“Vetëm” 50 raste me koronavirus 24 orët e fundit në Shqipëri, humb jetën një tjetër person

19 Qershor 2020, 10:55Sociale TEMA

50 është numri i të infektuarve me Covid-19 në vendin tonë në 24 orët e fundit, nga 330 teste të kryera.

Në një dalje për mediat, Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik bëri me dije se është rritur numri i shtrimeve në spital, ndërsa lajmi i mirë është se janë shëruar 28 qytetarë në 24 orë.

“Lajmi i mirë është se 24 orët e fundit janë shëruar 28 qytetarë, duke e çuar në 1114 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 17 raste në Tiranë, 6 në Krujë, 5 në Lezhë, nga 4 raste në Shkodër, Durrës, Fier, 3 në Korçë, 2 raste në Vlorë dhe Elbasan dhe nga 1 rast përkatësisht në Kurbin, Mirditë dhe Sarandë”.

Ndërkohë një pacient 69 vjeçar nga Kruja me leukozë akute, ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, i prekur nga Covid19.

Pavarësisht mjekimit intensiv prej 10 ditësh dhe përpjekjeve të stafit mjekësor, nuk arriti të mbijetojë. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit.

Në 24 orët e fundit ka rritje të të shtruarve në spitalin infektiv. Aktualisht po marrin shërbim 64 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 1 është i intubuar. Në vendin tonë janë aktualisht 682 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën apel të gjithë qytetarëve dhe bizneseve: Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, mbani maskat kudo ku ambienti është i mbyllur, bizneset dhe institucionet të respektojnë protokollet e përcaktuara. Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetëizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.

Ministria e Shëndetësisë po bashkëpunon ngushtësisht me Policinë e Shtetit për të mos lejuar asnjë person pozitiv që të thyejë rregullin duke dalë nga karantina, deri në shërimin e plotë. Qytetarët duhet të shmangin grumbullimet masive pasi janë burim infeksioni, të evitojnë ceremonitë mortore dhe vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.

Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga Covid19″. 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje