Presidenti serb Aleksandar Vuqiç u takua në Moskë me Presidentin Rus Vladimir Putin. Vuqiç duhet të marrë pjesë në Paradën e Fitores sot, më 24 qershor, me rastin e 75-vjetorit të fitores ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.
Udhëtimi aktual i Vuçiqit në Moskë ishte planifikuar edhe para koronavirusit – ai ishte i ftuar në paradën e Ditës së Fitores, por pandemia prishi planet, kështu që festimi u shty, thotë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe Jelica Kurjak, ish- ambasadore serbe në Rusi, duke theksuar se nuk ka nevojë të bëhët bujë e madhe për të.
Sipas saj, Vuçiq dhe Putin biseduan në telefon para ardhjes së fundit të ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov në Beograd, thotë Kurjak dhe thekson një detaj interesant:
“Putin përsëriti se Rusia do të pranojë një kompromis me të cilin do të jetë e kënaqur edhe pala serbe edhe paka kosovare. Ajo e Kosovës nuk është përmendur deri më tash. Por ai kompromis do të jetë i vlefshëm nëse shkon në Këshillin e Sigurimit. Ky është përsëri pozicioni i vjetër i Rusisë që pa Kombet e Bashkuara nuk duhet bërë asgjë dhe këtë duhet ta bëjë Këshilli i Sigurimit. Por për herë të parë, ai përsëriti një kompromis që kënaq të dy palët,” tha Kurjak.
Vizita e Lavrovit në Serbi duhet të shihet kryesisht në dritën e bisedimeve të ardhshme midis përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës në Uashington më 27 qershor, thekson Kurjak, duke shtuar se pas takimit mes Vuqiçit dhe Lavrovit, u mbajt në mend një fjali – që ministri rus përcolli në Beograd njohuritë e tyre për atë se çfarë e pret Serbinë në Amerikë.
“Ajo deklaratë e Lavrovit në të vërtetë është kryesorja dhe ne duhet ndjekur atë që ata dinë dhe na u përcoll ne, ndërsa ne nuk e kemi ditur. Tash është intriguese se çfarë është kjo. Në qoftë se kryetari i Serbisë ka thënë pas kësaj se është edhe më shumë i shqetësuar dhe se kjo nuk është diçka që duhet të na gëzojë, se do të jetë vështirë, vështirë, vështirë. Këto ditë ai po flet edhe për më vështirë, më vështirë dhe gjithnjë e më vështirë. Pra, vetëm mund të hamendësojmë, por nuk do të jetë e lehtë me 27 (qershor), përfundon për Zërin e Amerikës ish ambasadorja në Moskë.
Sipas medieve serbe, pas takimit me Putinin, Vuqiç ka deklaruar se “për disa gjëra nuk mund të flitet publikisht”. Por, radioja serbe B92 bën të ditur se Kremlini pas takimit ka publikuar transkriptin e bisedës së Putinit më Vuqiçin, në të cilin nuk mund të thuhet se ka diçka të veçantë. Putin i ka dëshiruar mirëseardhje mysafirit nga Serbia dhe e ka falënderuar për pjesëmarrje në paradën ushtarake në Moskë si dhe e ka uruar për fitoren në zgjedhje.
Putin ka folur për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe se dy vendet po bashkëpunojnë me sukses në luftën kundër virusit korona, se po vazhdojnë të zhvillojnë marrëdhënie në të gjitha fushta, duke përfshirë edhe ato të sigurisë, kundër kriminalitetit të organizuar e terrorizmit dhe se po punojnë në bashkëpunimin ushtarak-teknik.
Vuqiç e ka falënderuar për ftesën dhe, ndër tjera, e ka falënderuar Putinin për “mbështetjen e padyshimtë interesave kombëtarë e shtetërore të Serbisë, sidomos integritetit të saj territorial dhe sovranitetit.
“Siç e dini, kemi situatë shumë të vështirë politike në Ballkanin Perëndimor. Për këtë çështje do të bisedojmë”, ka thënë Vuqiç, duke theksuar se Serbia do ta ruajë neutralitetin ushtarak, transmeton B92.
Ruset dijne ate qe kan ditur edhe me 1878, kompromise ne Ukraine dhe Siri, per Kosoven nen Serbi.