Gentian Cufe, Alban Canaj dhe Edlir Aliaj janë tre të dënuarit nga gjykatat italiane dhe në Shqipëri, të cilët kanë rënë në ‘rrjetën’ e OFL-së këtë të hënë.
Atyre u është dërguar formulari për të deklaruar burimet e pasurive të tyre dhe kanë kohë 48 orë.
Operacioni Forca e Ligjit iu kërkon tre personave të dënuar për drogë në Berat, që të deklarojnë pasurinë.
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
– Gentian Cufe, banues në Berat, i dënuar nga Gjykata e Apelit të Torinos, Itali, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotikëve”;
– Alban Canaj, banues në Berat, i dënuar nga Gjykata e Milanos, Itali, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
– Edlir Aliaj, banues në Poliçan, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.