Gati ligji i ri: Policia Bashkiake jo vetëm gjobat, do të përfshihet në aksionet antikrim

21 Qershor 2020, 14:57Kronika TEMA

Maxhoranca është duke përgatitur një projektligj të ri për funksionimin dhe organizimin e policisë bashkiake. Drafti parashikon rregulla të reja jo vetëm në emërime, por edhe në misionin e saj.

Një gjë të tillë e deklaroi ministri Sandër Lleshaj në Sarandë, gjatë një takimi që pati me drejtues vendor dhe të tjerë të zgjedhur, me të cilët diskutoi 4 pika të rëndësishme; turizmi, operacionet antidrogë, mbrojtja e mjedisit dhe veprimtarinë e OFL.

“Ne si Polici e Shtetit, jemi të interesuar që Policia Bashkiake të fuqizohet. Po punojmë aktualisht për të draftuar një ligj të ri për Policinë Bashkiake, i cili synon të rrisë nivelin e performancës, profesionalitetit dhe të integritetit të këtyre strukturave për t’i shndërruar ato de facto në një zgjatim në nivelin lokal.

Zgjatim në kuptimin e profesionalizmit, standarteve që plotësojnë, të kritereve që përmbushin, mënyra se si operojnë e të tjera. Ekziston nevoja për të transferuar disa përgjegjësi që sot i kryen Policia e Shtetit tek Policia Bashkiake. 

Ky do të ishte një lehtësim i madh për të dy policitë por edhe për rendin në tërësi. Ky diskutim do të vazhdojë, që të arrihet një zgjidhje, për bashkëpunimim më tej për këtë çështje”- tha Lleshaj.

Drafti i ri parashikon që policia bashkiake, përpos të tjerave, kujdeset edhe për qetësinë publike, duke shmangur zëniet, mënjanuar zhurmat e shkaktuara nga grumbullimet e njerëzve, altoparlantët e radiove e magnetofonave, rënia pa vend e borive të automjeteve në rrugë, banesa, plazhe e mjedise të tjera publike, që sjellin shqetësime për të tjerët.

Po ashtu, policia bashkiake ka për detyrë që të ndalojë, shmangë e prishë ndërtimet e paligjshme, të ndalojë zëniet e paligjshme të trojeve dhe të ndërtesave e objekteve publike të bashkisë, si dhe të organizojë lirimin e tyre. Ndërkaq, grupi i punës po punon edhe për statusin e ri të punonjësit të policisë bashkiake. Ka një propozim që statusi i punonjësit të policisë bashkiake të jetë i njëjtë me statusin e punonjësit të Policisë së Shtetit.

Një tjetër pikë e draftit lidhen me përdorimin e forcës. Policia bashkiake mund të përdorë forcën për të zbatuar kompetencat e saj. “Për rastet kur nevojitet zbatimi forcërisht i kompetencave, kryeinspektori në Policinë Bashkiake njofton me shkrim 5 ditë përpara personin e interesuar”, thuhet në projektligj.

Kur gjatë kryerjes së shërbimit konstatohen elemente të veprave penale, punonjësit e policisë së bashkisë dhe të komunës, në përputhje me dispozitat e kodit të procedurës penale marrin masa për shoqërimin e autorëve në komisariatin e policisë, ruajnë vendin e ngjarjes, fiksojnë dëshmitarët dhe ruajnë provat deri në ardhjen e policisë gjyqësore.

2 komente në “Gati ligji i ri: Policia Bashkiake jo vetëm gjobat, do të përfshihet në aksionet antikrim”

  1. Populli says:

    Policia Bashkiake duhet te forcohet dhe te kete reputacion, si ne shume vende te botes. Madje ne shume vende, njerezit me shume kane frike policine bashkiake.
    Ne fillimet e Rames si kryebashkiak, kjo polici ishte teper aktive. Po keshtu ndodhi edhe ne fillimet e Velise, por me pas komplet inaktive ose thjesht show i kryetarit te bashkise kur i nevojitej.
    Ka ardhur koha qe policia ne teresi te kete reputacionin e vet, pa u perzier me politiken.

  2. fierza says:

    O llesh po ti deshe mi shkrij fare apo u pendove

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje