Nga Alfred Peza
Është dashur firmosja e marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës për reformën e re zgjedhore, që Lulzim Basha të artikulohet qartë para qytetarëve, për mënyrën sesi synon ta rikthejë opozitën në pushtet. I pyetur për qeverinë, gjatë takimeve me qytetarët në Elbasan, Kryetari i Partisë Demokratike u përgjigj: “Me votë do ta heqim!”
Në prononcimin e tij të parë publik, menjëherë pas daljes së “tymit të bardhë”, Kryeministri Edi Rama nuk harroi të shtonte: “Ah po, mbaroi edhe revolucioni!” Ishte një konkluzion për të gjithë atë tymnajë që opozita kishte ngritur, në tri vitet e fundit përmes betejave të saj opozitare, rreth mënyrës sesi premtonte se do vinte në pushtet.
“Revolucioni popullor për rrëzimin e qeverisë”, u hodh në treg si një kazus ekstrem, për të mbuluar qëllimin e vërtetë të djegies së mandateve të deputetëve dhe bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Loja me psikozën kolektive të militantëve për arritjen e fitoreve të shpejta politike, u zgjodh për ti nxitur dhe joshur ata, me ëndrrën e rikthimit të atypëratyshëm në pushtet.
Pas dalldisë së parë kolektive që krijon kjo qasje “in extremis”, me kalimin e javëve, nisi të qartësohej se “revolucioni” ishte thjeshtë një mit i rremë. Një retorikë “fake”. Një qasje e pavërtetë dhe jo realiste. Në kulmin e këtij debati, qëndrimet e palëve kishin shkuar aq larg, sa “revolucionarët” nuk mund të tërhiqeshin e të pranonin kollaj, se thjeshtë po i gënjenin opozitarët.
U sqarua se revolucionet nuk mund të programohen nga udhëheqësit politikë. Ato as nuk mund të nxiten artificialisht, nga dëshira e tyre. Sepse në fund të fundit, revolucionet demokratike që kanë ndodhur në histori, nuk bëhen nga vetë elitat. Ato gjithmonë nisin si një nevojë dhe shtysë e brendshme nga njerëzit e thjeshtë poshtë, për të rrëzuar elitat e vjetra, lart.
Sa më shumë qartësohej, aq më shumë kuptohej se “revolucioni”, ishte një shtysë artificiale e diktuar nga lart. Kjo u pranua edhe nga vetë liderët opozitarë më pas. Me kalimin e kohës, në vend që numri i qytetarëve pjesëmarrës në protestat e opozitës të shtohej, po pakësohej. Entuziazmi ra dhe pritshmëria po shuhej. Kjo çoi në dëshpërim. Sa më shumë binte fuqia e “revolucionit opozitar”, aq më shumë shtoheshin aktet e dhunës dhe flakët e molotovëve, mbi institucionet kushtetuese të vendit.
Lidershipi i opozitës përmes “revolucionit”, synonte ta detyronte mazhorancën, që të uleshin për një pazar politik. Historia e tranzicionit shqiptar na ka mësuar se këto pazare janë shoqëruar me amnistimin e të gjitha krimeve dhe korrupsionit të bërë nga udhëheqësit politikë, në periudhat që kanë qeverisur vendin. Kjo nuk ndodhi dhe zgjedhjet lokale u zhvilluan, pavarësisht kërcënimeve për bllokimin e tyre.
Në vend të rrëzimit të qeverisë Rama dhe rikthimit të shpejtë në pushtet përmes “revolucionit”, ndodhi e kundërta. Pas pushtetit parlamentar, opozita humbi për herë të parë, gjithë pushtetin lokal. Kjo i vuri vulën gënjeshtrës së “revolucionit”, duke lënë hapur, të vetmen rrugë që njeh sistemi demokratik: Rikthimit në pushtet përmes garës elektorale! Kushdo kuptoi se nga “revolucioni”, tek “heqja e qeverisë me votë”, është në mes një det i tërë…! E ai nuk kalohet dot me këmbë, por me zgjedhje.
Për hir të së vërtetës, flamurtari i idesë ka qenë Sali Berisha. Por, edhe Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta. Lulzim Basha edhe nëse nuk e ka artikuluar aq fort, qartë e prerë si ata publikisht, nuk pati guximin si lider politik që ti tregonte mbështetësve të vërtetën e thjeshtë: “Revolucioni” i premtuar opozitar, është një gënjeshtër e pastër politike!
Megjithatë, asnjëherë nuk është vonë, për tu rikthyer në rrugën e arsyes. Kur kryedemokrati ia sqaroi në Elbasan, se opozita do ta heqi qeverinë me votë, qytetari e kuptoi. Sepse kushdo e di tashmë se ndryshe nga “revolucioni”, rruga e zgjedhjeve, nuk është një gënjeshtër!
Revolucion bente saliu krimineli
Luli te ha…
Domethene njeresit, dhe se politikanet e tyre perdorin çdo mjet per te aritur qellime e tyre perfshi dhe destabilizimin e vendit ,marin pjese ne zgjedhje dhe larg qofte fitojne,ajde pastaj filloni nga e para,me ndertime pa leje, me zgjedhje si te 2011,me korupsion me bllok ne dore, me qytetet qe design si fshatra.
Nuk ja veen të lexosh asnjë rresht të këtij fshatari.
Desha vetëm të di a i justifikoi dot 1 miljon eurot ?
Mos ti dha gjyshja duke shitur domate në markatë ?
Apo vetëm korrupsioni i palës tjetër duhet hetuar.