E kritikuan për deklaratën për mësuesit, Mimi Kodheli reagon sërish: Unë nuk mund të ndryshoj botën, por si nënë, grua kam të drejtën të indinjohem

7 Qershor 2020, 09:30Sociale TEMA

Deputetja e Kuvendit Mimi Kodheli u kritikua ashpër në rrjetet sociale lidhur me deklaratën e saj se mësueset e kanë mendjen tek buzëkuqi e minifundi, referuar rastit të abuzimit seksual të 15-vjeçares në Babrru.

Ajo ka reguar sërish dhe ndaj kritikave, e duke përmendur mësueset e saj ajo thotë se askush nuk duhet të shqetësohet nga etiketimet e përgjithësuara nëse nuk e gjen veten aty.

Postimi i plotë:

Hava Shehu, Andromaqi Noçka, Eleonora Pançe, Afërdita Shala dhe Varvara Mishaxhiu, Lejla Sevrani, Lirika Dedja, Kibe Shehu e Meropi Gjebrea, Adelina Meksi, Natasha Milkani, Zana Baroni, Nermin Vorpsi, Mimika Nishani, Elvira Kote, Lume Nallbani e Meriban Dajçi, Rabije Xhemnica dhe Lili Josa; të gjitha bashkë kanë bërë të jem qytetari i mirë që jam sot. Ato më kanë mësuar shkrim e këndim, algjebër dhe kimi, histori e anglisht, kontabilitet dhe statistikë.

Ato më kanë mësuar të dua atdheun dhe familjen, të dua shkollën dhe miqtë, të dua Migjenin, De Radën dhe Sami Frashërin, të di cili është mali më lartë dhe lumi më i gjatë, kush ishin Dardanët dhe si respektohen martirët, më mësuan të vrapoj apo të bëj punë-dore, të di kush ishte Volteri dhe Tolstoi, të di si mbyllet një bilanc dhe çfarë është teoria e korrelacionit.

Ato dinin edhe pa më pyetur, kur kisha mësuar e kur jo, kur kisha nevojë për to apo kur kisha temperaturë, kur isha zënë me shoqen e bankës apo kur isha e lumtur. Edhe pse të ndryshme, ato kishin të gjitha një pamje, atë të nënës time, ato ishin të buta edhe kur ishin të ashpra.

Ato ishin të duruara deri në vetmohim dhe të bukura në shpirt deri në adhurim. Pamja e tyre nuk ulërinte, vëmendja e tyre ndaj nesh, po.

Ato ishin të veshura me ngjyrat e mësuesit (ngjyra të ndryshme nga zanatet e tjera) dhe mbanin mbi supe petkun e seriozitetit edhe kur bënin shaka.

E po ashtu kishte e ka edhe zysh Natasha Xhahini e Hajrina Islami, ka zysh Brikena, Leticia, Ana, Antoneta e Shota, ka zysh Nora, Indrita, Alma, Daniela, e sa e sa emra të bukur “zyshas” me Z të madhe që kanë rritur e rrisin breza pas brezit tim.

Mbi të gjithë këta emra të dashur fort për mua e shumë e shumë të tjerë si unë, më duhet të përmend hallën time 95 vjeçare, Toninen, super zyshën “Nder i qytetit të Shkodrës”.

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që flas për to, por i risjell sot në vëmendje, pikërisht në këto ditë të ngakuara me indinjatë e reflektim.

Unë nuk besoj se jam në gjendje të ndryshoj botën, se askush s’mundet vetëm, aq më pak kam të drejtë të bëj moral pa kthyer gishtin nga vetja, por si nënë, pedagoge, grua, motër, bijë, politikane, apo qytetare e kam të drejtën të indinjohem, madje thellë.

Nga ana tjetër, nuk merakosem e as sekelldisem kur shpesh politikanet (qofshin këta burra apo gra) i etikojnë të gjithë pa dallim, me të njejtët emra apo i përfshijnë të tërë, në grupin e “injorantëve”, “të të korruptuarve”, “karagjozëve” po të doni. (Ndjesë për fjalorin, por po citoj disa prej epiteteve që dëgjojmë rëndom të na vihen). A e dini pse? Se nuk e gjej veten në asnjerën prej këtyre etiketimeve, ndaj dhe vazhdoj e qetë punën time deri sa jam e bindur që këtë punë e bëj mirë, mbase shumë mirë, madje as kam kërkuar të mbrohem prej askujt, pavarësisht të gjitha gjërave të pamerituara e të pavërteta të thëna në adresën time apo të shumë kolegeve të mija.

Puna të mbron vetë. Kur nuk e gjen veten tek indiferentet, tek ato që nuk bëjnë detyrën, tek ato që abuzojnë me detyrën, vazhdo të bësh mësuesen e bëhu palë me Mimin dhe gjithë burrat e gratë puntorë e të ndershëm të këtij vendi, që brezat e ardhëm i do t’i shikojë më të ditur, më të edukuar, më të guximshëm, më mendje hapur e njerëz më të bukur, se ç’ishte brezi i saj.

Unë çoj lule ende sot në banesën e fundit të atyre zyshave që janë larguar tashmë nga jeta, pavarësisht se ka kaluar pak më shumë se gjysëm shekulli nga dita ime e parë e shkollës.

Uroj që këtë respekt ta ruajnë për ju mësuese të dashura edhe brezat që ju po edukoni sot.

Me krahë të lehta!

10 komente në “E kritikuan për deklaratën për mësuesit, Mimi Kodheli reagon sërish: Unë nuk mund të ndryshoj botën, por si nënë, grua kam të drejtën të indinjohem”

  1. pjeter says:

    I NDYRI TE NDYN, Zonja Kodheli.Te shkeputesh nga etiketimi ne kete moment te ulet te pilitikes shqiptare,eshte shume pak.Personalisht ,nuk jam ne gjendje te gjykoj mbi formimin tuaj,profesional,intekektual,moral,e tje,por çmoj ndergjegjesimin tuaj per faktin,qe shqiptaret ne pergjithesi,kane kerkesa per nje cilesi shume me te larte ,morale,intekektuale,prifesionale,nga ajo qe ofron,Gjuzi,Muli,Luli,Paloka,Salianji,Duma ,Mona me kalamajte e kopshtit qe futi ne poliitike,shume edhe nga radhet e PS-se,qe jane aty vetem per nr.E pra ju zonja Kodheli,keni qene ne menyre te vetedijshme,gati me nje fare kenaqesie ne mesin e” perlave” te politikes aktuale shqiptare.Shume e vertet qe nuk mund te ndryshoni boten,por personalisht nuk kujtoj ndonje iniciative shmangjeje nga llumi,dhe tani,eshte me se normale,jane efektet,dhe kunderefektet natyrane e te ndenjurit me batakçinjte,prandaj nuk thone kot,,,I NDYRI,TE NDYN.

    1. Shenjestra says:

      Dakord me komentin e PJETRIT.I ka thene tamam ato qe jane.Edhe une nuk mund te zgjatem,por shpreh respektin per Mimi Kodhelin si nje deputete e shkelqyer,si kuader i mire,si nene dhe shoqe e mire.Urime.

  2. Aspi says:

    Po, ju mund ta ndryshoni boten sepse jeni ligjvenese dhe vendimmarrese. Sa mire kur dilni per fushate me parimin e ndryshimit dhe permiresimit te jetes se votuesve,,,,,,ja mu ata jane bota…??…dhe perfundoni ne permiresimin e jetes se botes se familjeve tuaja…..sa te bukur e paske fustanin?

  3. arben says:

    Respekt per zonjen Mimi Kodheli

  4. Arianiti says:

    Ju cmoj znj. Kodheli. Kini te drejte per cfare shkruani. Edhe si vajze e Pjerinit dhe Lulit, nuk kini si te mos i respektoni me te drejte mesuesit tuaj, qe ua kane pasuruar formimin tuaj nga prindrit. Nuk ju njoh, por kam vlersuar pergatitjen tuaj, menyren si flet dhe cfare flet, pa mllefe e gjithnje te admirueshme.

  5. Vlora says:

    Ju z.kodheli jeni aksidentalisht deputete .Une ju kujtoj ne fillimet tuaja kur cdo vit shkonit ne gerdec dhe vinit lule ne memorialin e te vrareve e sa u bete ministre I haruat dhe I sorollatnit per demshperblimin.Hipokrite .Ju nuk I njifnit mesueset A e dini ju se shume prej tyre mbeten pa u martuar se nga vlora e emeronin ne fshatrat e skraparit e nga Tirana ne mirdite ?E nga ta dini ju .Ju sa mbaruat u emeruat ne qytet.Une qe po komentoj jam mesues pensionist dhe u sugjeroj me dashamiresi ti terhiqni ato qe keni thene e tu kerkoni falje publike mesueseve se keshtu do lartesoni vehten e te mos juStifikoheni me sofizma

  6. specialisti says:

    Znj.Kodheli.
    Kur permendni edhe “Zonjushe Toninen” , mesuese fillore ne shkollen Ndre Mjeda Shkoder, me rrenqethet trupi.
    Mesues , edukatore te devotshem.
    Ah, me kujtohet shkrimi i saj teper i bukur, qe asnjehere nuk e kam ndeshur, megjithese jam ne moshe.
    Respekte qe kujton ato mesues qe me te vertete mund ti quash mesues.
    Tani ka hyre edhe tarafi, miku, e leku.
    Ketu nuk dua te justifikoj prinderit qe pak merren me edukimin e femijeve.
    DHUNA NDAJ FEMIJEVE ESHTE E DENUESHME.
    ABUZIMI ME ATO ADOLISHENTE ESHTE KRIM.
    LIGJET PER ATO JANE TE BUTA.

  7. joel shkodra says:

    Hartim i bukur! Dhjete!

  8. Albin says:

    E pame dhe kontributin tend kur ishe Minitre e Mbrojtjes. Me keq se zero. Asnje lloj reforme produktive dhe te dobishme dhe asnje perkrahje dhe stimulim te FA-ve dhe oficereve te karrieres. Vec bla, bla, bla. Po ceshtjen e godines se SHQIPI-t pse nuk e dergove ne gjykate e tia ktheje FA-ve? E premtove kete gje para se te beje ministre dhe nje m** te madh bere. Erdhe ne pushtet si dhe grua e hekurt por dole nje zhgenjim total. Prandaj me mire mbylle dhe mos komento per figuren e mesuesit ete sotem. Ato qe perdridheni e pispilloseni jeni ju grate politikane dhe me leket e popoullit.

  9. Taulant says:

    Po kjo baxhella u jepte helikopteret e ushtrise putanave per te bere klipe. Kjo eshte e fundit qe duhet te flase.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje