Pas SHBA edhe BE në sulm për goditjen e të korruptuarve, gjykatësja kroate direktiva SPAK: Koha për ndëshkime zyrtarësh, ja si duhet vepruar. Precedenti "Sanader", kuptimplotë

29 Qershor 2020, 09:45Kronika TEMA

Ndërkombëtarët duken të vendosur për t’i dhënë fund korrupsionit në nivele politike. Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe Bashkimi Europian është hedhur në sulm për instalimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme deri tani kanë marrë jetë, por ajo që ka hasur vështirësi është Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, e cila ka pasur një numër të reduktuar të gjyqtarëve.

Ndonëse Këshilli i Lartë Gjyqësor ka hapur disa herë garë për plotësimin e vakancave, aplikimet për gjyqtar kanë qenë shumë të ulëta, duke bërë që Gjykata e Shkallës së Parë të vijojë të hasë vështirësi.

Ndërkohë që EURALIUS ka zhvilluar një videokonferencë me gjyqtarë të interesuar për të aplikuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, ku të pranishëm ishin gjyqtarja e Gjykatës së USKOK në Zagreb, Koraljka Bumci, kreu i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Sandër Simoni dhe kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami.

Gjyqtarja Koraljka Bumci duke u dhënë direktiva gjyqtarëve shqiptarë për luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, ndau përvojën e saj si gjyqtare e USKOK, ku foli edhe mbi skemën e monitorimit të cilit i nënshtrohen edhe gjyqtarët e USKOK, si gjyqtarët e SPAK.

Ajo inkurajoi kolegët e saj shqiptarë që të aplikojnë dhe të ushtrojnë detyrën e tyre njësoj si për njerëzit e thjeshtë ashtu edhe për politikanët.

“Do të krijohet një gjendje që do t’i ndjeni çështjet tuaja të punës. Do të ndjeheni se ligji nuk është bërë vetëm me qëllimin që njerëzit e zakonshëm të ndëshkohen për veprimet e tyre të gabuara, por edhe për ata që abuzojnë me pushtetin që i është dhënë nga ligji, ose për statusin që kanë, siç janë politikanët, mjekët, profesorët ose madje edhe gjyqtarët dhe prokurorët. Do të ndjeheni si gjykatës dhe kjo ndjenjë është e mirë.

Do të jeni të lumtur kur të kuptoni se prindërit, kushërinjtë ose fqinjët tuaj ju pranojnë si një gjykatës, puna e të cilit ka rëndësi për njerëzit e thjeshtë”, tha ajo. Gjykatësit nga juridiksioni i përgjithshëm dhe administrativ që morën pjesë treguan interes të vërtetë për punën e Gjykatës SPAK dhe vlerësuan mundësinë e shkëmbimit të përvojave me kolegët.

Kroacia është shembulli më i mirë i funksionimit të reformës në drejtësi dhe dënimit të zyrtarëve të lartë. Në Kroaci u arrestuan ish-kryeministri Ivo Sanader dhe mijëra zyrtarë e politikanë të tjerë.

Prania e gjyqtares së USKOK Koraljka Bumci tregon edhe një herë se SHBA-BE janë të vendosur për të shfarosur korrupsionin e lartë politik në vendin tonë dhe për t’i dhënë njëherë e mirë fund pandëshkueshmërisë.

Ja kush është Koraljka Bumci

Znj. Koraljka Bumci është gjyqtare për Krimin e Organizuar (USKOK) pranë Gjykatës së Qarkut në Zagreb që prej viti 2007. Znj. Bumci ka qenë që prej vitit 1996 gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Zagrebit, ku ka gjykuar të gjitha llojet e çështjeve penale. 

Si gjyqtare për Krimin e Organizuar ajo është marrë me krimet e rënda të jakave të bardha (korrupsionin), trafikun e drogës, trafikun e qenieve njerëzore etj. Znj Bumci është autore e shumë artikujve të botuara në fushën e të Drejtës Penale e Proceduriale. 

Ka qenë thellësisht e përfshirë si anëtare e Grupit të Punës për hartimin e Kodit të ri Penal në vitin 2011, si dhe ka kontribuar në hartimin e ndryshimeve të fundit të Kodit të Procedurës Penale në vitin 2013. 

Gjatë karrierës së saj profesionale ajo ka ofruar trajnime për gjyqtarë dhe stazhierë në të drejtën penale dhe atë të procedurës penale. Ajo u emërua si pikë kontakti për Kroacinë për projektin PHARE 2005 “Mbështetja e Akademisë Gjyqësore të Kroacisë për zhvillimin e një sistemi trajnimi për gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm” në kuadër të ndihmës gjatë procesit të aderimit në BE.

1 komente në “Pas SHBA edhe BE në sulm për goditjen e të korruptuarve, gjykatësja kroate direktiva SPAK: Koha për ndëshkime zyrtarësh, ja si duhet vepruar. Precedenti “Sanader”, kuptimplotë”

  1. prishtinasi says:

    Isha duke menduar se mos kjo fotografi ka nje spjegim raciona.Nuk jam prej atyre qe jam i prirur per te keq,por me te vertete kur eshte mjafte eshte mjafte.Mjafte gjate kemi pare e degjuar per politiken e politikane,por akoma nuk kemi pare diqka konkrete.Nese tek ne,ne Kosove flitet e perflitet per disa politikane supermilionera ,poashtu edhe ne Shqiperi eshte fol e flitet akoma. Po kapni te shkreten me ata peshqi tek ju ,na e ndihmoni edhe neve kendej kufiri pak sepse jane bere si mishi e thoi politika ne te dy anet e kufirit.Posa te shikosh lajmet menjehere i shohim lidhjet mes tyre , kapriqot,jeten ,luksin e qka jo ,por me se paku siq thone tek ne hajrin nga kjo politike. Qe disa vite ,pra dekada varferi,papunesi, korrupsion megaloman,padrejtesi por jo aq shtet .Qdo gje ka nje epilog,fund e lutem te kete fund te lumtur dhe me drejtesi ,jo hakmarrje asesi. Drejtesia duhet te triumfoje me drejtesi. Suksese bote shqiptare per drejtesi.
    Verejtje me shkas (asesi nuk duhet perzier Haga-DHS, me keto qe shkrova,gjerat kane dallime edhe ngjarjet).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje