Përpjekja e Grenellit për t’iu hakmarrë kancelares Merkel

14 Qershor 2020, 08:46Politika TEMA

Pas planeve për tërheqjen e një pjese të trupave amerikane nga Gjermania qëndron Richard Grenelli, i cili sa ishte ambasador në Berlin ra në sy me deklarata provokuese dhe gjuhë jodiplomatike, njoftojnë mediat gjermane. Për planet e tërheqjes së një pjese të trupave amerikane nuk është informuar Departamenti i Shtetit në Washington. Politikanët gjermanë thonë se çdo tërheqje i dëmton para së gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deputetë në Berlin janë aq të zemëruar, saqë thonë se sjelljet e Grenellit i ngjajnë një “përfaqësuesi të një fuqie armiqësore”. Një kronikë mbi turbullirat që shkaktoi Grenelli në raportet amerikano-gjermane.

Nga Enver Robelli

Kur erdhi ambasador në Berlin, Richard Grenelli e bëri menjëherë të qartë se cili është synimi i tij: forcimi i politikanëve ultrakonservatorë në Europë. Ky ishte një sulm ndaj Angela Merkelit, e cila nga agjitatorë si Grenelli dhe trumpistë të tjerë shihet si politikane e lehtë konservatore dhe tolerante ndaj emigrantëve, veçanërisht pas pranimit të gati një milion sirianëve më 2015.

Grenell ishte vetëm dy vjet ambasador i SHBA-ve në Berlin. Politikani i pëlqyer i Grenellit në Europë ishte kancelari austriak Sebastian Kurz, i cili është kundërshtar i kancelares Angela Merkel për shkak të pranimit të refugjatëve më 2015. Grenell kishte thënë se do të përkrahte një revolucion konservator në Europë – domethënë politikanë të profilit të Donald Trumpit, të tillë që nuk kanë respekt për demokracinë dhe herë hapur, herë fshehurazi simpatizojnë Vladimir Putinin.

Në Berlin Grenell u përpoq të favorizojë si pasardhës të Angela Merkelit në postin e shefit të CDU-së politikanin Jens Spahn, i cili është ministër i Shëndetësisë. Spahnit iu organizua edhe një pritje në Shtëpinë e Bardhë, kur këshilltar për siguri nacionale ishte John Boltoni. Ishte e pazakonshme që një ministër gjerman i Shëndetësisë të pritet nga këshilltari për siguri nacionale i SHBA-ve. Pasi Spahn u kritikua nga mediat gjermane për shkak të afërsisë politike me Grenellin, ai i kufizoi defilimet publike me ambasadorin amerikan.

Para disa javësh Grenelli është tërhequr nga posti i ambasadorit të SHBA-ve në Berlin. Por duket se është përpjekur t’i hakmerret kancelares Angela Merkel. Mediat amerikane njoftuan se SHBA-të duan të tërheqin 9500 ushtarë nga Gjermania. Aktualisht SHBA-të kanë 35 mijë ushtarë në Gjermani. Grenelli ka kritikuar mungesën e gatishmërisë gjermane për të përkrahur me më shumë para buxhetin e NATO-s, por edhe marrëveshjen e Gjermanisë me Rusinë për të ndërtuar një gazsjellës nëpër Detin Baltik. Kjo marrëveshje është kritikuar edhe nga Ukraina dhe Polonia.

Sipas disa publicistëve gjermanë kritika e Grenellit është e pasinqertë: Gjermania ka filluar të rrisë dukshëm përkrahjen për NATO-n, ndërsa kritika kundër gazsjellësit rus ka të bëjë me interesat amerikane për t’i shitur gaz Europës. Gjatë qëndrimit në Berlin Grenelli shpesh është grindur me politikanë gjermanë në Twitter – diçka e pazakonshme në historinë e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve pas vitit 1945. Së fundi kancelarja Angela Merkel refuzoi të marrë pjesë në Samitin e G7 në Washington për shkak të koronavirusit. Trump synonte të mbante atë Samit për të demonstruar “normalitetin e ri” dhe për të treguar se në vitin elektoral në SHBA ai është lider i botës, një rol që nuk dëshiron t’ia pranojë asnjë nga aleatët për shkak të politikave të tij polarizuese.

Refuzimi i kancelares Merkel për të shkuar në Washington duket se e ka zemëruar edhe Trumpin personalisht, jo vetëm Grenellin, i cili më shumë se diplomat është njëfarë shefi në hije i fushatës elektorale të Trumpit. Sipas revistës “Der Spiegel” pas planeve për tërheqjen e 9500 ushtarëve amerikanë nga Gjermania qëndron Richard Grenelli. Revista i referohet qarqeve qeveritare në Berlin dhe Washington. Vendimi është marrë nga Trumpi, këshilltari i tij për siguri nacionale Richard O’Brien dhe Grenelli. Departamenti i Shtetit nuk ka qenë i informuar dhe është vënë para aktit të kryer. Sipas “Der Spiegel” qeveria gjermane ka vendosur që të mos i komentojë planet amerikane për tërheqjen e trupave. Po ashtu pala gjermane nuk dëshiron t’ia krijojë Trumpin kënaqësinë e polemikës publike, sepse në vitin elektoral ai vetëm këtë e kërkon.

Ambasadorët e Amerikës në Gjermani kanë luajtur rol të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Diplomatë si Richard Holbrooke, John Kornblum dhe Arthur F. Burns kanë qenë ambasadorë të SHBA-ve në Gjermani dhe ende kujtohen me respekt e nostalgji nga mediat dhe politikanët gjermanë. Madje një ndër bursat më prestigjioze gjermane të gazetarisë bart emrin e ambasadorit Arthur F. Burns. Ambasadori Grenell nuk do të mbahet mend gjatë në Berlin. Politikanë gjermanë madje largimin e tij e komentojnë me shpoti dhe lehtësi. Ish-ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel tha se tërheqja e Grenellit është një “akt i përzemërsisë së jashtëzakonshme”. Trumpi, sipas tij, ndoshta ka pak respekt për gjermanët që ua hoqi nga qafa Grenellin.

Politikani i CDU-së (partisë së Merkelit), Andreas Nick, tha se me gjenerata të tëra secili ambasador amerikan “që e kam njohur” e ka braktisur Gjermaninë si mik. Grenelli, sipas Nick, po shkon pasi është sjellë si një “përfaqësues i një fuqie armiqësore”. Fjalë të tilla për një ambasador amerikan nuk janë dëgjuar kurrë në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore – dhe kjo tregon se sa dëm u ka shkaktuar Grenelli raporteve mes dy shteteve. Pas këtij reagimi të Nick, Grenelli shkroi me zemërim në Twitter: “Bëni një gabim të madh nëse mendoni se presioni i Amerikës do të marrë fund. Ju nuk i njihni amerikanët”.

Tërheqja e një pjese të konsiderueshme të trupave amerikane nga Gjermania më shumë mund të dëmtojë SHBA-të se Gjermaninë, thonë politikanët gjermanë. Nga bazat e tyre në Gjermani Amerika është në gjendje të reagojë shpejt ndaj çdo krize në Azi dhe Afrikë dhe gjithsesi në Europë. Në Gjermani gjenden edhe spitale të ushtrisë amerikane ku trajtohen ushtarë të lënduar amerikanë. “Por dëmi simbolik për marrëdhëniet gjermano-amerikane tashmë të lënduara nga Trumpi është i madh. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore ushtarët amerikanë në Gjermani janë një simbol i rëndësishëm i lidhjes mes dy vendeve”, shkruan “Der Spiegel”. Komandanti i dikurshëm i trupave amerikane në Europë, Ben Hodges, i quajti planet për tërheqjen e ushtarëve nga Gjermania “gabim kolosal”. Ai tha: “Ushtarët amerikanë nuk janë atje për të mbrojtur Gjermaninë, ata të gjithë shërbejnë në dobi tonën”. Ushtria gjermane shpreson se Kongresi amerikan do të bllokojë apo zbusë planet e Grenellit.

“Der Spiegel” citon një ushtarak amerikan, i cili thotë: “Presidenti e sheh Grenellin si anëtar super-lojal të rrethit të tij të ngushtë”. Revista gjermane nënvizon se Trump e ka emëruar Grenellin të dërguar të tij special për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë dhe përkohësisht e pati bërë koordinator të shërbimeve sekrete amerikane. Grenelli, shkruan “Der Spiegel”, kultivon një lidhje të ngushtë me këshilltarin për siguri nacionale O’Brien dhe është i afërt me të birin e Trumpit, Donald Jr. Trump. Në Washington qëmoti qarkullojnë fjalë se Grenelli ka pasur shumë qejf të bëhet ministër i Jashtëm, por sekretari i tanishëm i shtetit Mike Pompeo hoqi dorë nga kandidatura për senator të Kansasit dhe nuk e liroi vendin. Në numrin e së shtunës gazeta konservatore “Frankfurter Allgemeine Zeitung” njoftoi se SHBA-të i janë kërcënuar Gjermanisë me sanksione për shkak të gazsjellësit rus. Politikanët gjermanë reaguan me zemërim. Deputeti Roderich Kiesewetter nga CDU tha se kërcënimi me sanksione tregon se presidenti Trump i ka punët pisk në fushatën elektorale.

8 komente në “Përpjekja e Grenellit për t’iu hakmarrë kancelares Merkel”

  1. Olimpia says:

    Gjermania enderron qe SHBA te largojne te gjitha trupat nga vendi.Keto trupa,pas 89 qendrojne ne Gjermani por edhe ne vende te tjera per te garantuar vazhdimesine e dominimit amerikan ne Europe.Mbas shkrirjes se Traktatit te Varshaves ,praktikisht nuk ka me nje rrezik real mbi Europen .Rusia kurre nuk do te ndermerrte nje aventure ushtarake ndaj Europes.Ngjarjet me Krimene dhe me pjesen Lindore te Ukrahines lidhen me popullsi 90% ruse dhe ishte normale qe do te pritej nderhyrja mbas prisheshjes se ekuilibrve.Rusia nuk eshte ne gjendje te shfrytezoje hapsirat dhe pasurite e saj te pafund e jo me te kerkoje hapsira te tjera.Ndrkohe qe me Europen ka interesa themelore per zhvillimin ekonomik,per tregje dhe per sigurine .Gjithesesi te gjitha keto lajme per terheqje trupash jane thjeshte loje politike.SHBA kurre nuk do te largojne trupat ushtarake nga Europa,aq me teper nga Gjermania,ku fantazmat e se kaluares dhe nje pakt ruso …gjerman qendrojne gjithmone si mundesi reale qe mud te prishin te gjithe ekuilibrat boterore.Dhe establishmenti politiko ekonomik amerikan nuk mund te beje gabime te tilla trashanike.Sa per rolin e Grenell ne ceshtjet midis Kosoves dhe Serbise,problemi eshte pak me i veshtire.Por edhe ketu besoj se pjesa derrmuese e Kongresit do te ndalonte cdo lloj marreveshjeje qe demton shqiptaret dhe favorizon serbet.Sidoqofte edhe ne se Trump mbetet ne Shtepine e Bardhe, pas zgjedhjeve qendrimi amerikan per ceshtjen do te ndryshoje.

  2. pjeter says:

    Ra viktime edhe Kosova ne egon e Granellit.

  3. Eri says:

    Edhe ne Kosove ka nje konkurence te madhe Usa-Gjermani.Me administraten e Trampit ka ndryshuar qendrimi amerikan per Kosoven.Analistet dhe politologet shqiotare duhet ta trajtojne kete fakt.

  4. Kapterri says:

    E mor Rrobell! Politikën e Amerikës nuk e vendos vetëm një njeri i vetëm. Ka struktura dhe strategji të studiuara. Sidomos për atë të jashtme. Amerika ka vite që po lodhet t’i bindë evropianët të mendojnë pavarësinë ushtarake dhe të mos presin vetëm nga Amerika t’i shpëtojë nga Rusia. Por çfarë po vërejmë nga Evropa plakë që lëkurën e ndërron po zakonin se harron. Janë vënë në garë kush të flirtojë më shumë me rusin dhe kinezin. Sidomos Gjermania me North Stream dhe kurvëlliqe të tjera që ti je i informuar mirë.

  5. SHKELZENI says:

    Politika amerikane eshte agresive dhe kerkone rezultate te shpejta ndersa ajo europiene eshte
    ( terhiqe e mos e keput )
    Kosova ne balancé me Serbin eshte zero Serbia kape te gjitha parametrat e nje shteti ndesa kosova nuk eshte asgje pamvarsishte qe Vucic tregohet ne aparence gjasme eshte perpara nje veshtirsie per te kamufluar rezultatin perfundimtare por qe e di fundin e marveshjes.
    Politika eshte aleance eshte histori kosova nuk ka as aleane e as histori eshte e destinuar te vdesi

    1. Niku says:

      Ti duhet të jesh Shkelzeni I Berishes, i shartuar me serbët, që shkruan “kosova është e destinuar të vdesi”! Kosova mund të vdesi po të vdesë patriotizmi kosovar dhe të transformohen në qenje hibride si puna jote.

  6. Kosova Republike says:

    D.m.th. sips Robellit, Gjermania gjithmone ka te drejte dhe Amerika e Trumpit e ka gabim. Problemi eshte me i thjeshte. Gjermania ishte mesuar te merrte gjithshka qe donte nga Amerika, perfshire sigurine falas. Trumpi kesa politike i dha fund dhe u thote edhe “paguani”. GJermania nuk ia fal Trumpit keto dhe mbeshtetjen qe dha per Brexitin. Te gjitha keto bejne qe Merkeli dhe gjermanet te urrejne Trumpin, paso jane mesuar qe t’u bejne amin te gjithe BE-ja, e sa per Shqiperine e Rames, as qe pyesin fare, pasi e kane mbytur ne borxhe. Merkeli dhe Gjermanet mezi ç’presin qe te humbi Trumpi, ne menyre qe te bejne qejf me Ameriken si perpara. Ndjese e Robell por keto kohera kane perenduar me kohe. Dhe hiq dore nga filogjermanizmi tend bosh. Te ishte Merkeli grua e mire ua kishte hequr vizat kosovareve…

  7. pjeter says:

    Nuk e vendos nje njeri,e vertet,por dipartimenti i shtetit ka denoncuar shpesh nen administraten Trump mosperfilljen e departimenti te shtetit, dhe mos respektimin e atyre strategjive afat gjata qe edhe psè ndryshojne presidentet,zakonisht ,nuk ndryshojn sipas humorit te disave sì Granelli. Trump eshte i vetmi president i SHBA-ve qe ka bere miliona e miliona dollare ne Rusi para se te zgjidhej, che i biri i tij ka takuar gjata fushates zgjedhore personazhet shume te perfolur per lidhjet me Ruset.Pikerisht si permend Robelli me kercenime te ngjashme, O’Brien kercenoi Kosoven me heqjen e trupave Amerikane,ku i biri i Trump e mbeshteti bublikisht ne rrjetet sociale .E si mund te harrohen reagimet e E.Engel che D. Server mbi trajtimin e Kosoves nga Granell?Me dy fjale, shume e vertet qe nje person e ka veshtire te ndryshoje politiken Amerikane, por deme te medha i sjellin vendeve si Kosoves, personazhe si Granell,qe per te hyre ne rretin e ngushte te Trumpit, eshte gati te komprometoje shume edhe Kosoven.Shume here kane shkruar media te ndryshme mbi Granell,dhe Robelli po ben nje permbledhje te opinionit mediatik gjermanfoles mbi Granell, dhe na i propozon neve lexuesve ne shqip, spese ka lidhje direkt me interesat tona kombetare, duke na pyetur né nje fare menyre “ky eshte opinioni qe kane Gjermanet per Granell, ju, ç’fare mendimi keni?”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje