Virusi nuk është rrenë (si u kthye Shkëlzeni në jetë në spitalin e Zürichut)

13 Korrik 2020, 09:30Sociale TEMA

Të dielën gazeta zvicerane «NZZ am Sonntag» ka botuar një tekst për Shkëlzenin.

Ai është një kosovar. Punon në aeroportin e Zürichut. Është infektuar me virusin Covid-19.

Ky 47-vjeçar i ka humbur 27 kilogramë gjatë ballafaqimit me sëmundjen.

Ka qëndruar 6 javë në spital. Pastaj i ka kaluar tri javë në një qendër rehabilituese.

Dhe ende nuk e ka marrë veten. 14 ditë Shkëlzeni ka qenë në respirator, i cili ia ka mbushur mushkëritë me ajër. 

Ka qëndruar në komë artificiale, 14 ditë. Skena kur familja përmes telefonit përpiqet ta zgjojë nga koma – është tronditëse dhe vështirë e durueshme edhe për ta lexuar. 

Dialogu me familjen. Tmerri dhe shpresa se njeriu buzë vdekjes po i kthehet jetës… 

Një tekst për të gjithë ata që mendojnë se Covid-19 është hajgare. «Sa të jem gjallë u jam mirënjohës mjekëve. 

Nuk besoj se do të kisha mbijetuar në një vend tjetër», thotë Shkëlzeni. Në Zvicër një trajtim i tillë është i mundur. 

Por as këtu nuk ka garanci për shpëtim. Sidomos për të moshuarit. Shkëlzeni është 47-vjeçar dhe për pak vdiq… 

Për të gjithë njerëzit në viset shqiptare: ndryshojeni komplet stilin e deritanishëm të jetës. 

Kthejuni natyrës dhe sa të jetë e mundur edhe vetmisë. Mbajeni distancën. 

Nuk bëhet hataja nëse nuk pini kafe në kafeterinë ku keni kaluar jetën. 

Mund të blini aty kafen dhe ta pini në shtëpi, për shembull. 

Shokët e shoqet mund t’i doni e respektoni edhe nëse mbani distancë dy metra ose pesë. Mbroni të moshuarit. Virusi godet mushkëritë. 

Ambicia e virusit është të shkatërrojë mushkëritë kur të futet në organizëm. 

Mjekia zvicerane që e kishte kontrolluar në fillim Shkëlzenin, i kishte thënë: rri 10 ditë në shtëpi. 

Kur Shkëlzeni doli nga spitali, asaj i rrodhën lotët. Ajo as nuk deshi të flasë me gazetën. 

Ajo thjeshtë ishte e tronditur që e kishte këshilluar pacientin të rri në shtëpi 10 ditë dhe nuk e kishte dërguar në spital menjëherë. 

Ajo është arsyetuar se nuk ka pasur njohuri të duhur për sëmundjen. Shkenca nuk ka ende përgjigje definitive për virusin. 

Andaj nuk mund të priten vendime vizionare nga mjekët. Ndihmoni mjekët që ata pastaj t’ju ndihmojnë juve. (Enver Robelli)

https://nzzas.nzz.ch/wissen/covid-19-patient-auch-junge-koennen-schwer-erkranken-ld.1565813?reduced=true&fbclid=IwAR3aAVieyONu7H6Bj66GLM5DSZgPTfGi5NvM7RcVsiB2s5omoi7NnDSfc7Q

2 komente në “Virusi nuk është rrenë (si u kthye Shkëlzeni në jetë në spitalin e Zürichut)”

  1. Labi says:

    Nuk besoj se do kisha shpetuar ne vend tjeter thote Shkelzeni,po sa te vdekur ka Zvivra deri tani nuk e thote Shkelzeni e as Robelli,i ka kaluar te 1000,pse nuk i ka shpetuar mjeksia e forte e Zvicres,jete gjati nuk behet jet shkurter o Kosovar.

  2. Kosovari says:

    Robelli, asnjehere te vetme nuk shkruan mbi sakrificat e cdoditshme te mjekeve tane, cofte ne Shqiperi e cofte ne Kosove.
    Ky zoteria, gjithe cfare di eshte te vjell vrere per gjithcka mundohen te arrijne shqiptaret ne Shqiperi e Kosove.
    Jam shume i bindur, qe suksese sikur puna e Shkelzenit kane arritur edhe mjeket tane, dhe jane te shumta ato suksese, por ce do qe nuk i hyjne ne pune pendekeqit Robell?! Ky me patjeter e ka qe te qirret e te bej Kosoven Afganistan, qofte edhe neper kesij artikuj, ku nuk e thote drejtperdrejt por aludon se kinse po te ishte shkelzeni ne KS nuk do te mbijetonte, por edhe ajo tjetra qe me beri pershtypje me shume, eshte mjekja zvicerane qe paska gabuar, por e arsyeton me lotet e saj, medemek, mjeket e zvicrres qenkan me njerzor se tanet.
    Kjo eshte metoda e shkrimit e zoterise Robell.
    Do e ftoja, qe te vije ne Prishtine nga Cyrihu apo kudo qe jeton zoteria Robelli, dhe te kaloje nje kohe ne spitalet tona, cofte ne Tirane apo Prishtine, dhe te regjistroje Shkelzenet tane (pacientet) dhe mjeket tane heronj, dhe te shkruaj nga dora e pare, dhe te ben pastaj ato krahasimet e tij te famshme Zvicerr (shtet qe 400 e ca vite) me Kosoven.
    Shnet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje