se esht e thekur per karancit..
    Edhe Mona e mirpret karantin sepse i mungon.
    Ku i jep gjo Like Hajni.

  8. dritani says:

    Thone se Edi Rama s’ka bere asgje gjate 7 viteve te drejtimit te qeverise. S’po permend asgje tjeter, vetem dy faktet e fundit: Ra termeti, kush mblodhi me shume donacione e kush arriti te vere ne fokus europian Shqiperine? Vetem Edi Rama. Kush i vuri prite koronavirusit? Edi Rama me ekpin qeveritar. Pas pak Europa do ia hape porten Shqiperise. Do vije fundviti, do nisin inaugurimet e lagjeve te reja te postermetit, do nise mot ta marre vehten ekonomia, pensionisteve do u shtohen ndjeshem pensionet e po ashtu dhe mesuesve dhe fati i Lulusheve do te jete i garantuar: humbje e akuza, akuza, akuza se votat u vodhen…Ju qofte rruga e mbare edhe ne zgjedhjer e vitit 2021!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje